Mjekja epidemiologe shqiptare, Rubina Muzina foli për abcnews nga SHBA për situatën e krijuar nga koronavirusi. Ajo nuk i kurseu kritikat për Task Forcën që po menaxhon situatën në Shqipëri. Gabimi i parë i Task-Forcës sipas saj është se bënte matjen e temperaturës në pikat kufitare.
“Unë tmerrohesha kur shikoja turma të tëra që vinin në Shqipëri. Në përgjithësi, Shqipëria testimin e bënte nëpërmjet temperaturës. Nuk është shfajësim që nuk e dinin që temperatura vjen shumë vonë. Është një sëmundje virusale dhe e dimë që ka një periudhë inkubacioni. Ti mat temperaturën, por ajo vjen shumë vonë”, – u shpreh mjekja që u ndal edhe te debati për më shumë testime.
“Janë ato të dhëna që ju shikoni. Ku është kurba shqiptare? Më pëlqeu shumë një djalë i ri nga Zvicra dhe e mbështes mendimin tij. Ku është kurba shqiptare. Janë ato të dhëna që ne shikojmë? Nëse ti nuk teston, ne nuk mund të dimë si është strategjia pa një testim më të gjerë. Nuk po themi testim të gjithë popullsisë.
Me çfarë protokolli të OBSH po veprojnë aty? Nëse shkon vetëm te ata që janë simptomatikë, nëse nuk zgjeron rrethin e kontaktit ti nuk do e gjesh atë. Nëse nuk bën testime, nuk gjen raste dhe nëse nuk gjen raste të dhënat e kurbës nuk i ke drejta” – tha mjekja.