Shumica e Evropës është “mbyllur” në një përpjekje për të frenuar përhapjen e COVID-19, por Suedia po i mban akoma të hapura shkollat fillore, restorantet dhe baret, lejon tubimet deri në 500 njerëz, dhe i inkurajon njerëzit të dalin jashtë për të marrë ajër.
“Ne nuk mund të lejojmë që dëshpërimi njerëzor në Wuhan dhe Bergamo të përsëritet në Suedi. Ky do të ishte një kumar që shkel parimin më themelor të shoqërisë: që çdo person ka një vlerë të qenësishme”, ka shkruar kryeredaktori i gazetës më të madhe të Suedisë, Dagens Nyheter, duke bërë thirrje për masa më të ashpra ose testime më të përhapura të koronavirusit.
Më shumë se 350 akademikë të shëndetit publik dhe praktikues në Suedi, duke filluar nga profesorë deri tek studiuesit, kanë nënshkruar një peticion duke i bërë thirrje qeverisë të ndryshojë strategjinë e saj të koronavirus.
Anders Tegnell, epidemiolog kryesor i vendit, e ka përshkruar strategjinë e Suedisë si përpjekje për të siguruar “një përhapje të ngadaltë të infeksionit, dhe që shërbimet shëndetësore të kenë një ngarkesë të arsyeshme pune”, duke argumentuar se është e rëndësishme që një pjesë e popullatës të fitojë imunitet.
Kryeministri Stefan Lofven u ka bërë thirrje njerëzve të “marrin përgjegjësinë” dhe të ndjekin rekomandimet e qeverisë: të punojnë nga shtëpia nëse munden, të qëndrojnë në shtëpi nëse ndjehen të sëmurë, të praktikojnë distanca sociale dhe qëndrojnë në shtëpi nëse i përkasin një grupi rreziku ose janë mbi 70 vjeç.
Takimet e më shumë se 500 njerëzve bashkë janë ndaluar – krahasuar me masat e ndalimit për më shumë se dy njerëz në Britani dhe Gjermani – dhe qeveria ka këshilluar shkollat e mesme dhe universitetet që të mbyllin objektet e tyre dhe të zhvillojnë mësimin në internet.
Por për shumë njerëz, jeta po vazhdon afër normales.
Baret dhe restorantet ishin plot në fundjavë, dhe autobusët e qytetit të Stokholmit të mbushur, megjithë rekomandimet për distancimin shoqëror.
Parlamenti i Suedisë deri më tani thjesht ka ndjekur me shpejtësi një projektligj që lejon mbylljen e shkollave fillore dhe parashkollore nëse vlerësohet e nevojshme.
Sidoqoftë, në përputhje me pjesën tjetër me pjesën tjetër të BE-së, Suedia ka mbyllur kufijtë e saj për udhëtime jo të nevojshme.
Të hënën, ish-epidemiologu shtetëror i Suedisë dhe këshilltari aktual në Organizatën Botërore të Shëndetit (WHO), Johan Giesecke, inkurajoi suedezët të dilnin dhe të shijonin diellin e pranverës.
“Merrni një mik dhe ecni një metër larg. Mos përqafoni fqinjin tuaj. Merrni një termus dhe uluni në një stol parku. Është e keqe për shëndetin tuaj edhe të rrini ulur në shtëpi”, tha Giesecke në televizionin SVT.
Suedia deri tani ka 2286 të infektuar të konfirmuar dhe 36 të vdekur nga koronavirus./