Neritan Ceka i përket PD-së historike, por që e mbush me besim edhe partia që drejton sot Lulzim Basha. Ish- themeluesi i PD-së thotë për “Gazeta Shqiptare” se PD-ja ka sjelljen e një partie të tipit europian dhe se Lulzim Basha është një lider në ngjitje, me cilësi intelektuale dhe njerëzore të një politikani europian të klasës së lartë. Por, Neritan Ceka, i cili e njeh PD-në që në gjenezë, e këshillon Bashën që të bëhet ai, mjeti i PD-së dhe jo PD-ja mjeti i tij. Z.Ceka flet për procesin e brendshëm të demokratëve, lëvizjet aktuale politike dhe zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Kur bëhet fjalë për mundësinë e rikthimit të ish-larguarve nga kjo parti, z.Ceka përmend se, “PD-ja është një parti historike, por jo muze”. Ai komenton edhe reformën e re elektorale, listat e hapura dhe mundësinë e koalicioneve parazgjedhore. Rotacionin politik e sheh të mundshëm ndërsa, kryeministrin Edi Rama e akuzon se po “restauron” regjimin, që shqiptarët e përmbysën 30 vite më parë.
Z.Ceka, ju jeni bashkëthemelues i PD-së, por aktualisht nuk jeni më anëtar i saj. A ju mbush sot me besim PD-ja e Lulzim Bashës?
Jam larguar nga PD-ja që në vitin 1992, kur e kuptova që ajo po shkiste drejt ekstremizmit dhe po pushtohej nga oportunistët dhe servilët. Atëherë pjesa intelektuale e PD-së, me Gramoz Pashkon, Arben Imamin, Preç Zogajn, Arben Demetin, Shahin Kadarene, Teodor Kekon, Perikli Tetën etj. themeluan Aleancën Demokratike, që ka luajtur një rol të madh në rivendosjen e demokracisë në vitin 1997, por edhe për një kulturë të re politike të natyrës liberal- demokrate. Në vitin 2013, kur u emërova ambasador në Romë, dhashë dorëheqjen nga ajo parti dhe nga angazhimet politike në përgjithësi. Ky është pozicioni që kam edhe sot dhe të cilin nuk kam ndërmend ta ndryshoj. Natyrisht që asnjëherë nuk jam shkëputur shpirtërisht nga PD-ja e vitit 1991, sepse është një ngjarje, që njeriu e përjeton vetëm një herë në jetë. Ishin kohë historike, siç i quan Rexhep Qosja dhe t’i kesh përjetuar si protagonist është diçka që ruhet bashkë me emocionet e ngjarjeve të mëdha. Kjo më krijon edhe një detyrim moral ndaj asaj partie, edhe për ta gjykuar më thellë e sinqerisht, se sa një zgjedhës, apo fans i zakonshëm. Shumë gazetarë dhe analistë e gjykojnë pozitën e sotme të Partisë Demokratike si jo shumë solide, ashtu siç gjykojnë edhe Lulzim Bashën. Unë kam pasur gjithmonë një mendim të kundërt, sepse për mua, masa e gjykimit të një partie nuk është zhurma dhe rrëmujat që ajo krijon, por qartësia politike dhe programi bashkëkohor.
…dhe në ç’mënyrë e “gjykoni” ju Partinë Demokratike?
Në veprimtarinë e saj politike në parlament, si dhe në kohën kur vepron jashtë tij, PD-ja ka sjelljen e një partie të tipit europian, ashtu siç edhe lideri i saj është krejt i qartë në paraqitjen e një programi, që u referohet nevojave më urgjente të vendit, por edhe perspektivës europiane të zhvillimit të tij. Mund të përmend këtu kontrastin e një logjike të fortë politike në rastin e demaskimit të narkoshtetit, korrupsionit politik përmes PPP, demaskimin e transportit të parave të drogës, apo të kostove eksesive në favor të kompanive fantazmë, të propozimeve për taksën e sheshtë, apo për heqjen e taksimit të Rrugës së Kombit. Sa larg janë ato në logjikën europiane nga retorika shakatare e kazanit, tiganit, timonit e filxhanit! Problemi i elektoratit shqiptar është se e ka të vështirë të shkëputet nga imazhi i liderëve politikë të ashtuquajtur karizmatikë, që vijnë pa program, por vetëm me fjalime. Kosova i ka bërë hapat e para në këtë drejtim, sepse Albin Kurti erdhi si një lider programatik, ndërsa kryeministri i sotëm, Abdullah Hoti është qartësisht një burokrat. Unë do të pyesja se për çfarë na duhet dy milionë shqiptarëve që kemi mbetur, kur edhe gjysma kanë bërë valixhet për të ikur, pra çfarë na duhet një lider i superpushtetshëm, me disa qindra-mijë partiakë që paguhen nga taksat e shqiptarëve, që lëviz poshtë e lart me Gardë dhe polici, që shpërndan paratë e taksapaguesve me kapriçio teatrosh e favore PPP? Për këtë arsye, unë nuk jam me një PD të Lulzim Bashës, ashtu siç nuk kam qenë me PD-në e Sali Berishës, të një lideri vizionar, fillikat, që e sheh Shqipërinë si laborator të eksperimentimit të personalitetit e interesave të veta. Por, do të isha me Lulzim Bashën e PD-në, nëse do ta bindë elektoratin se është tipi i një lideri tjetër, i një zyrtari profesionist, që vjen të zbatojë një program të qendrës së djathtë, të një partie mendimi dhe veprimi së bashku me një staf profesionistësh dhe me këmbë në tokë. Pra, nëse bëhet ai mjeti i PD-së dhe jo PD-ja mjeti i tij për të njëjtin pushtet që është tashmë i saturuar.
Si po prezantohet PD-ja dhe lideri i saj përballë shqiptarëve, të cilët duhet të zgjedhin përmes votës, se kush do t’i qeverisë vitin e ardhshëm?
E kam thënë edhe një herë tjetër, që Lulzim Basha është një lider në ngjitje, me cilësi intelektuale dhe njerëzore të një politikani europian të klasës së lartë. Në janar të këtij viti, ai ishte padyshim lideri i sigurt i katërvjeçarit të ardhshëm. Unë kam gjithmonë dyshimin se dy vendime që krijuan zbehjen e këtij imazhi, nuk ishin personale të tij. Me sa e njoh Partinë Demokratike, ajo parti ka një bërthamë të fortë mendimi politik irracional dhe emotiv, që i ka shkaktuar historikisht disa trauma partisë dhe vendit. Ky mendim konkretizohet përmes presioneve të forumeve të larta, por edhe të thashethemnajës që karakterizon forcat e mëdha politike. Përgjithësisht, kjo valë e ka inonduar disa herë natyrën liberal demokrate dhe europiane të PD-së dhe rezultat i saj kanë qenë largimi nga parlamenti dhe bojkotimi i zgjedhjeve vendore. Në politikë është mirë të regjistrosh gabimet, por jo të mbetesh skllav i tyre. Me reformën zgjedhore, PD-ja u kthye përsëri në parlament, ndonëse jashtë mureve të tij dhe shihet qartë që kemi një ekuilibrim të politikës, të paktën në tri pole: PS-PD dhe Presidenti. Nuk duhet nënvlerësuar edhe ajo që quhet opozita e re në lëvizjen e fortë të kartonëve, por edhe karaktereve. Si rrjedhim rotacioni është në mos i sigurt, tepër i mundshëm.