BallinaOP EDQeveria e Facebookut ka dështuar!

Qeveria e Facebookut ka dështuar!

Nga Dashnor Visha

Në një shtet ligjor, përparësi ka zbatimi i Kushtetutës së Vendit.
Ky ka qenë dhe vazhdon të mbetet qëndrimi konsekuent i PD me liderin e saj, z.Basha.
Kjo gjë edhe në kushte të emergjencave, pra, kurdoherë e mbi gjithçka, duhet të mbizotërojë shteti dhe vetëm shteti i së drejtës.
Ky, madje, është parim themelor në shtetin e së drejtës, me qëllim që veprimet e tij të jenë në përputhje me Ligjin Themeltar, para të cilit duhet të heshtin të gjithë. “Ligji” në këtë kontekst përfshin jo vetëm aktet e parlamentit, por, edhe dekretet e ekzekutivit për situate emergjence, por gjithnjë me kushtin kryesor, Vijën e Kuqe, atë të mbështetjes katërcipërisht në frymën germë për germë të Kushtetutës në mbrojtje të jetës, të drejtave dhe lirive themelore të njeriut sipas Kartës Evropiane, që për fat të keq në Shqipërinë tonë të drejtuar nga FB i të gjithëditurit të Rilindjes është shkelur dhe vazhdon të shkelet me të katër këmbët.
Ajo çka duket në këto kohë, nga propaganda e shfrenuar qeveritare, denoncon PD, është se po tentohet t’i ngopin shqiptarët me lugë të zbrazur, me sofrën bosh, ku thelat e majme i ndajnë me oligarkët, një krijesë rilindiste e neveritëshme ngjizur me klonim të PPP-ve të dështuara.
Në nxitim e sipër, me arna e mballoma, improvizime e kopjime, për të përballuar krizën e rëndë të koronavirusit, që si fillesë e injoroi, Qeveria Shqiptare ka miratuar me diletantizëm të plotë, 12 akte normative me fuqinë e ligjit, 22 vendime të Këshillit të Ministrave, 13 urdhëra të Ministrit të Shëndetësisë dhe 5 vendime të Komitetit Ndërministror të Emergjencave, e plot të tjerë. Pra, një total i frikshëm prej 52 aktesh ligjore dhe nënligjore, të botuara në 23 Fletore Zyrtare, për afro 24 ditë, nga 9 Mars deri më 2 Prill, pa shtuar duzinat e kakofonisë së të tjerëve që u bënë në numër të madh, aq sa pa iu tharë boja njerit, dilte tjetri.
Një inflacion kaq i madh aktesh, në një kohë kaq të shkurtër, krijon shqetësime të arsyeshme, nëse vërtetë janë në përputhje me Kushtetutën e Shqipërisë dhe Konventën Evropiane të të Drejtave të Njeriut, për më tepër kur vendi prej vitesh vuan mungesën e Gjykatës Kushtetuese.
Situata bëhet edhe më alarmante e shqetësuese po të kemi parasysh se asnjë prej këtyre akteve normative nxjerrë nxitimthi nga Qeveria, nuk është miratuar së pari nga Kuvendi, siç kërkon Kushtetuta, por pasi ka vepruar në terren është çuar në platen e parlamentit ku klakerët bëjnë temenanë e rastit për kryerilindasin, votojnë qorrazi…Votojnë në fshehtësi të plotë e pa asnjë transparencë, tendera e koncesione në siglën “top sekret”, qesharake edhe për letra higjenike.!? O tempora, o mores!
Kohët e fëlliqura, thotë një personazh i një komedie shqiptare, sjellin në skenë njerëz të fëlliqur që bëjnë edhe propozime të fëlliqura, të tipit Beqja, për ulje pagash e pensionesh, me qëllimin e vetëm që PPP-të të mos preken… Shpërndajnë si indulgjeca mesjetare për miq e sahanëlëpirës pasurinë kombëtare, lekët e taksapaguesve të varfër shqiptarë, duke u fshehur pas shpikjes ndjellajeqe “pagë e luftës”.
Paketat qeveritare promovuar me aq pompë e delir, jo pak, por, plot 11 prej të drejtave e lirive themelore të njeriut, parashikuar në Kushtetutën e Shqipërisë dhe Konventën Evropiane, preken e nëpërkëmben nga i gjithëdituri dhe aradha e të paditurve të tij me numër të madh rreth vetes, që si manekinë të pagojë bëjnë “amin” spektaklet qesharake të unit narcist kryeministror.
Shkeljet dhe nëpërkëmbjet bërë me ngut janë të shumta, si: liria e veprimtarisë ekonomike, barazia para ligjit, liria e medias, liria fetare, liria e lëvizjes, e drejta e pronës, aksesi në gjykatë, e drejta e ankimit, liria e tubimit, e drejta për të punuar dhe së fundi e drejta për arsimim. Në këtë kuptim, vlerësimi i pajtueshmërisë me Kushtetutën do të ishte me shumë interes për garantimin e të drejtave dhe lirive themelore, por reforma në drejtësi i ka hipur breshkës dhe do të vonojë shumë për të mbërritur.
Për fat të keq, në Shqipëri, respektimi i të drejtave dhe lirive themelore të njeriut kanë mbetur peng i oligarkisë, pasi shpalosen në mënyrë absurd në faqen e Facebookut të Kryeministrit, pastaj shto ujë e shto miell kthehen në akte ligjore e nënligjore. Autoritetet e rilindjes në pamundësi për të garantuar zbatimin rigoroz të kuadrit ligjor në fuqi, e kanë më të lehtë të marrin nisma për forcimin e masave ndëshkimore, për të nxitur frikën dhe terrorin si mjet për respektimin e ligjit, gjë e cila nuk ka rezultuar efikase.
Mediat satellite të qeverisë u çanë e u shqyen duke raportuiar e numuruar mijëra e dhjetra mijëra gjoba, anembanë Shqipërisë, që një natë kryeministri i zhbëri të gjitha, sit ë ishte “mbreti diell”…
Shqipëria lëngon për bukën e gojës. “Paga e luftës”, paketa 1 apo paketa 2 që nuk janë gjë tjetër, veçse një grusht hiri propagandistik në sy të shqiptarëve, do mund e kohë të përfitohet. Ndahet e plotpjestohet në makinacione absurde mes institucioneve e firmave private që i gjuajnë fatkeqët si në lojën e ping-pongut, e miratohen nga formacionet partiake rilindiste në pushtetin e uzurpuar lokal, si ato të tipit të qëndrimit skiç në makinë mes burrit e gruas…Kryeministri, si Robert Çamçakëzi, bredh lart e poshtë për të promovuar në 3 D. eldoradon e tij fiksion. Nën formacionet e shumta policore që e shoqërojnë si eskortë, nën zërat e lartë të protestuesve të irrituar e masakruar urie, që mundohen t’i mbysin me sirena makinash, nën blicin e kamarave të gazetarucëve pa moral profesional del udhëve për të qortuar pleq e plaka, duke iu përgjëruar e ulur më gjunjë se i do dhe vdes për to. Qesharake. Edhe portretit të tij i ka hedhur tisin e gënjeshtërt të një gjoja përvuajtje, por si rastësisht, në zyrë apo bunkerin e tij në Syrrel, lë pas kurrizit portretin e Ismail Qemalit, më shumë për t’i thënë bërberit ta kurojë në një formë që t’i ngjajë katërcipërisht. Harron i ziu, se historia një herë shfaqet si e vërtetë, herën e dytë kthehet në farsë, bëhet barsoletë.
Po, do të mbahet mend, si një klloun i zi, që mbolli mjerim, varfëri, pasiguri, dhe lundroi megjithë sojsorollopin e tij në luks…Do të mbahet mend si krijuesi i oligarkisë shqiptare.
Njerëzit mezi përcjellin ditën, gra e plaka përpiqen të gënjejnë fëmijët e tyre me ca thërrime bajate në sofrën e zbrazët, një pjesë e të cilëve edhe pa çati mbi kokë, por në një çadër të improvizuar që pik shiun e mjerimit brenda. E vërteta dhe mizerja fshihen nga kronika të paguara…Dyerve si lypsar, troket “heroi i fiqve”, Uriah Hipi kryebashkiak, me një qese varfërie në dorë, sipas një liste të zezë, ku diferencojnë njerëzit si në kohën e etërve, në zezonën e PPSH, në “tonët” dhe “armiqte e partisë”. Mjerë ky popull në dorë të kujt ka rënë. Është vënë ujku akshi.
S’ka më zi e më keq, dhe Zoti nuk ka për t’ua falë.. Tallen me varfërinë, me lotët e fëmijëve, me jetët e pamjekuara të pleqërisë. Mallkimi i nënave ka për t’i zënë! Ua shkëpusin me zor fukarenjëve ndonjë buzëqeshje apo falenderim, për të vrapuar pastaj drejtë ekraneve, këtyre sirenave moderne që hutojnë e shndrisin shqiptarët e mjerë me llakun e gënjeshtërt të rilindjes.
Por dielli nuk mbulohet me shoshë.
Kësaj qeverie i ka hyrë uji e tenja nga të gjithë anët. Nuk mund ta shpëtojnë më as ministreshat që kanë mësuar si papagaj përmendësh refrenet e kryeministrit, për ta bërë gjendjen rozë, kur zija, mizerja dhe vdekja bredhin lirisht…

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES

Most Popular