Dy raste pozitivë me koronavirus janë zbuluar së fundmi te spitali “Shefqet Ndroqi”, teksa ky i fundit iu rikthye normalitetit, pasi prej javësh funksionoi si spital Covid.
ABC News mëson se një rast është një 80-vjeçare, e cila fillimisht ka qenë e shtruar në pavionin e sëmundjeve të brendshme në QSUT. Nga spitali, ajo ka shkuar në shtëpi. Ndërkohë pas 17 ditësh në shtëpi, e moshuara ka shfaqur kompikacione në mushkëri dhe është dërguar në Sanatorium, teksa ky i fundit u hap dhe nuk është më spital Covid.
80-vjeçarja ka ndërruar jetë ditën e djeshme. Mirëpo, teksa ishte e shtruar në Sanatorium, të moshuarës i është marrë tamponi dhe ka rezultuar pozitive me Covid-19. E moshuara është konfirmuar e infektuar nga virusi pasi kishte ndërruar jetë.
Ndërkohë, rasti tjetër në Senatorium është një pacient nga Librazhdi. Pasi i është bërë tamponi dhe ka dalë pozitiv, ai është transportuar te Infektivi.
Kujtojmë se ditën e sotme ISHP konfirmoi 23 raste të reja me koronavirus gjatë 24 orëve të fundit në vend.