Pandemia e koronavirusit ka goditur rëndë shumë sektorë të ekonomisë dhe një prej tyre është edhe turizmi. Greqia, një nga destinacionet kryesore për shumë evropianë, për të kaluar pushimet e verës, është duke menduar hapjen e vendit dhe pritjen e turistëve të huaj brenda muajit korrik.
“Sigurisht, kjo varet nga të gjitha vendet e prekura dhe se si ato do të veprojnë lidhur me krizën, por ne synojmë që të rihapim turizmin në korrik”, tha Harry Theocharis, ministër i Turizmit në Greqi.
Theocharis deklaroi se ky sezon do të jetë shumë ndryshe nga të kaluarit dhe rikthimi në plazhe nuk do t’i ngjasojë atij që ne njohim. Ai cilësoi se pushuesit nuk do të mund të qëndrojnë në çadra pranë njëri-tjetrit, duhet të respektojnë distancimin social, të dezinfektojnë shpesh duart dhe në raste të veçanta të përdorin maska mbrojtëse.
Ai shtoi se ekspertët po shqyrtojnë gjithashtu dhe pranimin e turistëve nga shtete që kanë pak raste me koronavirus, ndërsa masa strikte do të vendosen në hotele, bare dhe pishina, zona të cilat konsiderohen me rrezikshmëri të lartë për përhapjen e Covid-19.
Por izolimi nga pandemia ka nxitur një valë anulimesh të prenotimeve dhe për të frenuar këtë, qeveria greke aprovoi një ligj që lejon bizneset e turizmit të ofrojnë kuponë të hapur 18 mujor në vend të rimbursimit të klientëve.