BallinaAktualitetKur do të rinisë shkolla/ Ministrja e Arsimit Besa Shahini jep afatet

Kur do të rinisë shkolla/ Ministrja e Arsimit Besa Shahini jep afatet

Ministrja e Arsimit Besa Shahini në një lidhje të drejtpërdrejtë në “News 24” deklaroi se viti shkollor nuk ka për të humbur, kurse shtoi se edhe provimet e maturës do të kryhen në kohën që iu takon.

“Qëllimi ynë është që të mbyllim këtë vit shkollor. Ne do ta mbyllim këtë vit shkollor, ndoshta me më pak kurrikula, por do ta mbyllim e kjo është e sigurt. Ne do të mbyllim provimet e maturës. Është e rëndësishme që së paku të bëhen dy javë mësim në shkollë, para se të shkojmë në maturë.

Nëse arrihet kjo, jemi në rregull që ta bëjmë testin e maturës. Unë shpresoj shumë që nxënësit tanë të kthehen në bankat e shkollës, sepse kjo na ndihmon më shumë ta mbyllim këtë vit shkollor. Është e rëndësishme që të mos humbet ky vit”, tha Shahini.

Besa Shahini theksoi se vetëm 2 përqind e nxënësve nuk janë përfshirë në mësimin online, shifër kjo e vogël në raport me të gjithë ata që marrin mësime.

“Ne shpresojmë që do arrijmë të kthehemi në objektet shkollore para fundit të vitit shkollor se do ishte mirë të bënim 1 ose 2 javë para se të mbylljes viti shkollor. Ne po përgatitemi për cilindo skenar, edhe sikur mos të kthehemi në shkollë.

Vazhdon mësimi online. Rreth 2 përqind e nxënësve nuk ndjekin dot mësimin online, për shkak se nuk kanë internet. Por, shumica dërrmuese normalisht janë përfshirë në mesimet online gjatë kësaj pandemie. Ne kemi kërkuar informacion sesa nxënësi ka marrë pjesë në mësimet online. Por në mësim online do ketë vetëm nota orientuese. Iu kemi kërkuar mësuesve që të relaksojnë pak pyetjet që bëjnë”, u shpreh Shahini.

Ministrja theksoi më tej se nëse do të jetë nevoja, viti shkollor mund të shtyhet me një muaj. Ndërsa, sa i përket maturantëve Shahini tha mund të shtyhen po me një muaj edhe aplikimet për në universitet.

“Nëse nuk arrijmë t’i hapim shkollat në maj, duhet ta shtyjmë pak vitin shkollor. Maturantët i kanë zgjedhur lëndët që duan t’i bëjnë në maturë dhe kanë përzgjedhur ku duan të regjistrohen në fakultet”, tha ajo.

Në lidhje me mbarë-vajtjen e mësimit në universitet, Shahini vlerësoi se shkollimi i lartë në Shqipëri ka autonomi, duke thënë se edhe në këtë nivel shkollimi, vlen mësimi online.

“Universiteti ka autonomi të plotë akademike. Nëse flasim për mungesat, pjesëmarrja gjithmonë ka qenë dhe është e rëndësishme. Duhet angazhim i madh, qoftë edhe online. Duhet angazhim mësimi, qoftë edhe në kushte shtëpie. Pjesëmarrja është pak në krahasim me vlerësimin në total.

Cdo punë nga shtëpia do të konsiderohet sikur të ishte provim. Nuk besoj se do të ketë bonuse financiarisht për mësuesit, pasi kemi pasur tërmetin, këtë pandemi ku ndihmojmë ata që janë më në nevojë, andaj nuk mund të ketë financim, por vetëm falënderim”, tha ajo.

Në fund, Shahini foli edhe për faktin sesi shkon mësim-dhënia në Kosovë, duke thënë se edhe atje mësimi bëhet online, ndërsa ka ndryshime me mësimin në Shqipëri në disa teknikalitete.

“Në Kosovë procesi i arsimit nuk është vetëm në dorën e Ministrisë së Arsimit, por iu takon komunave, qyteteve. Shqipëria nga kjo anë ka përparësi. Por edhe atje zhvillohet online mësimi. Edhe atje komunikimi ka vazhduar në televizionin e Kosovës”, përmbylli ministrja Shahini.

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES

Most Popular