Kryeministri Edi Rama ka folur me tone të ashpra për gjithë kritikët për paketën e ndihmës, apo siç e kanë etiketuar qesen e bukës, duke i quajtur dëngla nga njerëz që nuk janë fare në hall, por hanë e pinë më shumë se dje.
“Është e pafalshme për ne që t’i nënshtrohemi këtij presioni që vjen nga nevoja dhe që artikulohet si nxitje për lirinë për demokracinë, demokracinë, të drejtat e njeriut, për tu hapur, dalë, punuar e me radhë se do ishte ekzaktësisht të hidhnim në lumë gjithçka kemi bërë deri tani dhe t’i hapnim armikut të padukshëm shtegun që deri tani nuk e ka gjetur se kemi bërë deri tani këto gjëra” – tha ai.
Rama theksoi se ai dëgjon nga të katër anët me shumë vëmendje, çfarë thuhet e çfarë shkruhet.
“Dëgjova edhe këtu, flitet për vendet që po hedhin miliarda dhe për Shqipërinë që ka mbetur te qeset. Flitet në një mënyrë që është e neveritshme në këto kushte dhe më e bukura është që për qeset flasin ata që hanë e pinë, dhe hapën e pinë më shumë se dje, kurse ata që i marrin ato qese, janë falenderues dhe mirëkuptues, nuk janë ata që janë më në nevojë që shesin dëngla sot, por ata që janë më pak në hall.
Dhe për më tepër ata që i bëjnë llogaritë pa hanxhiun fare, e dini ju se sa është shuma që presidenti i Francës ka deklaruar dje, 150 euro plus për çdo person. Franca dha 1500 euro për cdo mjek dhe infermier në vijën e parë ndërsa ne dhamë 1000 euro” – tha Rama.