BallinaAktualitetPandemia Covid-19/Ndihma e mjekëve shqiptarë ndaj bashkatdhetarëve në Gjermani

Pandemia Covid-19/Ndihma e mjekëve shqiptarë ndaj bashkatdhetarëve në Gjermani

Mjekët Shqiptarë në Gjermani përbëjnë një pjesë shumë të rëndësishme të sistemit shëndetësor gjerman. Ata janë shndërruar në një lokomotivë të jashtëzakonshme në luftën që shteti gjerman po zhvillon ndaj pandemisë botërore Covid-19. Mjekët shqiptarë, jo vetëm në Gjermani, por kudo në Europë dhe në botë, përbëjnë sot një krenari kombëtare me profesionalizmin e lartë dhe humanizmin e pashembullt të treguar në ndihmë të çdo pacienti, por sidomos patriotëve dhe bashkatdhetarëve shqiptarë që gjendeshin nëpër Europë në kulmin e pandemisë globale Covid-19.

Ndihma ndaj shqiptarëve në Gjermani

Teksa koronavirusi po përhapej frikshëm edhe në Gjermani, dhe si pasojë mbyllja e kufijve do të linte në këtë vend shumë shqiptarë pa siguracion, pa mjekë familje, ndoshta edhe pa njohuri të mjaftueshme të gjuhës gjermane, Dr.Marsela Ceno tregon se ajo, në cilësinë e kryetares së Shoqatës së Mjekëve Shqiptarë në Gjermani, doli në datën 17 mars 2020 me deklaratën e mëposhtme:Shoqata e Mjekëve Shqiptarë në Gjermani duke vlerësuar emergjencën në të cilën ndodhet gjithë bota sot, vendosi të japë kontributin e saj duke ofruar asistencë shëndetësore për të gjithë shqiptarët që në këto ditë të vështira gjenden në Gjermani. Të gjithë mjekët anëtarë të shoqatës në shenjë humanizmi dhe patriotizmi kanë dakordësuar për të ofruar këtë ndihmë në komunitetet shqiptare ku ata jetojnë dhe punojnë në mënyrë vullnetare. Mjekët e shoqatës janë duke u ardhur në ndihmë të gjithë shqiptarëve që ndodhen në Gjermani, pushuesve, punëtorëve që shfrytëzojnë periudhën e 90 ditëve të qëndrimit, të gjithë atyre që janë me apo pa vizë (leje qëndrimi), pa mjek familje, pa sigurimin e duhur shëndetësor dhe që nuk dinë mirë gjuhën gjermane. Këta mjekë të shpërndarë në 16 Lande të Gjermanisë po bëjnë një xhest të jashtëzakonshëm patriotik dhe humanitar në kushtet e një krize botërore emidimeologjike me fund të panjohur.

Deklarata e mësipërme u pasua nga formimi në një kohë rekord i 14 ekipeve të asistencës, ku u angazhuan rreth 80 mjekë në të gjithë Republikën e Gjermanisë. Mjekët vendosën në dispozicion numrat e tyre të telefonit dhe adresat private të email-it. Në fillim patëm një valë të madhe shqiptarësh që na drejtoheshin përmes email-it, whatsapp-it ose inbox-it te faqja e shoqatës me pyetje rreth shenjave se si shfaqej sëmundja e shkaktuar nga Covid 19. Nuk ishin të pakta dhe rastet që na u drejtuan për të ditur se si do të organizohej riatdhesimi i tyre. Të gjitha këto raste ju dërguan ambasadave përkatëse të Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut në Gjermani. Më tej, pyetjet që na u drejtuan më tepër ishin sqarimi i simptomave të ngjashme me ato të Covid-19 dhe çfarë duhet të ndërmerrnin qytetarët për të kufizuar rrezikun e infektimit. Në rastet e paqarta kemi zhvilluar biseda telefonike me këta qytetarë dhe në varësi të anamnezës, gjendjes së përgjithshme, i kemi këshilluar të qëndrojnë për 14 ditë në kushte shtëpie dhe të drejtohen te mjeku sapo situata të përkeqësohej.

Unë personalisht kam patur rastin të kontaktoj me një djalë të ri nga Shqipëria, i cili në pritje të rezultatit të testit po kalonte një gjendje ankthi. Në mungesë të mundësisë për t’u kuptuar në gjuhën gjermane me mjekët, motra e tij nga Shqipëria më kontaktoi në inbox. Pasi fola me të riun, i propozova të shkonte edhe njëherë te qendra spitalore në mënyrë që unë të flisja me mjekun që e kishte vizituar. Si përfundim, cdo gjë shkoi më së miri. Rasti me këtë të riun, por edhe shume raste të tjera të raportuara nga kolegët e mi, tregojnë se bashkëqytetarët patën një ndihmë të madhe edhe thjesht nga suporti moral që ju ofruam. Raste të tilla të ngjashme i gjetëm kryesisht në grupmoshat 25-35 vjeçare, kryesisht grupmosha që ishte me qendrim në Gjermani për arsye shkollimi, punësimi ose pushime. Në ditët në vijim, pjesa më e madhe prej nesh u kontaktua nga fëmijët e prindërve të moshës mbi 50 vjec, të cilët kishin ardhur në Gjermani për të vizituar fëmijët e tyre dhe koha e gjatë e qëndrimit këtu çoi në mbarimin e ilaçeve. Këto raste u ndihmuan përmes lëshimit të recetave private. Nuk mungojnë edhe rastet kur mjekët me iniciativën e tyre personale kanë sigaruar ilaçe për persona në nevojë në mënyrë private.

Mund të them se numri i shqiptarëve të kontaktuar nga të gjithë mjekët që u angazhuan në ekipet e asistencës, arrin tek 150 persona. Nuk kemi shifra zyrtare se sa mund të jetë numri i shqiptarëve të infektuar nga Covid-19. Për fat të mirë, nuk kemi informacione se qytetarët shqiptarë në Gjermani mund të kenë humbur jetën si pasojë e infektimit me koronavirus. Përpara disa ditësh mësuam se disa mjekë shqiptarë ishin infektuar dhe ndodheshin në karantinë, por gjendja e tyre ka qenë e qendrueshme. Një tjetër formë e kontributit tonë ishte edhe informimi i publikut përmes intervistave të dhëna për pothuajse të gjitha mediat në Shqipëri, Kosovë e Maqedoninë e Veriut. Pothuajse në çdo ekran dhe në çdo emision ka qenë i ftuar së paku një nga mjekët e shoqatës, për të informuar e për të qetësuar shqiptarët me profesionalizmin dhe sigurinë që ofron petku i mjekut. Në rastin tonë ka qenë jo vetëm një kënaqësi, por një detyrë e kryer me dëshirë ndaj vendit tonë.

Një formë tjetër e informimit të publikut ishte publikimi në faqen tonë të shoqatës të artikujve të shkruar nga dhjetra mjekë të shoqatës ku u trajtuan tema dhe ju përgjigjën pyetjeve kryesore të publikut, si psh:

  1. Si filloi epidemia e skiatorëve?-Dr. Besmir Elmazi
  2. Sa i rrezikshëm është Covid-19 gjatë shtatzënisë?-Dr. Vjosana Gosnishti.
  3. A janë të rrezikuar diabetikët?-Dr. Muki Mala
  4. Ndikimi i Covid-19 tek pacientët me diabet-Dr. Kristi Xhunga
  5. Ndikimi i Covid-19 tek pacientët me tension të lartë- Dr. Ali Hajdari
  6. Si bëhet mjekimi i pacientëve me Covid-19 në terapi intensive?-Dr. Ardian Mustafai
  7. Si mund të rrezikojë Covid-19 shëndetin e lëkurës dhe kujdesin që duhet treguar?-Dr. Merita Hajdari Zeqiri
  8. Pasojat e mundshme të karantinës në shëndetin mendor-Gjergji Merja
  9. Kur mund të jetë gati vaksina anti Covid-19?-Dr. Shkëlqim Reci

 Ekspertët e epidemiologjisë që ju bashkuan mjekëve shqiptarë në Gjermani në kohën e pandemisë

Një nga qëllimet kryesore të të gjithë mjekëve shqiptarë që ju bashkuan ekipeve të asistencës, por edhe i imi personal, ka qenë përhapja në publik e informacioneve sa më reale në lidhje me përhapjen e virusit, mjekimin, parandalimin apo edhe zbulimit të një vaksine të mundshme. Të gjithë shkrimet e mësipërme janë të bazuar në hulumtime shkencore e botërore. Një ndihmë e madhe për ne, që na e bëri më të lehtë nismën tonë, ishte bashkimi i dy ekspertëve të epidemiologjisë, nga të cilët përfituam shumë:

Dr. Gani Abazi, Harvard

Në datën 9 prill 2020 Shoqatës së Mjekëve Shqiptarë në Gjermani iu bashkua një emër i njohur shqiptar në mjekësinë amerikane, Dr. Gani Abazi, ekspert i shëndetit publik në Universitetin e Harvardit në USA. Anëtar nderi, Dr.Abazi gjithashtu do të jetë i këshilltar i jashtëm i shoqatës nga USA. Duke ofruar asistencën e tij në këtë periudhë të vështirë të krijuar nga virusi Covid-19, ai tha se bashkërisht mund të kontribuojmë në edukimin shëndetësor të popullatës sonë, në projekte që i ndihmojnë gjeneratat e reja të mjekëve, dhe në projekte mjekësore nga Amerika dhe Gjermania, programe edukative dhe në vizita profesionale për pacientët tanë në Kosovë, Shqipëri dhe në vende të tjera të Evropës Juglindore ku jetojnë shqiptarët.

Dr. Dorian Bardhi nga Roma

Një tjetër epidemiolog iu bashkua shoqatës sonë, Dr. Dorian Bardhi i cili që punon në Institutin Kombëtar të Sëmundjeve Infektive Lazzaro Spallanzani, Romë. Përtej punës si mjek ai i vuri në dispozicion Shoqatës së Mjekëve Shqiptarë në Gjermani raportet ditore në lidhje me përhapjen, numrat e infektimeve, masat e marra në Itali dhe përtej. Raportet u përkthyen në gjuhën shqipe nga një grup pune prej disa mjekësh dhe u vunë në dispozicion të kolegëve por edhe qytetarëve që dëshirojnë të kenë më shumë informacione të sakta dhe të besueshme në lidhje me koronën.

Shoqata e Mjekëve Shqiptarë në Gjermani

Shoqata e mjekëve shqiptarë në Gjermani është themeluar zyrtarisht në datën 16 shkurt 2020. Në statut, ndër të tjera theksohet se kemi të bëjmë me një shoqatë jo-fitimprurëse, e depolitizuar, e cila nuk ndjek qëllimet politike të asnjë forcë politike si brenda dhe jashtë vendit, dhe e hapur ndaj të gjithë atyre që respektojnë statutin dhe qëllimet e saj, pavarësisht profesionit ose origjinës. Qëllimi dhe synimi kryesor i kësaj shoqate është të krijojë një platformë bashkëpunimi dhe ndihme të ndërsjelltë për të gjithë mjekët shqipfolës duke vënë në funksion të mjekëve që duan të punojnë në Gjermani përvojën tonë; duke lehtësuar integrimin e tyre përmes shkëmbimit të informacionit dhe eksperiencës.

Të krijojmë mundësinë për ta bërë sa më të lehtë për të kuptuar se si funksionon sistemi i siguracioneve në Gjermani. Në një fazë të mëvonshme, atëherë kur mjekët kanë kaluar vështirësitë e fillimit, përmes një data baze, netëorking, synojmë të shkëmbejmë informacionet shkencore për të rritur profesionalizmin e çdo mjeku përmes organizimit të takimeve, simpozium ose kongrese. Gjithashtu me shumë rëndësi është edhe krijimi i një netëorku me të gjithë mjekët shqiptarë kudo që janë në mbarë botën për të patur mundësi që të shkëmbejmë eksperiencat tona dhe të marrim pjesë në projekte të përbashkëta. Gjithashtu, ne synojmë të krijojmë ura bashkëpunuese me sistemet shëndetësore në Shqipëri, Kosovë, Maqedoninë e Veriut; bashkëpunim me dhomat e mjekëve në shtetet përkatëse dhe dhënien e ndihmës konkrete në vendet tona të origjinës.

Nga ana organizative, shoqata përbëhet nga Kryesia, Komisioni Mbikqyrës dhe Grupet e Punës, të barabartë në instancat drejtuese të shoqatës. Kryesia aktuale përbëhet si më poshtë: Dr. Marsela Ceno, kryetare e shoqatës, Dr. Ardian Mustafai, mjek primar kardiolog në Berlin, i lindur në Tetovë. Dr.Ali Hajdari,  nënkryetari i parë i shoqatës, mjek primar kardiolog në Thüringen, i lindur në Drenas. Është emëruar në pozicionin e nënkryetarit të dytë Dr. Gjergji Merja, mjek specializant në neurologji dhe kardiologji në Nordrhein-Ëestphalen, i lindur në Tiranë, sekretar i thesarit. Komisioni mbikqyrës ka të drejta këshilluese dhe mbikqyr mbarëvajtjen si nga ana statutuore ashtu edhe financiare. Për çështjet statutuore komisioni drejtohet nga Dr.Valon M. Baraliu, mjek primar neurokirurg në Freiburg (nga Kosova) dhe Dr. Labinot Marku, mjek primar neurokirurg në Hannover (nga Dibra e Madhe) dhe për cështjet financiare përgjegjëse është Dr. Angjelina Karamani, e lindur në Durrës, specialiste për mjekësi interne në Düsseldorf.

Kush është Dr. Marsela Ceno

Dr. Marsela Ceno ka lindur në Korçë në datën 10.11.1985. Pas përfundimit të studimeve të larta për mjekësi të përgjithshme në verën e 2010 në Fakultetin e Mjekësisë në Tiranë, i drejtohet Gjermanisë ashtu sikurse edhe dhjetra mjekë të tjerë të sapodiplomuar me shpresën për të filluar specializimin në fushën e kirurgjisë. Në maj të 2012 fillon praktikën 6 mujore në spitalin Klinikum Mittelbaden Rastatt. Gjatë kësaj periudhe 6 mujore jep me sukses provimin e gjuhës gjermane niveli C1 dhe provimin e njëhsimit të diplomës duke marrë kështu aprobacionin dhe njëkohësisht të drejtën për të ushtruar profesionin e mjekut në Gjermani. Në janar 2013 fillon specializimin për kirurgji të përgjithshme dhe viscerale, specializim që u përfundua në nëntor të 2019 në spitalin Klinikum Mittelbaden Baden-Baden. Gjatë periudhës së specializimit përfundoi doktoraturën në Universitetin e Ulmit dhe mori pjesë në shumë kongrese si brenda dhe jashtë Gjermanisë. Ajo ka fituar çmimin për posterin më të mirë në kongresin vjetor të kirurgjisë në Esslingen, Gjermani në tetor 2016 dhe çmimin ndërkombëtar Bassin për referimin më të mirë në kongresin e 13 të Asia Pacific Hernia Society në Kaohsiung, Taiëan në shtator 2017. Dr. Ceno është anëtare e Europian dhe America Hernia Society dhe merr pjesë rregullisht në kongrese me punime shkencore.

*Intervistë ekskluzive për gazetën Dielli në New York e Dr. Marsela Ceno, drejtuese e Shoqatës së Mjekëve Shqiptarë në Gjermani, dhënë gazetarit Sokol Paja.

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES

Most Popular