Në studion e emisionit me “Zemër të Hapur” është trajtuar historia e dhimbshme e Fatmir Ndojt, i burgosurit në burgun e Shënkoll në Lezhë. 33-vjeçari është burgosur në nëntor të vitit 2019 me motivin gjetja e një pamjeje në aparatin e tij celular, e cila dyshohet të ketë qenë një foto e lëndëve narkotike. Ndonëse ai ndodhet pas hekurave në këto momente të vështira që po kalon vendi ynë, për shkak të pandemisë së koronavirusit, 33-vjeçari raportohet se prej 1 jave ka temperaturë dhe se ka frikë mos rrezikohet nga ky virus. Pjesë e emisionit është bërë nëna dhe motra e Fatmirit, përmes një lidhje skype, ndërkohë që në studio qëndronte gazetarja Evis Ahmeti.
Ana, motra e të burgosurit tha se vëllai kishte telefonuar nënën dhe i kishte thënë se kishte temperaturë të lartë, 40 gradë, ndërkohë që askush nuk interesohej për të.
“Faleminderit që publikuat rastin e vëllait tim. Para tre ditës ai ka telefonuar. Vëllai e telefonoj mamin dhe tha që jam tre dite me temperaturë dhe më kanë postuar në një dhomë veç. Ka thënë që jam me temperature 40 grade dhe askush nuk interesohet. Shokët e burgut kanë pasur termometër dhe ia kanë mat temperaturën. Vëllai është i sëmurë me zemër dhe merr ilaçe. Në një dhomë janë 4 persona. Vëllai është në Shënkoll, pas tërmetit i kanë transportuar në Shkodër. Tani është vetëm në dhomë. Temperaturën ia kanë matur shokët. Më përpara kanë qëndruar katër persona. Mami më tha që ka njoftuar policinë. Ai ka marrë vetëm paracetomol. Mami ka folur me telefon burgu. Ai i ka kërkuar ndihmë mamit. Tha: Jam i sëmurë dhe nuk ka ardhur asnjë mjek. Vetëm nëse e kanë vizituar dje. Ne jemi në merak për të, sepse është i sëmurë me zemër. Vëllai ka që në fund të nëntorit në burg. Unë kam informacion që vëllai është i sëmurë, rrezikohet nga koronavirusi. Kjo sëmundje është përhapur shumë dhe një njeri që rri 7 dite me temperaturë është i rrezikuar. Unë i kërkoj shtetit ta çojnë në spital, rrezikohet të vdesë në burg. Duhet ta vizitojnë. Policia është në lëvizje duhet ta shohë. Kjo sëmundje ka të bëje me frymëmarrjen dhe është i rrezikuar.”, tha e motra, Ana.
Ndërkohë, Dile Ndoj, nëna e Fatmirit Ndojit, i bëri apel kryeministrit Edi Rama që të vërë dorën në zemër dhe të lirojë djalin e saj.
“Jam nëna e Fatmirit. Ai me 19 nëntor është vetëdorëzuar. Fatmiri vuan nga zemra. Edhe unë jam me azëm. Ai më shumë rri nëpër spitale se në shtëpi. Më mori në telefon dhe më tha se kam 6 ditë me temperaturë. Djali im nuk ka bërë as vrasje, vetëm ka dalë në mal për ajër të pastër. Ai nuk ka bërë vrasje. Kryeministri të vërë dorën në zemër! Mua më tha:- më sill ilaçe, por unë s’kam ku të shkoj sepse jam e sëmurë për vetë. Nuk di çfarë të bëj?! Burri është i verbër dhe vetë invalide. Djali më kërkoi ndihmë mua! Asnjë mjekë nuk e ka vizituar. Që ditën e enjte e kanë izoluar në një dhomë vetëm. Që të enjten nuk kemi marrë vesh asgjë për të. Ai kërkoj ilaçet e zemrës dhe kërkoi kokrra të forta, “kam rrahje të shpeshta”, -më tha. Ai qëndronte me 6 veta në një dhomë para se të izolohej. Mora 127 dhe kërkova ndihmë. Ai është njeri mbi të gjitha, është për spital, jo për burg. Telefonatës time iu përgjigj një vajzë, e cila më këshilloj që të marr 0800. Askush nuk ka vajtur te djali im. Kam që të enjten që nuk di asgjë për djalin. Kam që të mërkurën që bisedoj me të për këtë problem. Të mërkurën më mori në orën 9, pastaj sërish të enjten, dhe më tha: jam sëmurë shumë, më sill ilaçet.”, tha ajo.
Pjesë e emisionit është bërë dhe avokati i të riut që ndodhet në burg, Gjin Marku. Ai mohoi kategorikisht akuzat që rëndojnë ndaj Fatmirit, ndërsa tha se 33-vjeçari nuk ka lidhje me krimin.
“I kam çuar letër gjykatës. I jam drejtuar gjykatës dhe prokurorisë. Ka raport mjekësor, është me zemër dhe astmë. Këto janë në dosje. Me autoritetet e burgut nuk jam takuar asnjëherë. Nuk kam asnjë numër të tyre. Unë i kam thënë për sot. Ditën e nesërme do jem te burgu. Fatmiri nuk më ka njoftuar asnjëherë. Dje më ka njoftuar nëna e tij. Fatmiri akuzohet për kultivim të lëndëve narkotike. Ai është i fajshëm për moskallëzim krimi. Unë i kam thënë shtetit, se nuk mund të vjedh kaq lëndë narkotike një njeri i sëmurë me zemër. Prokuroria ka vetëm një fotografi të gjetur në celularin e tij. Ai është gjetur në parcelë, por nuk ka lidhje me krimin.”, theksoi ai. Nga ana tjetër e motra e të burgosurit pohoi se vëllai i saj nuk gënjen, ndërsa shtroi pyetjen se kush do të përgjigjet nëse ai vdes.
“Jemi të izoluar. Mami është e sëmurë me astmë. Vëllai ka gjashtë vjet që merr pension invaliditeti. Ai ka lindur me sëmundje në zemër. Fatmiri nuk është person qe gënjen. Ai e di gjendjen e familjes. Është 7 dite me temperaturë. Kush do të japë llogari nëse Fatmiri vdes në burg?! Vëllai im nuk gënjen.”, tha ajo.
HISTORIA
33-vjeçari është burgosur në nëntor të vitit 2019 me motivin gjetja e një pamjeje në aparatin e tij celular, e cila dyshohet të ketë qenë një foto e lëndëve narkotike. Fatmiri jetonte së bashku me bashkëshorten dhe dy fëmijët në qytetin e Durrësit, por jeta e tij ishte mjaftë e vështirë, ai mblidhte bimë medicinale në malin e vendlindjes. 33-vjeçari gjatë punës humb aparatin celular, të cilin tre ditë më vonë gjendet nga policia. Fëmijëria e 33-vjeçarit ka kaluar në spital, pasi ai ka lindur me probleme të zemrës, gjë e cila u zbulua kur ai ishte vetëm një muajsh. Në moshën 11-vjeçare ka qëndruar në koma për 8 muaj dhe familja tregon se kur është kthyer nuk njihej më se ishte apo jo Fatmiri.
“Ne menduam se ai nuk do të jetonte, pasi mjeku i tij na i thoshte se është në dorë të zotit. Pasi është zgjuar ka ndenjur tre jave ne spital përsëri pastaj është rikthyer ne shtëpi në karroce. Pasi kaluan 4 muaj Fatmiri u kthye ne normalitet, ndërkohë merrte mjekim te përhershëm. Kemi vuajtur shume deri ne vitin 2008 ka pas bere një gjilpërë çdo muaj për qarkullim gjaku. Ne vitin 2009-te Fatmiri njihet me një gocë nga Fani i Mirditës me te cilën sot ka krijuar edhe familje nga ku ka dy fëmijë, një 9 vjeç dhe një 8 vjeç. Mirëpo Fatmiri vazhdoi te merrte mjekim, gjate gjithë kohës ai mjekohej me ilaçe te zemrës dhe çdo muaj bënte kontrolle. Deri në momentin që ai u arrestua dhe u burgos dhe mori dënimin për tre vite burg”, tha e motra.