Kryetari i opozitës, Lulzim Basha ishte sot në Golem ku ka folur me sipërmarrësit e turizmit dhe krizën që ka pushtuar këtë sektor prej pandemisë së COVID-19.
Gjatë takimit me operatoret turistik, këta të fundit i shprehen Bashës se janë në vështirësi të mëdha financiare, pasi strukturat hoteliere janë bosh dhe nuk ka pushues. “Na falimentoi komplet. S’kemi as para për të paguar punonjësit për rroga. Shpresojmë dhe presim që të hapet dhe rruga e turistëve. Është futur frikë e madhe për pandeminë”- tha Kujtim Roçi, pronari i një hoteli në Golem.
Gjatë fjalës së tij, kreu i opozitës është shprehur se: “Dhoma Amerikane e Tregtisë AmCham, publikoi rezultatet e përvitshme të anketës të vitit 2019, e cila siç e tha presidenti i kësaj dhome, siç e theksoi edhe ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, është më i keqi nga 8 vite, ekonomia është në krizën më të thellë në 8 vite. Pra, kjo nuk është një situatë që na erdhi thjesht nga COVID-i apo, në rastin e Golemit, nga tërmeti. Është një situatë në vazhdimësi që ka shkuar keq e më keq, por tani me të vërtetë ka prekur fundin. Pikërisht në këtë moment, kur duhet dora e shtetit, në këtë moment duhet dora e qeverisë, qeveria është fshehur, qeveria është në arrati. Qeveria e ka braktisur detyrën e vet, ka braktisur misionin e vet, ka braktisur sipërmarrjen, ka braktisur turizmin”.
Më tej kreu i opozitës, qeverisa aktuale po e ndjen largimi dhe ka filluar të firmosë leje zhvillimore, të cilat sipas Bashës po shkatërrojnë bregdetin duke ia dhëne klientëve të vet.
Lulzim Basha i ka bërë të ditur qytetarëve dhe bizneseve se qeveria e tij nuk do të njohë asnjë nga lejet apo koncesionet që do firmosen nga Qeveria Rama 12 muaj para datës së zgjedhjeve.
“Jo vetëm kaq, por duke parandiere largimin, kanë nisur të firmosin kuturu lloj-lloj lejesh zhvillimore, duke shkatërruar bregdetin, duke u dhënë klientëve të vet leje mbi leje dhe leja të reja.
Përfitoj nga rasti këtu në Golem t’u bëj të ditur qytetarëve shqiptarë se asnjë prej vendimeve të marra 12 muaj para zgjedhjeve të ardhshme parlamentare, kurdo që të jenë ato, nuk do të njihet nga qeveria ime pa iu nënshtruar një procesi transparent për të parë ligjshmërinë e vendimeve të marra.
Ndaj i bëj thirrje çdo biznesmeni apo më keq sekseri dhe pseudo biznesmenëve, të mos gënjejnë njerëzit kot, të mos ushqejnë ëndrrat që ushqehen sa herë vjen tranzicioni, sa herë që vjen rotacioni i pushtetit të një qeverie në ikje “t’kapim çfarë t’kapim”, sepse çdo vendim i marrë 12 muaj para zgjedhjeve parlamentare, qoftë vendim qeverie qoftë, vendim i Këshillit të Rregullimit të Territorit, si ato që kaluan në 2-javëshin e parë të qershorit, qoftë vendimet e parlamentit apo të pseudo-parlamentit, do t’i nënshtrohen një rishikimi të plotë transparent, për të parë ligjshmërinë dhe për të parë përputhjen me interesin publik.
Është emergjencë që paratë e shqiptarëve të shkojnë vetëm tek shqiptarët. Industria e turizmit sot përbën 26% të ekonomisë shqiptare. 26% do të thotë qindra-mijëra shqiptarë, që nuk do të kenë dot bukën e gojës për fëmijët e tyre, nuk do të kenë dot pagat minimale për fëmijët e tyre, sepse, në vend që të mbështetet kjo industri me masa me lehtësime, vazhdojnë t’i rëndojnë e të mos u japin asnjë subvencion.
Problemi tjetër është që ndërkohë që nuk kujtohen t’u japin mbështetje, faturat, taksat, tatimet kërcasin si normalisht, njësoj sikur të jeni në aktivitet të plotë.
Mesazhi që kam nga Golemi, miqtë e mi, është që ky është një vend i bekuar nga natyra, është një vend i bekuar nga njerëzit punëtorë, por është një vend i mallkuar nga ata që kemi në krye. Ndaj, një orë e më parë duhet ndryshim. Një ndryshim real dhe i prekshëm jo thjesht një rotacion karrigesh, por një qeveri që mendon për ju, një qeveri që mendon për ekonominë, një qeveri që mendon për vendet e punës dhe jo një qeveri që mendon vetëm për veten e vet dhe për një grusht oligarkësh.
Ky është zotimi ynë kryesor, ky është zotimi ynë i parë. Ta kthejmë qeverisjen tek njerëzit, ta kthejmë vëmendjen tek njerëzit, ta kthejmë vëmendjen tek ekonomia dhe paratë e taksapaguesve shqiptarë, paratë e sipërmarrjes shqiptare, që mbushin arkën e shtetit, sot me shumë se kurrë, duhet të shkojnë tek sipërmarrja, duhet të shkojnë tek xhepat e boshatisur të konsumatorëve shqiptarë.
Ju përshëndes edhe njëherë nga kjo pamje e mrekullueshme këtu buzë detit, në Golem, me një plazh tejet të boshatisur dhe me shpresën që kjo kohë e vështirë, së shpejti, do të marrë fund me bashkimin e vullneteve të mira e të gjithë njerëzve punëtorë të këtij vendi”, ka thënë Basha.