BallinaKryesoreEdi Rama, njeriu që urren zgjedhjet

Edi Rama, njeriu që urren zgjedhjet

Një vëzhgim i gazetës MAPO mbi marrëdhënien problematike e armiqësore që ka Edi Rama me votën e lirë, që prej ditës kur mori drejtimin e Partisë Socialiste, e deri më sot që ndryshoi rregullat e lojës dhe Kushtetutën në mënyrë të njëanshme, duke rrezikuar sërish integrimin e vendit, e duke zgjatur pa fund tranzicionin shqiptar ku demokracia 30-vjeçare ende nuk është në gjendje të garantojë standardin bazik, zgjedhjet e lira e të ndershme

Të enjten që kaloi, Kryeministri Edi Rama kaloi në parlamentin e cunguar në numra dhe legjitimitet, ndryshimet kushtetuese për të favorizuar veten e tij e për të dëmtuar opozitën, 9 muaj përpara zgjedhjeve. Ky veprim vjen në fund të mandatit të dytë të një qeverisjeje shumë të kontestuar, kur shanset e tij për të marrë sërish besimin e qytetarëve janë krejt të pakta. Dhe kjo është tashmë një e vërtetë që thuhet kudo, edhe në ambientet e partisë së tij.

Ajo që ndodhi të enjten në parlament, përkundër të gjitha rekomandimeve e kërkesave të ndërkombëtarëve dhe duke sfiduar hapur opozitën, është në fakt vetëm një nga aktet kundër zgjedhjeve të lira e të ndershme që ka kryer Edi Rama në karrierën e tij. E gjithë rruga që ka ndjekur në politikë është e mbushur me ngjarje e zhvillime të diktuara nga ai që shkojnë ndesh me votën e lirë.

Edi Rama është shfaqur në publik si një njeri problematik me zgjedhjet, si një kundërshtar, armik, rrënues i këtij momenti kyç të demokracisë.

Në gjithë vitet e tij në pushtet apo në opozitë, ai ka treguar se është dikush që i urren sfidat dhe përballjet elektorale. Ose i ka sulmuar, ose i ka demonizuar, ose i ka deformuar e manipuluar ato.
Këtë po bën edhe në fund të pushtetit, duke dëshmuar se e ka pjesë të ADN-së së tij politike.

Origjina

Edi Rama e nisi keq me zgjedhjet që në zanafillë. Kur mori drejtimin e PS në vitin 2005, pasi Fatos Nano u largua me humbjen e pushtetit, pati një deformim spektakolar. Ai ishte mëkati fillestar. Përballë të respektuarit nga socialistët, Rexhep Meidani, ai u fut fillimisht me një platformë në Asamble. Teksa platforma e tij u rrëzua me votë, u gjetën mekanizma të errët për të mos e lidhur atë me Edi Ramën, dhe çuditërisht ai erdhi në krye të PS. Socialistët e refuzuan programin e tij, dhe paradoksalisht e zgjodhën në krye.

Këtu vijnë në ndihmë instrumentet për rregullimin, kapjen e votës për herë të parë në jetën e tij politike. Ai ishte kryetar i Bashkisë së Tiranës. Ilir Meta që e ndiqte nga afër garën dhe e njihte mirë PS-në, edhe pse tashmë në një forcë tjetër, u shpreh se Rama erdhi në drejtim me parimin; një pallat, një votë.

Të gjithë e dinë, se ishte Gramoz Ruçi që luante fijet në prapaskenë. Një lidhje e fuqishme kjo, që i shërben Ramës edhe sot e kësaj dite. Pasi mori Partinë Socialiste, Edi Rama doli në skenën e madhe ku do të sofistikonte më tej marifetet e tij me votën.

Certifikatat

Zgjedhjet lokale të vitit 2007 u shtynë me më shumë se një muaj, për shkak të pretendimeve të Edi Ramës. Ai vuri lloj-lloj kushtesh ndaj Sali Berishës, ku njëri prej tyre ishte vulosja e certifikatave të votuesve, në KQZ. Një kërkesë që u plotësua. Ndërkohë kishte mbarsur opinionin me një gjuhë të helmët duke akuzuar qeverinë si manipulatore e duke kërcënuar me bojkot. Një vendim që edhe e mori, prej të cilit u tërhoq pasi u plotësuan tekat e tij.

Gjithë halli ishte te Bashkia e Tiranës, përmes të cilës ai do të mund të mbante kontrollin në Partinë Socialiste duke joshur e mbajtur pranë vetes aktorët e rëndësishëm.

Humbja e parë

Pas humbjes së zgjedhjeve të vitit 2009, përballë Sali Berishës, Rama bëri gjithçka që ta shmangte normën statutore për zgjedhjet e brendshme në PS. Por e pati të pamundur. Në garë hyri Arben Malaj, por Rama ia doli ta mbajë drejtimin e Partisë. Zgjedhje ato mjaft larg standardeve dhe të influencuara nga pushteti i tij. Ndërkohë kishte realizuar ndryshimet Kushtetuese të 2008-s me Berishën duke forcuar pushtetin e kryetarit, si i vetmi autoritet tashmë që kishte në dorë fatin politik të secilit, pasi ishte ai që caktonte listën e kandidatëve. Pasi u rikonfirmua në krye të PS, Rama nuk vonoi të fuste në parti njerëzit e tij më të besuar nga bashkia dhe Mjaft-i, duke e populluar atë me besnikë të verbër e duke shmangur çdo zë kritik.

2011

Zgjedhjet lokale të vitit 2011 treguan se ai e kishte humbur pëlqimin dhe mbështetjen e Tiranës. Edi Rama u vendos në krye të një fushate të egër për të mos lejuar leximin e votave të hedhur gabim në kuti. Dhe kur KQZ i dha mandatin Lulzim Bashës, ai organizoi një protestë të dhunshme, duke treguar se është gati të sulë njerëzit ndaj institucioneve nëse rezultati nuk i shkon për shtat, nëse vota nuk e nxjerr fitues.

2013, tharmi me krimin

Pas 8 viteve në krye të PS erdhi beteja përcaktuese e të ardhmes së tij politike. Zgjedhjet politike të vitit 2013. Përpos aleancave e bashkimit me LSI, në të vërtetë Edi Rama rekrutoi në gjithë vendin njerëzit më problematikë, familjet e njohura si mafioze, të fortët e zonave, persona me precedentë të theksuar kriminalë. Shumë prej tyre nuk nguroi t’i fuste edhe në sallën më të lartë të vendit, në Parlament apo nëpër bashki. Me këtë, Edi Rama siguroi pushtetin, por në anën tjetër, ai i dha një goditje fatale votës dhe procesit të zgjedhjeve, pasojat e së cilës janë ende reale. Mujsharët, bandat dhe tipat që frikësonin komunitetet apo kundërshtarin politik, u bënë pjesë e shtabeve elektorale dhe prodhues të votave për të.

Një skemë që erdhi duke u konsoliduar e përsosur dhe që i dha Ramës rezultate spektakolare në zgjedhjet vendore të vitit 2015 ku arriti të marrë pjesën dërrmuese të bashkive.

Përmasat e krimit në zgjedhje dolën qartazi në zgjedhjet e pjesshme për Bashkinë Dibër në vitin 2016, një ndodhi që njihet ndryshe si dosja 184. E zbardhur nga BILD, afera dëshmon se si djemtë problematikë sollën një rezultat të ekzagjeruar pro rilindjes në një zonë tradicionalisht të djathtë. Në ato përgjime të prokurorisë, të publikuara nga gazeta gjermane, shfaqet edhe vetë Rama që pyet një birbo lokal atje, nëse plani po realizohet.

Ndalohen zgjedhjet në PS

Edi Rama tashmë e kishte konsoliduar portretin e tij si një politikan autokrat që nuk i lejon zgjedhjet e lira. Në vitin 2016 ai ndaloi zgjedhjet për kryetar të Partisë në PS, duke shpikur një referendum, që e orientoi bazën e militantëve të thoshin jo, të pyetur nëse duhej të kishte garë kur kryetari ishte në pushtet, pra kryeministër, edhe pse Statuti e kërkonte këtë zgjedhje. Kjo e shfryu ambicien e Ben Blushit që ishte shpallur si rival. Botërisht dihej mirë se Edi Rama do ta fitonte betejën me të për fronin e kryetarit, por ndalimi i garës tregoi paranojën dhe marrëdhëniet problematike që ai ka me votën.

Dosja 339

Duke hetuar për një fabrikë droge në Has, pas të dhënave që solli policia gjermane, Prokuroria zbuloi krimin më të famshëm elektoral që ndodhi në zgjedhjet e vitit 2017, ku Edi Rama mori mandatin e dytë si kryeministër. Në mënyrë brutale eksponentët më të lartë të PS, dilnin në kontakte të ngushta me trafikantët e drogës, dhe ndanin me ta punët për bërjen e votave.

Kjo dhunë ndaj votës, është sot një nga kushtet për hapjen zyrtare të negociatave. Edi Rama e shpërfilli dosjen 339 dhe zbulimet e prokurorisë dhe nuk tregoi asnjë vullnet politik për t’u distancuar nga autorët duke dëshmuar në fakt se është bekues dhe autorizues i këtyre manipulimeve.

Zgjedhjet e 2017-s sollën në mënyrë irracionale dhe paradoksale më shumë vota për Edi Ramën, edhe pse ai nuk kishte një bilanc qeverisës. Por dosja 339 dhe kanabizimi masiv i vendit e përdorimi i parave të drogës në zgjedhje, e shpjegojnë triumfin e tij elektoral.

30 qershori

Edi Rama nuk u tërhoq vitin e kaluar nga një habi zgjedhore e pandodhur më parë, dhe u fut në zgjedhjet vendore të 30 qershorit pa kundërshtarë. Opozita në shenjë proteste pas zbulimit të krimit elektoral dhe deformimeve skandaloze të Dibrës dhe Durrësit, u largua nga parlamenti dhe bojkotoi zgjedhjet.

Megjithatë, Rama u fut në garën e çartur. Edhe pse pa kundërshtarë ai prodhoi sërish një proces krejt të parregullt dhe gjetjet e ODIHR janë mahnitëse. Presion ndaj administratës, cenim i fshehtësisë së votës, mosdhënie e mundësisë për qytetarët për të zgjedhur, mungesë e funksionimit të gjyqësorit, e shumë kundërvajtje të tjera.

Ramës iu desh shumë kohë të nxirrte rezultatin në KQZ për shkak se duhej të tregonte se nuk kishte rënë numri i tij i mbështetësve. Dhe ndodhën çudi si ato, ku në jo pak qendra, dolën më shumë vota se votues.

E megjithatë, sërish kryeministri manifestoi një akt kundër garës dhe parimeve e vlerave të ballafaqimit të barabartë, me ndryshimin e njëanshëm të rregullave të lojës dhe të Kushtetutës, të enjten që kaloi. Duke konfirmuar faqe njerëzve dhe gjithë botës, se ai nuk është lëkundur aspak nga vullneti i tij për të mos lejuar zgjedhje të lira e të ndershme, e për të bërë gjithçka ka në dorë për deformimin e verdiktit të qytetarëve.

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES

Most Popular