BallinaKryesoreNga mjekët te pedagogët, kush janë kandidatët e PD, Enriketa Papa: Kemi...

Nga mjekët te pedagogët, kush janë kandidatët e PD, Enriketa Papa: Kemi marrë informacion edhe nga struktura e PD për çdo…

Përpos kandidatëve nga strukturat e partisë në listën me afro 1 mijë emra që ka kaluar në fazën e dytë të procesit të përzgjedhjes, në garë sipas anëtares së Komisionit të Përzgjedhjes, Enriketa Papa, ka edhe mjekë, pedagogë, por nuk mungojnë as gazetarët.

Ndërkohë, në një intervistë për gazetën “Panorama”, Papa shprehet se përpos kritereve formale si arsimi dhe profesioni, Komisioni i Vlerësimit ka vlerësuar edhe influencën në zonë te kandidatët që kanë kaluar fazën e parë. Për këtë, ajo tha se është marrë informacion në zonë për çdo kandidat. Më tej, znj. Papa shpjegon se Komisioni ku ajo bën pjesë ka pasur dy formate për të informuar kandidatët. Një format është për ata kandidatë që duhet të plotësojnë patjetër formularin e vetëdeklarimit për të kaluar në fazën e dytë, ndërsa formati tjetër ka qenë për ata kandidatë, të cilët kanë qenë deputetë ose kryetarë bashkie në 10 vitet e fundit dhe që nuk e kanë detyrim plotësimin e formularit.

Znj. Papa, Komisioni për Vlerësimin e Kandidatëve në PD përfundoi sot fazën e parë të përzgjedhjes, ku nga 3600 emra, u përzgjodhën afërsisht rreth 950 kandidatë. Çfarë kriteresh plotësonin më shumë këta kandidatë sesa ata, të cilëve u është shtyrë shqyrtimi?

Të gjithë kandidatët që kaluan, plotësuan kriteret e përgjithshme të eksperiencës në strukturat partiake, influencës në zonat nga janë propozuar, si dhe kriteret formale të kualifikimeve shkollore dhe profesionale. Në këtë kategori u morën në konsideratë edhe kuotat gjinore, rinore dhe nga shtresa e familjeve të persekutuara nga regjimi komunist.

Disa nga kriteret që ka vlerësuar komisioni në fazën e parë janë arsimi, kontributi në parti në fushata etj. A ka komisioni një formulë se cila nga këto kritere ka më shumë pikë që përbëjnë shumatoren, për ta përzgjedhur për të plotësuar formularin apo jo?

Nuk ka një formulë matematikore, pasi bëhet fjalë për resurse humane. Për secilin emër është diskutuar gjerësisht pas konsultimeve dhe me sekretariatin pranë komisionit dhe strukturave partiake në qarqe.

A ka risi në listën që ka përgatitur komisioni juaj dhe nga çfarë kategorish të shoqërish është e përbërë?

Nga një shumëllojshmëri prurjesh nga strukturat partiake, intelektualë, mjekë, pedagogë, gazetarë apo nga shoqëria civile. Duhet t’ju konfirmoj që strukturat kanë qenë goxha gjeneroze në propozimet që kanë sjellë në qendër. Ndër emrat e propozuar ka goxha potenciale premtuese për një përfaqësim politik serioz dhe tepër dinjitoz për PD-në.

Znj. Papa, ish-deputetët në 10 vitet e fundit dhe ishkryetarët e bashkive përjashtohen nga detyrimi për plotësimin e formularit të vetëdeklarimit. Ndërkohë, kësaj kategorie të kandidatëve, a u ka shkuar njësoj e-maili si edhe atyre që duhet ta plotësojnë formularin?

E-maili që ne si komision u kemi dërguar anëtarëve të kryesisë dhe grupit të deputetëve është i ndryshëm në tekst nga e-maili që iu është dërguar anëtarëve të tjerë të propozuar. Në të theksohet se për fazën e parë mjafton dorëzimi i formularëve nga ata, konform udhëzimit që ka miratuar vetë kryesia e PD dhe se emrat e tyre do të kalojnë në vlerësim për fazën e dytë të shqyrtimit të kandidaturave për përfaqësim politik.

Ndërkohë, në disa qarqe ku njoftimi është dërguar më herët, afati 5-ditor për plotësimin e formularëve ka përfunduar. Nga një vështrim paraprak, a ka firo të kandidatëve, të cilët nuk japin të dhënat për pasurinë, shëndetin mendor etj.?

Ne si komision, ende nuk kemi filluar me fazën e dytë. Ajo fillon të hënën.

Të hënën që vjen fillon faza e dytë e seleksionimit. Nga 950 kandidatë afërsisht, a ka komisioni një përllogaritje të mundshme se sa do të jetë numri që do t’i shkojë sërish bazës për votim?

Do të propozohen numrat e mjaftueshëm për përfaqësues politikë të nivelit qendror dhe lokal, duke marrë në konsideratë numrat e nevojshëm për listat e deputetëve dhe kryetarëve të ardhshëm bashkiakë.

Nëse kandidatët do të duan më shumë kohë për të plotësuar formularin, çfarë ndodh?

Besoj se pavarësisht afatit final të 15 shtatorit, rëndësi nuk ka kjo datë, sesa puna serioze dhe rezultative. Nëse do na nevojitet dhe 1 javë a dy më shumë, nuk e shoh si problem, pasi për ne si komision rëndësi ka cilësia e listës. Por kjo s’do të thotë që nuk do të bëjmë maksimumin për ta përmbyllur këtë proces jashtëzakonisht të rëndësishëm brenda afatit. Jam e kënaqur që faza e parë u mbyll me 25 gusht, sipas afateve që kishim përcaktuar.

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES

Most Popular