BallinaAktualitetISP: Me vonese 8 muaj, Ministria e Drejtësisë miraton aktet nenligjore

ISP: Me vonese 8 muaj, Ministria e Drejtësisë miraton aktet nenligjore

Ministria e Drejtësisë e ka në emërtim fjalën “drejtësi” dhe pritshmëria është që ajo të jetë institucioni ekzekutiv më korrekt në zbatimin e ligjit. Kjo, sidomos kur vetë Ministria e Drejtësisë inicion ligje, të cilat i ngarkojnë asaj përgjegjësi e detyra. Një rast tipik është ligji 110/2018 “Për noterinë” miratuar në dhjetor 2018 dhe hyrë në fuqi në janar 2019. Sipas nenit 143 të gjitha aktet nënligjore do të duhej të miratoheshin brenda 9 muajsh, pra brenda muajit shtator 2019, ndërkohë që disa prej akteve nënligjore kishin afat edhe më të shkurtër, 3, 4, ose 6 mujor. Aktualisht jemi në qershor 2020, pra rreth 8-9 muaj nga periudha brenda të cilës, Ministria e Drejtësisë duhej të miratonte aktet nënligjore në funksion të ligjit 110/2018. Ligji pa aktet nënligjore është i pazbatueshëm ndaj miratimi i tyre shënon de facto edhe fillimin e zbatimit real e integral të ligjit. Në fakt, Ministria e Drejtësisë nuk i ka miratuar aktet nënligjore brenda detyrimit ligjor prej 9 muajsh, as brenda vitit dhe vetëm më 17 qershor 2020 në Fletoren Zyrtare janë publikuar pjesa më e madhe e tyre. Në krahasim me disa raste të tjera më shqetësuese ku nxjerrja e akteve nënligjore vonohet në 3-5 vite, ky duhet konsideruar lajm i mirë!

Sipas ekspertëve të ISP, teoria se 6-10 muaj vonesë nuk prishin punë përveçse argument e alibi e dobët, përbën edhe shkelje ligjore nga përgjegjësia e institucionit në raport me ligjin 110/2018, në raport me matricën ligjore të miratuar për vitin 2020 dhe në raport me ligjin për organizimin dhe funksionimin e KM të vitit 2003. Dhe kur ka shkelje ligjore, sidomos nga Ministria e Drejtësisë dhe sidomos për sektorë si noteria që ka 1000 probleme për të zgjidhur, shqetësimi bëhet më i madh për ligjin, shtetin dhe qytetarin.

Instituti i Studimeve Politike (ISP) është duke monitoruar nxjerrjen e akteve nënligjore dhe impaktin e mungesës apo vonesës së tyre. Gjetjet tona janë vazhdimisht publike dhe qëllimi është nxitja e institucioneve të respektojnë ligjin dhe detyrimet prej tij, pra ligjet që miratohen të bëhen të zbatueshme. Një nga sugjerimet e ISP është që Kuvendi të miratojë ligjet vetëm kur ato shoqërohen në komisione edhe me draftet e akteve nënligjore, pra kur të krijohet bindja që ligji do të zbatohet apo që Kuvendi e Qeveria të krijojnë një database publike të detyrimeve të tyre në afate për nxjerrjen e akteve nënligjore. Nëse njëri ose të dy këto rekomandime do të merren në konsideratë, ligjet do të bëheshin të zbatueshme, hapësira për abuzim e korrupsion do zvogëlohej, impakti për shtetin e shoqërinë do të ishte pozitiv, – një nevojë e madhe për një vend që synon procesin integrues dhe rritjen e standardeve të shtetit të së drejtës.

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES

Most Popular