OFL i ka nisur kërkesat me shkrim për vetëdeklarimin e burimeve të pasurisë, shtetasve: Artan Gega, Abaz Gega, Arzen Mama, Gentian Gjoka, Ardian Subashi.
Këta individë, si subjekt i Ligjit Special, duhet t’u përgjigjen me shkrim, brenda 48 orësh, të gjitha pyetjeve të OFL-së dhe më pas, përgjigjet e marra do t’i dërgohen SPAK-ut, për veprime të mëtejshme.
Njoftimi i OFL
Në kuadër të zbatimit të Ligjit Special për masat pasurore ndaj individëve të dënuar apo akuzuar për krim të organizuar apo krime të rënda, OFL i ka nisur kërkesat me shkrim për vetëdeklarimin e burimeve të pasurisë, shtetasve:
A. G., banues në Elbasan, i dënuar për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve“;
A. G., banues në Elbasan, i dënuar për veprën penale “Organizata kriminale”;
A. M., banues në Elbasan, i dënuar për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”;
G. Gj., banues në Elbasan, i dënuar për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”;
A. S., banues në Elbasan, i dënuar për veprat penale “Trafikimi i narkotikëve” dhe “Shfrytëzimi i prostitucionit”.
OFL është në veprim të pandërprerë dhe në kryerje të veprimeve komplekse për vendosjen e sekuestrove emergjente mbi pasuritë e dyshuara të përfituara nga krimi, si dhe për dërgimin e formularëve të vetëdeklarimit të gjithë personave që janë subjekt i Ligjit Special.
OFL do të informojë publikun në vijimësi për të gjitha nismat procedurale dhe operacionet ekzekutive që do të kryejë.