BallinaBotaPrapaskenat/“WSJ”: Shkopi dhe karrota që Trump po i tregon Kosovës dhe Serbisë

Prapaskenat/“WSJ”: Shkopi dhe karrota që Trump po i tregon Kosovës dhe Serbisë

Presidenti Trump ka ftuar në Shtëpinë e Bardhë liderët e dy vendeve të Ballkanit në konflikt në një tentativë për të negociuar një zgjidhje të një mosmarrëveshjeje dhjetëra-vjeçare e cila ka provokuar edhe një ndërhyrje ushtarake të SHBA-ve në rajon.

Sipas zyrtarëve të lartë amerikanë, pavarësisht krizës së dyfishtë të revoltave që kanë përfshirë vendin dhe përhapjes së koronavirusit, Trump shpreson që arrijë një traktat paqeje formale jetëgjatë në një rajon që ka qenë një “vatër e nxehtë” e rivaliteteve të superfuqive, për të përmirësuar kredencialet e politikës së tij të jashtme.

Por rifillimi i dialogut mes Kosovës të përkrahur nga SHBA-ja, dhe Serbisë një aleate e Rusisë, ka hapur menjëherë debate në Europë, ku diplomatët frikësohen se BE-ja po anashkalohet në oborrin e saj të pasmë.

Serbia ka konfirmuar se e ka marrë ftesën për një takim në Uashington më 27 qershor.

Kryeministri i shkarkuar i Kosovës (Albin Kurti) ka akuzuar të Dërguarin Special, Richard Grenell, i cili edhe do të koordinojë takimin në Shtëpinë e Bardhë, për orkestrimin e një “grushti shteti” ndaj tij, akuza që Grenell i mohon. Disa liderë europianë thonë se marrëveshja potenciale krijon një precedent të rrezikshëm për shkak se mund të përfshijë shkëmbim të territoreve.

Kryeministri i ri i Kosovës, Avdullah Hoti, i cili mori detyrën më 3 qershor, tha për WSJ se qeveria e tij “mezi po pret të hyjë në negociata nën patronazhin e SHBA-ve”.

Lufta përfundoi më 1999, por gjatë dy dekadave të kaluara ka pasur raste sporadike dhune që kanë provokuar viktima në të dyja anët si dhe të paqeruajtësve në vend.

Sipas një zyrtari të lartë amerikan, Trump u interesua personalisht vitin e kaluar për këtë çështje, pasi liderët nga të dyja vendet iu afruan administratës. Zyrtarët e administratës së Trump besojnë se zgjidhja e kësaj mosmarrëveshjeje të gjatë do ta ndihmonte atë në një kohë që bisedimet me Korenë e Veriut dhe presionet ndaj Iranit deri më tani kanë dhënë rezultate të kufizuara.

Me gjithë “fërkimet” midis Evropës dhe SHBA-ve për presionin e administratës Trump, një rezultat i suksesshëm do të zgjeronte ndikimin e Perëndimit në Ballkan, ku Kina dhe Rusia po konkurrojnë në mënyrë agresive, veçanërisht që nga fillimi i pandemisë.

Grenell thotë se presidentët dhe kryeministrat e dy ish-vendeve Jugosllave janë ftuar të udhëtojnë në Uashington për samitin, i cili mund të njoftojë përparim të rëndësishëm drejt një marrëveshjeje.

“Siç kemi thënë vazhdimisht, ne së pari duhet të bëjmë përparim në rritjen e ekonomive. Ky është fokusi ynë”, – shkroi Grenell në Twitter.

“Administrata Trump po shtyn për një marrëveshje që përfshin “karotën” deri në 200 milionë dollarë në kredi amerikane me kushte preferenciale dhe “shkopin” e tërheqjes së trupave amerikane nga rajoni”, – thonë zyrtarë të lartë të SHBA-ve.

Këshilltari për Sigurinë Kombëtare i Trump, Robert O’Brien, tha se një kusht kryesor për mbështetjen e SHBA-së ishte që Kosova të hiqte një tarifë të lartë për importet serbe.

O’Brien tha se SHBA u kishte thënë të dyja palëve se “nuk jemi në gjendje të ndihmojmë nëse palët dëmtojnë ekonomitë e tyre përmes zbatimit të barrierave tregtare, përfshirë tarifat”.

Lëvizja diplomatike amerikane është mbështetur me entuziazëm në Beograd, kryeqytetin serb dhe Prishtinë, kryeqytetin e Kosovës.

“Unë jam plotësisht i bindur se SHBA-të dhe udhëheqja e presidentit Trump do të na ndihmojnë të arrijmë një marrëveshje”, – tha Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi. Ai tha se beson në synimet e homologut të tij serb për të nënshkruar një marrëveshje.

Kryeministrja serbe Ana Brnabic tha se Trump kishte injektuar shpresë të re për një zgjidhje. “Kjo është një çështje me rëndësi thelbësore dhe strategjike dhe ne mezi presim të vazhdojmë dialogun,” – tha znj. Brnabic.

Mosmarrëveshja midis Serbisë dhe Kosovës, dikur një provincë serbe, filloi pas shpërbërjes së Jugosllavisë në 1991. Në 1999, Organizata e Traktatit të Atlantikut të Veriut filloi një fushatë bombardimesh kundër Serbisë për të ndaluar atë që vendet perëndimore e quanin spastrim etnik kundër shqiptarëve kryesisht myslimanë të Kosovës.

Kosova njihet nga mbi 100 vende, përfshirë SHBA, por nuk është në gjendje të anëtarësohet në organizata ndërkombëtare, siç janë Kombet e Bashkuara, sepse Serbia – e mbështetur nga Rusia dhe Kina – e kundërshtojnë deklaratën e saj të pavarësisë.

Z. Grenell tha se Serbia, si pjesë e nismës amerikane, ra dakord të ndalonte përpjekjet për të bindur vendet dhe organizatat që të kthejnë vendimet e tyre për të njohur pavarësinë e Kosovës.

Kryeministri i rrëzuar i Kosovës, Albin Kurti, u tha gazetarëve në mars se Grenell i kishte bërë presion që të binte dakord për një marrëveshje me Serbinë që përfshinte shkëmbimin e territoreve. Kurti, qeveria e të cilit mbaroi me një votim mosbesimi në parlamentin e vendit më 25 mars, gjithashtu kërcënoi qeverinë e re të Kosovës me trazira nëse zgjedhjet e reja nuk thirren për të zgjedhur një qeveri të re. Kurti qëndroi si kryeministër i përkohshëm deri më 3 qershor, kur Gjykata Kushtetuese tha që kryeministri i ri ishte emëruar sipas ligjit dhe se zgjedhjet nuk ishin të nevojshme.

Grenell i mohoi pretendimet e Kurtit se ai kishte nxitur një grusht shteti dhe tha se kurrë nuk kishte diskutuar për shkëmbim territoresh me asnjë nga palët. Ai tha se përparësia e administratës Trump është zhvillimi ekonomik.

“Ne mendojmë se çështjet politike do të jenë më të lehta për t’u zgjidhur pasi komuniteti i biznesit të lejohet të rritet në rajon,” – tha Grenell.

Teksa Evropa dhe SHBA-të kanë punuar tradicionalisht si partnerë në Ballkan, kjo aleancë gradualisht është shpërbërë vitet e fundit. Gjermania ka udhëhequr kundërshtimin evropian ndaj shkëmbimit të territoreve në Ballkan, nga frika se kjo mund të nxiste një valë pretendimesh territoriale në një rajon të formuar nga lufta përgjatë viteve 1990.

Muajin e kaluar, Franca dhe Gjermania u bënë thirrje të dyja palëve të rifillojnë bisedimet nën kujdesin e BE-së. Duke iu referuar me elegancë shtysës së administratës Trump, ministrat e jashtëm të dy fuqive më të mëdha të Evropës thanë se një përpjekje e mirëfilltë paqësore kërkonte “negociata të strukturuara mirë, të thella, me BE-në si një ndërmjetës të ndershëm”. Zyrtarët evropianë janë dyshues se oferta ekonomike e Uashingtonit mund të zgjidhë çështjen kryesore e cila është politike, njohja e Kosovës nga Serbi.

Nuk ka ende asnjë koment të menjëhershëm nga BE për lajmet e fundit.

Thaçi tha se Kosova ishte e vendosur për t’u anëtarësuar në BE, por ai shtoi se blloku ka bërë pak për të lehtësuar dialogun me Serbinë ose për të ofruar perspektivat e anëtarësimit në rajon.

“Unë dua që BE të bëjë veprime konkrete dhe të mos bëjë premtime boshe dhe të na japë leksione”, tha Thaçi. ©Përshtati nga Wall Street Journal. Lapsi.al

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES

Most Popular