BallinaAktualitetVIDEO/Revoltë në Teatrin "Migjeni": Në shpirtin tonë kanë shembur atë kishë e...

VIDEO/Revoltë në Teatrin “Migjeni”: Në shpirtin tonë kanë shembur atë kishë e xhami ku ne shkojmë e falena!

Teatri Migjeni i Shkodrës është ngritur në këmbë sot për të protestuar ndaj shembjes së godinës historike të Teatrit Kombëtar. Artistët e”Migjenit” me pankarta në duart, “Unë jam Teatri” dhe “Poshtë diktatura”, duke respektuar distancën nga njeri tjetrit kanë shprehur revoltën e tyre në mbështetje të kauzës për Teatrin.

Një prej aktoreve më të vjetra, Rita Gjeka, u shpreh para mediave:

“Jena zemërua jo vetëm ne, por thikën pas shpine na e ka ngul vetëm ne. Një komb pa Teatër është i destinum me qënë një komb i shkelur. Jo se nuk kena kenë komb i shkelur, se na shkelin të drejtat përditë, një ditë shemb Teatrin, një ditë rrah fëmijët dhe na vazhdojmë me duru…E paskena pas lëkurën shumë të fortë.

Mua më vjen keq shumë për një gja: Trupa e Teatrit Migjeni është moshë tashmë shumë e re dhe ka nevojë për shpresë. Unë që jam më e vjetra prej tyne, çfarë shprese mundem me i dhanë kësaj rinie? Ç’ka mundem unë me I thanë kësaj rinie? Si mundem unë me i thanë dhe i ba këta të rinj me ardh dhe me punua në Teatrin Migjeni?!

Unë i kam vu shpatullat kësaj pune prej dashnisë. Por që vritet edhe dashnia siç ka bërë ai mbrëmë…Unë këtë nuk e kam menduar kurrë. Unë gjithnjë kam thanë janë fjala, fjalë, fjalë, por se bëhen vepra prej një artistit, nje vepër e tillë, vetëm ai moment që më del dhe në andërr, ai moment i shembjes…Këta e kanë forcën dhe vullnetin me I shemb dhe kishat e xhamiat, se në fund të shpirtit tonë kanë shembur një kishë dhe një xhami ku ne shkojmë e falena. “

Godina e Teatrit Kombëtar në Tiranë u shemb në orën 4:30 të dielës me mbështetjen e qindra forcave të Policisë, që larguan me forcë prej aty aktivistët e Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit.

© SYRI.net

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES

Most Popular