Nga Red Varaku
Jo më kot Edi Rama zgjodhi qarkun e Durrësit për të kandiduar, pasi aty më shumë se kudo tjetër, sot bashkohen të gjitha sfidat e Shqipërisë dhe modelet e dështuara apo të rrezikshme të zhvillimit që janë eksperimentuar deri tani nga ky kryeministër .
Në këtë kuptim, ai është vërtetë qarku simbol i kësaj fushate dhe duke qenë i tillë kandidimi i njeriut që synon të marrë një mandat të tretë është i një rëndësie të veçantë edhe për shkak të mesazheve politike që ai do të përcjellë për të gjithë Shqipërinë.
Një tjetër arsye që ai zgjodhi qarkun e Durrësit është se ai një ndër qarqet ku humbja e PS përllogaritet të jetë më e thellë se në të gjitha qarqet e tjera ndaj prania e kryeministrit do ta zvogëlonte sadopak humbjen.
Kjo për shkak të batërdisë që ka shkaktuar Vangjush Dako si Kryetar i Bashkisë dhe për shkak të publikimit të përgjimeve, ku dukej qartë përdhunimi që ky njeri i kishte bërë vullnetit të qytetarëve.
Jane pikërisht këto arsye që e shtynë Edi Ramën të kandidojë në Durrës duke ftuar dhe Ter Kokën, me qëllim zvogëlimin e humnerës ku ndodhet aktualisht PS në këtë qark dhe me shpresë se mund t’i gënjejë durrsakët .
Nëpërmjet kësa strategjie elektorale kuptojmë që Edi Rama edhe pse i ka të qarta arsyet e rrënimit të PS qoftë në Durrës, qoftë në të gjithë Shqipërinë, ai vazhdon me të njëjtin qëndrim përbuzës ndaj votuesit shqiptar dhe atij durrsak.
Nese vërtetë do ta donte Durrësin ai mësë pari duhet t’i kërkonte falje qytetarëve durrsakë për kandidimin e Dakos dhe kasnecëve të krimit, ndërsa në vend të aleancës me një tjetër të korruptuar si Ter Koka, ai duhet të kërkonte aleancën më qytetarët e ndershëm.
Vetëm duke i hequr mbrojtjen politike Vangjush Dakos dhe duke iu rikthyer aleancës me qytetarët, ai do të mund të jepte një mesazh të qartë shprese për një mandat të tretë.
Por, në vend që të ishte në qeli Vangjush Dako vazhdon të drejtojë Bashkinë e qytetit të dytë më të rëndësishëm në vend, ndërsa Ter Koka vazhdon të trafikojë interesat e qytetarëve durrsakë për interesin e tij personal.
Në mënyrë poshtëruese, Edi Rama ka menduar që të përdorë fatkeqësinë që goditi Durrësin, Shijakun dhe Krujën jo vetëm si presion dhe shantazh ndaj qytetarëve të dorëzuar përballë kësaj fatkeqësie , por dhe si makiazh për imazhin e tij të rrënuar.
Por i ka bërë llogaritë gabim! Durrsakët, shijakasit dhe krutanët nuk janë aq budallenj sa i mendon kryeministri. Ata e kanë të qartë nga përgjimet se si ky njeri ka trafikuar vullnetin e tyre tek banditët
dhe e shikojnë çdo ditë batërdinë që ka prodhuar babëzia e zyrtarëve të PS .
Ata nuk janë dele që mund të drejtohen me kamzhik drejt kutive të votimit siç mund ta mendojë kryeministri . Ata nuk mund të pranojnë të përfaqësohen nga dhunuesit e tyre dhe fëmijëve të tyre. Ata kanë ditur t’ia tregojnë vendin zullumqarëve dhe të kthehen në qark simbol të ndryshimit në të gjithë Shqipërinë ashtu si në 2005, ku PS mori poshtërimin që meritonte duke humbur tetë me zero.