BallinaKryesoreTre histori abuzimi/Nga Bujar Karoshi

Tre histori abuzimi/Nga Bujar Karoshi

Nga Bujar Karoshi

Historia 1. Dil nga deti, ose të sjell badiguardin të të nxjerrë me dhunë…

Kjo histori ka ndodhur sot. Miku im, që unë po e quaj G., bashkë me gruan dhe djalin vendosin të kalojnë disa ditë në jug. Pasditja i kapi në plazhin e Llamanit në Himarë. U futën në det të laheshin, por befas aty ia beh pronari i një bari aty dhe u kërkon “të dalin nga plazhi, të paguajnë shezllonin dhe çadrën dhe pastaj mund të bëjnë ç’të duan”. Miku im, G., i thotë se “nuk kanë ndërmend të qëndrojnë, pasi janë në lëvizje. Thjesht do të rrinë 30 minuta dhe do të ikin”. Ai e urdhëron që të dalë nga deti, ndryshe do ta nxirrnin me badigard… Miku im, i arsyeshëm dhe qytetar i mirë i këtij vendi, del nga deti dhe duke menduar se deti është i publikut, merr Policinë e Shtetit, 129, që ti vijë në mbrojtje. Ata i thonë se “nuk kanë kompetencë të ndërhyjnë në këtë rast, pasi kjo çështje – plazhi publik dhe privat – është kompetencë e policisë bashkiake”. Policia bashkiake e Himarës as denjon ta marrë ankesën… Miku im vazhdonte sonte të ishte shumë i indinjuar: Nuk i kishte shkuar kurrë ndërmend se mund ta nxirrnin nga deti nën kërcënimin e badigardëve… Sepse “deti qënka i privatit”…

I thashë mikut tim se do ta kishte të vështirë ta fitonte këtë betejë, pasi nuk kishte përdorur as “thikën”, as “automatikun”. Dhe më kryesorja, nuk do ta fitojë këtë betejë, pasi ai është qytetar shqiptar. Po të ishte “qytetar spanjoll” Ministri i Turizmit do të ishte sonte atje me një tufë me lule…

Historia 2. Nuk e mbulojmë zonën, paguaj penalitet 10000 lekë.

N., një i njohuri im, ndër më të mirët qytetar të këtij vendi, i urtë, i drejtë, pa asnjë ves, me një punë me rrogë modeste dhe shtëpi me qira, kishte një kontratë me një kompani telefonie/internet, një ndër kryesoret në vend. Kontrata me kompaninë ishte 18 mujore. Kanë kaluar 6, mbeten edhe 12. Por N. detyrohet të ndërrojë shtëpi, pasi i zoti i shtëpisë, kishte vendosur ta shesë shtëpinë. N. gjen një shtëpi tjetër 150 m larg nga ajo aktuale. Njofton Shërbimin e Klientit dhe kundrejt detyrimeve të zhvendosjes, ta kalonte internetin në adresën e re. Vijnë teknikët dhe, pasi bëjnë gjasme se po interesohen t’i japin një zgjidhje, thonë papritur se “në këtë adresë nuk e ofrojnë shërbimin e internetit, pasi shtëpia është 150 m larg (!?)…. N. duhet të kthejë modemin, pasi është pronë e kompanisë, si dhe një dëmshpërblim prej 10 000 lekësh (rreth 100 USD), pasi ka ndërprerë kontratën para afatit”!? “Unë nuk po ndërpres kontratën, – thotë N, – por ju nuk po më ofroni shërbimin…”. “– E, paske shumë llafe. Kthe modemin dhe paguaj penalitetet, ndryshe t’i marrim me përmbarimin” – kërcënon njëra nga tre kompanitë më të mëdha në vend të telefonisë dhe internetit…
Po të jetojë N. në një vend të Europës dhe ti ndodhë e njëjta histori, kompania do të përballej të nesërmen me një penalitet nga Qeveria e atij vendi, si dhe pronari i kompanisë do t’i kërkonte personalisht faljes N., dhe do t’i ofronte shërbim internet falas për një kohë të gjatë. Por kjo nuk ndodh, sepse jemi në Shqipëri.

Historia 3. Testi i Covid – 200 euro?!
Daja im ishte në radhë në kufi kur Greqia mbylli kufirin. Kishte tre makina përpara dhe kalonte, por policia i tha që të mos presë kot. Të kthehej në Tiranë, të bënte testin dhe pastaj të nisej sërish për në Greqi.
Erdhi daja im në Tiranë dhe shkoi te njëri nga spitalet privatë. Pagoi 100 Euro dhe bëri testin. Nesër i thonë në telefon se ka rezultuar “pozitiv”, kështu që duhet të paraqitet për një test tjetër, të cilin do ta bënte falas, po pranë të njëjtit spitalit privat. Kur shkoi te merrte përgjigjen e analizës së dytë, i thanë se “analizën e dytë e kemi dërguar te Institutiti Shëndetit Publik dhe përgjigja vjen pas tre ditësh”. Pas tre ditësh spitali privat i tha se “ka rezultuar sërish pozitiv”. Daja im, si kokrra e mollës, shëndoshë e mirë dhe pa asnjë shenjë sëmundje, u detyrua të qëndrojë 14 ditë në shtëpi i izoluar. Gjatë këtyre ditëve nuk e mori askush nga hetimi Epidemiologjik ose policia, që ta verifikonte nëse po qëndronte në shtëpi ose për ndonjë këshillë shëndetësore. Ditën e 15 shkoi sërish te spitali privat. Me gjendjen shëndetësore njëlloj si herën e parë. Pagoi 100 Euro dhe të nesërmen rezultati doli “negativ”. Dhe pastaj, me analizat në dorë, mori rrugën e kurbetit… Erdhi për pushime në Shqipëri shëndoshë e mirë, ishte shëndoshë e mirë, por pagoi 200 Euro për një test te private…
Po të ishte daja im një emigrant në Perëndim, testin do ta kishte bërë falas… Por është shqiptar dhe si shqiptar duhet të paguaj për testin 200 Euro…
***
Këto histori janë krejt të vërteta. Në qoftë se ndonjëri di se si mund të ankohesh për këto tre raste, do t’u ishim mirënjohës për këshillat. Sepse ka plot histori abuzimi e korrupsioni, por të abuzosh me tre qytetarë të këtij vendi, njerëz të mirë, të urtë e të drejtë, është më shumë se kriminale…
Në qoftë se ka shtet këtu, këto tre histori duhen ndjekur deri në fund dhe ndëshkimi duhet të jetë i ashpër. Por ngaqë nuk ka shtet, shpresojm që të ketë Zot dhe autorët e këtyre abuzimeve të digjen në ferr…
spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES

Most Popular