BallinaPolitikeNga ndryshimet në qeveri, te zgjedhja e kandidatëve për deputetë, çfarë do...

Nga ndryshimet në qeveri, te zgjedhja e kandidatëve për deputetë, çfarë do të vendosë Asambleja e PS

Kreu i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla, tha dje se ndryshimet e mundshme në qeveri janë kompetencë e Kryeministrit Rama.

“Vlerësim që i takon Kryeministrit, i cili drejton qeverinë”, u shpreh Balla lidhur me ndryshimet në qeveri. Në një prononcim të bërë dje për gazetarët, numri dy në Partinë Socialiste foli për mbledhjen e ardhshme të Asamblesë Kombëtare të PSsë, e cila, për shkak të pandemisë, nuk është mbledhur pas zgjedhjes së saj në Kongresin zgjedhor të muajit shkurt.

“Mbledhja e Asamblesë do të zhvillohet duke respektuar rekomandimet e ekspertëve dhe të Ministrisë së Shëndetësisë, lidhur me pamundësinë e tubimeve të mëdha. Pra, nuk mund të mblidhet si zakonisht në një sallë, por duke shfrytëzuar teknologjinë do gjejmë një mënyrë për ta zhvilluar mbledhjen, duke respektuar normat statutore” u shpreh Balla, ndërsa theksoi se pas konstituimit të Asamblesë do të nisë një proces konsultimi me anëtarësimin e partisë, për kandidatët që do të përfaqësojnë PS-në në zgjedhjet e ardhshme parlamentare.

Asambleja Kombëtare përbëhet nga 350 anëtarë të zgjedhur nga Kongresi i PS, e cila duhet të zgjedhë kupolën e re drejtuese të kësaj partie duke nisur nga kryesia e re, sekretarin e përgjithshëm të partisë; sekretariatin ekzekutiv të partisë; komisionin e zgjedhjeve të partisë, përfshi kryefinancierin dhe Këshillin e Mbikëqyrjes Financiare, bashkë me 2 nënkryetarët dhe sekretarin e Asamblesë Kombëtare.

Mësohet se mbledhja e Asamblesë do të zhvillohet online në javët e para të shtatorit sipas tri rajoneve, siç edhe PS-ja ka organizuar strukturën e saj elektorale, gjatë të cilave do të diskutohet dhe do të votohet për kryesinë e re dhe forumet e reja drejtuese.

KONSULTIMI

Sekretari i përgjithshëm në PS, Taulant Balla, tha dje se përmes komunikimit dixhital do të ketë konsultime me strukturat për kandidatët për deputetë në zgjedhjet e ardhshme.

“PS e ka të përcaktuar qartë axhendën e të gjitha aktiviteteve e proceseve të brendshme demokratike, që lidhen me zgjedhjet që do të zhvillohen pranverën e ardhshme. Që në kongresin e 28-29 shkurtit përcaktuam axhendën tonë politike. Pas konstituimit fillon një proces konsultimi me anëtarësimin e partisë dhe në komunikim dixhital, për ruajtjen e masave ndaj pandemisë. Në këtë kontekst, do të ketë një konsultim me anëtarësinë e partisë, jo vetëm për emrat e përfaqësueseve të PS-së që do të garojnë në zgjedhje, por edhe për datën e zgjedhjeve, ku preferenca ime mbetet 10 maji, megjithatë kjo i takon Presidentit”, tha Balla.

Për kryetarin e Asamblesë Kombëtare, Partia Socialiste do të nisë përgatitjet për të fituar mandatin e tretë qeverisës.

“Me hyrjen në fuqi të Kodit Zgjedhor, zgjedhjet e ardhshme zhvillohen në periudhën 15 prill–15 maj dhe në këtë kontekst, PS-ja do të zhvillojë një proces përgatitor me diferencë nga partitë e tjera. Javët në vijim, me konstituimin e Asamblesë do të bëjmë me dije gjithë detajet. Axhenda politike e miratuar në Kongres e ka të përcaktuar qartë që në këtë periudhë (shtator, tetor, nëntor, dhjetor) ne kemi një proces të rëndësishëm konsultimi me anëtarësinë dhe me çështje konsultimi me karakter programor, që do të konkludojnë me fitoren e zgjedhjeve të pranverës për një mandat të tretë tonin me Kryeministrin Rama”, u shpreh Balla.

 

 

 

 

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES

Most Popular