BallinaKryesoreZgjedhjet/Meta takon sot Ramën dhe Bashën, ja data e votimit që kërkojne...

Zgjedhjet/Meta takon sot Ramën dhe Bashën, ja data e votimit që kërkojne PS dhe PD

Në një diferencë kohore një orë nga njëri-tjetri, Kryeministri Edi Rama dhe kryedemokrati Lulzim Basha takojnë sot kreun e shtetit Ilir Meta për të diskutuar për datën e zgjedhjeve.

Kreu i shtetit do të presë të parin z. Rama në orën 11:00 dhe më pas z. Basha në orën 12:00. Burime nga kampi maxhoritar dhe ai opozitar konfirmojnë se si kreu i qeverisë Rama, ashtu edhe kryedemokrati Basha, do të shkojnë vetë në Presidencë.

Maxhoranca ka bërë me dije më herët përmes sekretarit të përgjithshëm, Taulant Balla, se data e preferuar e tyre është 9 maji, ndërsa burimet nga kampi blu bëjnë me dije se kryedemokrati Basha do të propozojë si datë 18 prillin, me arsyetimin se kërkojnë largimin sa më të shpejtë të mundshëm të Kryeministrit Rama. Përpos Ramës dhe Bashës, kreu i shtetit ka ftuar edhe përfaqësuesit e LSI-së, PDIU-së dhe deputeten e opozitës parlamentare, Rudina Hajdari.

Njësoj si aleati i saj i madh, edhe LSI-ja do të kërkojë që zgjedhjet të mbahen më 18 prill. Sipas Kodit të ri Zgjedhor të amenduar më 23 korrik, data e mundshme që pritet të dakordësohet nga palët është një nga të dielat mes periudhës 15 prill-15 maj.

Në një nga konferencat për mediat, kreu i shtetit, i revoltuar edhe nga mosdakordësia e partive politike në Këshillin politik të Reformës Zgjedhore, deklaroi se datën e zgjedhjeve do ta shpallte në momentin më të parë dhe pa konsultim.

“Në hapësirën kohore që Kodi do më lejojë. Me konsensus apo jo, në ditën më të parë të mundshme, në momentin që do kem hapësirën kushtetuese ligjore, do të shpall ditën e zgjedhjeve të ardhshme pa asnjë konsultim”, tha kreu i shtetit pak kohë më parë.

Në ndryshimet e fundit të Kodit Zgjedhor, që u miratuan më 23 korrik në Parlament, periudha zgjedhore u përcaktua një nga të dielat nga 15 prilli deri më 15 maj dhe një nga të dielat nga 15 shtatori deri më 15 tetor. Meqenëse mandati i deputetit nuk mund të jetë më i gjatë se 4 vjet pa zgjedhje, me shumë gjasë zgjedhjet zhvillohen në një nga të dielat nga data 15 prill deri më 15 maj. Ndërkohë, kreu i shtetit duhet që të shpallë datën e zgjedhjeve jo më vonë se 9 muaj para. Panorama

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES

Most Popular