Pjesëmarrja në zgjedhje, Basha: Nuk ka grup kriminal dhe alibi që shpëtin Edi Ramën dhe bandën e tij nga largimi
Pyetje: Ju do të kërkoni deri në fund qeveri tranzitore, por më thatë se edhe nëse nuk realizohet një qeveri tranzitore ju prapë do të jeni të gatshëm për zgjedhje?
Lulzim Basha: Ne nuk kemi në dorë asgjë më shumë se sa të shfaqim vullnetin tonë politik për t’i dhënë shqiptarëve dhe Shqipërisë zgjedhje të lira e të ndershme. Përballë kemi një njeri dhe një grup njerëzish të cilët e kanë jetike të mbrojnë krimet, korrupsionin, dështimet e tyre gjatë këtyre viteve. Pjesë e kësaj është sabotimi i reformës zgjedhore, të cilën u përpoqën ta sabotonin me akte të ndryshme, i fundit ishte ai te Teatri, është sabotimi dhe kapja e reformës në drejtësi. Këto janë akte të përkohshme, sepse shumë shpejt dita do të vijë kur kjo qeveri që tashmë i ka ditët e numëruara, do të përballet me vullnetin popullor dhe nuk do të ketë asnjë forcë, asnjë kriminel, asnjë grup kriminal të përsërisë atë që ndodhi në vitin 2017-të.
Pyetje: Zoti Basha keni 48 orë deri në përmbylljen e reformës zgjedhore, çfarë janë të pa negociueshme për ju? Kush janë pikat që nuk tolerohen?
Lulzim Basha: Shiko, asnjë pikë nuk ka kuptim në qoftë se nuk ka vullnet për ta zbatuar atë. Kështu që fillim e mbarim pika më e rëndësishme është: do të ketë apo nuk do të ketë qeveri pa Edi Ramën kryeministër. Në qoftë se nuk ka qeveri pa Edi Ramën kryeministër të tjerat janë pesë me hiç, por ne jemi aty për të bërë detyrën tonë që, të paktën, kuadri ligjor nesër, nën qeverisjen tonë, nën drejtimin tim, mos të kenë gojë dhe të thonë shikoni…
Pyetje: Pra ju po shprehni vullnetin për të zgjidhur diçka, por edhe po nuk u zgjidh jeni gati për betejë thoni dhe nuk tërhiqeni nga asgjë?
Lulzim Basha: Pa diskutim, nuk ka grup kriminal, nuk ka alibi, nuk ka shkatërrim të procesit të reformës zgjedhore që shpëton Edi Ramën dhe bandën e tij nga largimi.
Pyetje: Ka pasur mjaft komente sipas të cilave opozita nuk duhet të hyjë në zgjedhje, sepse vetëm legjitimon një sistem që drejtohet nga Edi Rama. A ka diskutim që opozita të mos hyjë në zgjedhje ose të tërhiqet nga zgjedhjet siç veproi me daljen nga parlamenti dhe në mos paraqitjen në zgjedhjet lokale?
Lulzim Basha: Opozita po ndërton bashkë me qytetarët, bashkë me grupet e interesit që nga Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit tek fermerët, tek biznesi, tek të papunët, tek rinia e studentët, tek profesorët e universiteteve, aleancën më të madhe që ka njohur Shqipëria në këto 30 vite për t’u përballur dhe për të fituar mbi këtë minorancë.
Pyetje: Aleancë për zgjedhje apo aleancë për muhabet?
Lulzim Basha: Aleancë për interesin publik që, padiskutim do të marrë formës përmes shprehjes së vullnetit të shqiptarëve në zgjedhjet e ardhshme
Pyetje: Kjo do të thotë që opozita do të dalë në zgjedhje në të gjitha rrethanat?
Lulzim Basha: Kjo do të thotë që çdokush do të gjejë veten tek program ynë, tek alternativa jonë, tek programi jonë për ta shpëuar vendin nga kjo e keqe. Çdo ditë më shumë me Edi Ramën është një ditë me e keqe, një familje më shumë zhytet në varfëri, një biznes mbyllet, një kompani nxjerr më shumë të papunë, një student largohet në emigracion. Kësaj duhet ti japim fund një orë e më parë. Ne kemi planin, unë kam vizionin, kam planin, kam vendosmërinë, kam ambicien, kam përvojën për ta drejtuar këtë betejë dhe ajo që shoh në këto takime është që të gjithë po thonë: “Rama duhet të largohet një orë e më parë. Ti je shpresa jonë, na mblidh, na bashko të shkojmë drejt ndryshimit që mezi po e pret çdo shqiptar”. Dhe kjo, po ta them me sinqeritetin më të madh, pa fije propagandë, përfshin shumë njerëz të cilët e cilësojnë veten e tyre si të majtë apo si socialist.