BallinaKryesoreNdryshimet në Kod, Ivi Kaso: PS po shkel marrëveshjen. Imuniteti i gjyqtarëve...

Ndryshimet në Kod, Ivi Kaso: PS po shkel marrëveshjen. Imuniteti i gjyqtarëve të Kolegjit Zgjedhor ka kaluar testin e ‘VENECIAS’

Sekretari për çështjet zgjedhore në Partinë Demokratike, Ivi Kaso, akuzon maxhorancën se shkel marrëveshjen e 14 janarit që sanksiononte rregullat për funksionimin e Këshillit Politik për Reformën Zgjedhore dhe vendos opozitën përpara logjikes së faktit të kryer

Në një intervistë për gazetën “Panorama”, Kaso shprehet se futja në rend të ditës për të miratuar ndryshimet në Kodin Zgjedhor më 1 tetor pa dakordësinë e opozitës së bashkuar dhe refuzimi i PS-së për të marrë opinionin e ODIHR-it, shkel për të disatën herë marrëveshjen e 5 qershorit dhe atë të 14 janarit.

“Për sa më përket mua, në cilësinë time si ekspert zgjedhor, shpreh keqardhjen që maxhoranca vijon me logjikën e vënies së opozitës përpara faktit të kryer, duke shkelur nga një anë angazhimin që ka marrë më 14 janar të këtij viti dhe nga ana tjetër, duke refuzuar opinionin e OSBE/ ODIHR. Kujtojmë që kështu ka qenë edhe marrëveshja paraprake, që në rastet kur palët nuk kanë dakordësi, atëherë u drejtohen palëve ndërkombëtare, në këtë rast ODIHR-it. Ndërkohë, edhe vet ODIHR ka shprehur gatishmërinë për ta dhënë sa më shpejt të jetë e mundur. Opinioni i ODIHR-it do të bënte që, edhe pse ndryshimet kushtetuese u miratuan në mënyrë të njëanshme, zgjidhja të ishte sa më shumë e drejtë dhe e pranueshme”, u shpreh Kaso.

KOLEGJI ZGJEDHOR

Teksa e gjithë vëmendja është te mosdakordësia mes palëve për çështjen e koalicioneve dhe listat, ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, kërkoi pak ditë më parë që të ndryshohet një tjetër dispozitë, e cila prek marrëveshjen e 5 qershorit në prani të ndërkombëtarëve. Dispozita në fjalë lidhet me imunitetin që u sigurohet gjyqtarëve të Kolegjit Zgjedhor. Por për sekretarin e PD-së, kërkesa e saj është politike pasi në të vërtetë, dispozita nuk e shkel Kushtetutën dhe ka kaluar testet tek ODIHR dhe Venecia.

“Imuniteti që u sigurohet gjyqtarëve të Kolegjit Zgjedhor në atë dispozitë, iu mundëson atyre mbrojtje që të mos trysnohen gjatë ushtrimit të detyrës shumë të rëndësishme për certifikimin e zgjedhjeve. Po ashtu, e njëjta dispozitë i bën imunë gjyqtarët edhe nga joshja, duke u dhënë favore. Për shembull, transferimet në vende më të favorshme. Theksoj se dispozita që ministrja e Drejtësisë kërkon që të ndryshojë ka kaluar testet e OSBE/ODIHR-it dhe të Komisionit të Venecias”, tha Kaso.

Ndërkohë, ai e bëri të qartë se Këshilli Politik nuk do pranojë ta bëjë pjesë të punës propozimin e ministres.

“Nuk mundet që objekt diskutimi në Këshillin Politik të Reformës Zgjedhore të bëhet çfarëdolloj fantazie e ministres së Drejtësisë, e cila, duke lënë mënjanë problemet e drejtësisë dhe në vend që të bëjë funksionale drejtësinë e këtij vendi, merret me trakte partiake dhe me atentate e thika pas shpine të Reformës Zgjedhore. Nuk mund të bëhet objekt pune një amendament, i cili, jo më larg se dy muaj, u miratua me konsensus”, vijoi Kaso në intervistën për gazetën “Panorama”.

***

Kuvendi nis diskutimin e ligjeve që luftojnë korrupsionin zgjedhor

Puna për të implementuar ndryshimet kushtetuese të 30 korrikut në Kodin Zgjedhor është duke shkuar drejt fundit.

Dy muaj nga miratimi i ndryshimeve në Kodin Zgjedhor, Kuvendi ka futur në listën e projektligjeve për t’u diskutuar 5 nisma, të cilat vijnë në mbështetje të ndryshimeve të Kodit Zgjedhor sipas marrëveshjes së 5 qershorit. Më 22 shtator, në faqen zyrtare të Kuvendit është publikuar projektligji për mbrojtjen e sinjalizuesve në zgjedhje, projektligji për statusin e gjyqtarit dhe prokurorit dhe tri ligje të tjera. Të 5-ta draftet vijnë si nevojë e ndryshimeve të bëra në Kodin Zgjedhor më 23 korrik dhe që kryesisht luftojnë korrupsionin zgjedhor.

REAGIMI

Përmes një reagimi në “Facebook”, anëtari i Partisë Demokratike në Këshillin Politik, Oerd Bylykbashi, akuzoi maxhorancën se vonoi procedurën për diskutimin dhe miratimin e projektligjeve që vijnë në mbështetje të ndryshimeve në Kodin Zgjedhor.

Sipas Bylykbashit, hapi i hedhur nga maxhoranca erdhi pas presionit që opozita e bashkuar i bëri asaj në mbledhjen e 22 shtatorit dhe pas presionit të ndërkombëtarëve.

Më në fund, paketa e dytë e amendamenteve pas ndryshimeve në Kodin Zgjedhor, me 7 ligjet që u miratuan nga Këshilli Politik me konsensus në korrik, gjeti dritën e diellit në Kuvend, edhe pse përfaqësuesi socialist në Këshillin Politik kishte deklaruar që më 27 korrik se ato ishin depozituar në Kuvend në përputhje me marrëveshjen e 5 qershorit. Përgjatë dy muajve, asnjë prej këtyre ligjeve nuk u përfshi në programin e punës së Kuvendit, duke shkelur marrëveshjen e 14 janarit dhe atë të 5 qershorit. Ligjet u miratuan në korrik në Këshillin Politik si pjesë e marrëveshjes së 5 qershorit, por për dy muaj u mbajtën të fshehura në sirtarët e Kuvendit. U desh presioni i opozitës në Këshillin Politik ditën e martë, 22 shtator, dhe presioni ndërkombëtar që përfaqësuesit e PS-së t’i nxirrnin nga sirtari pas dy muajsh fshehjeje dhe t’i regjistronin sot në Kuvend”, shkroi Bylykbashi.

EFEKTI

Në vijim të statusit të tij, Bylykbashi tregon se cili do të jetë efekti i projektligjeve që kërkon të miratohen sa më shpejt. Ndërkohë, ai akuzon edhe maxhorancën se kërkon të marrë atributet e projektligjeve.

Sipas demokratit, të 5- ta draftet janë propozuar nga opozita e bashkuar në Këshillin Politik, në mënyrë që të godasë korrupsionin zgjedhor.

“Njëri ligj i kalon SPAKut kompetencën për të hetuar shitblerjen e votës. Një ligj i shtrëngon rripat Prokurorisë së zakonshme për të goditur krimet e tjera zgjedhore dhe jo t’i tolerojë ato siç ka bërë deri më sot. Një ligj qartëson rolin e Policisë në zgjedhje, që Kryeministri të mos u japë më urdhër policëve që të bëjnë fushatë për PS. Ligjet e tjera godasin fenomene të tjera që cenojnë zgjedhjet. Të gjitha të miratuara mbi bazën e propozimeve të opozitës së bashkuar në Këshillin Politik. Por sot, sharlatanët e maxhorancës na i paraqitën sikur janë iniciativat e tyre. Ata kanë vetëm një detyrë tani mbi bazën e marrëveshjes së 14 janarit: t’i miratojnë këto ligje pa asnjë ndryshim, siç janë miratuar nga Këshilli. Ato ligje sot duhej të ishin miratuar e të ishin në fuqi, por Edi Ramës nuk i intereson goditja e krimit zgjedhor. Atij i intereson të ndryshojë rregullat konsensuale të lojës, jo të miratojë rregulla që i lidhin duart më 25 prill 2021 atij dhe kriminelëve që ka pas”, vijon Bylykbashi në statusin e tij.

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES

Most Popular