Edhe në mbledhjen e djeshme të Këshillit Politik, pas më shumë se 140 minutash takim, sërish nuk pati “tym të bardhë”
Palët vijuan të mbronin qëndrimet e tyre, duke mos bërë asnjë hap pas. Edhe pse Partia Demokratike paraqiti ditën e diel draftin e saj të propozimeve për ndërhyrjen në Kodin Zgjedhor si përshtatje e ndryshimeve kushtetuese të 30 korrikut, sërish nga Partia Socialiste nuk u pranua që t’i kërkohet ekspertiza misionit të ODIHR-it për këto dispozita.
Përfaqësuesi i Partisë Socialiste, Damian Gjiknuri, në dalje nga mbledhja e Këshillit Politik deklaroi se ekspertiza e OSBE/ ODIHR-it për ndryshimet në Kodin Zgjedhor nuk mund të kërkohet me pyetje, por mbi bazën e një propozimi konkret.
Ai shtoi se nuk mund të shkohet tek ODIHR-i me kërkesën për t’i mbajtur koalicionet tradicionale, por këtë qëndrim të Gjiknurit, përfaqësuesi i PD-së në Këshill, Oerd Bylykbashi, e cilësoi si frikë. Sipas këtij të fundit, PS-ja është e frikësuar nga përgjigja e ODIHR-it për çështjen e koalicioneve, dhe me sjelljen e saj është duke minuar konsensusin për Reformën Zgjedhore, çka sipas tij, do të çonte në rrezikim serioz të njërit prej 15 kushteve për negociatat me Bashkimin Europian.
Ndërsa përfaqësuesi i LSI-së, Petrit Vasili, ishte më radikal në qëndrimin e tij në dalje nga mbledhja, teksa tha se brenda Damian Gjiknuri kishte deklaruar se “maxhoranca do të bëjë ligjin që i leverdis asaj”. Por në tryezën e djeshme, për herë të parë, haptazi kundër maxhorancës ishte edhe opozita parlamentare, që përfaqësohej nga Rudina Hajdari dhe Myslim Murrizi. Këta të fundit deklaruan se nuk do të tërhiqen në asnjë moment nga kërkesa e tyre për hapjen e listave, dhe në rast të kundërt, nuk do të jenë në sallën e Parlamentit nëse PS i shkon deri në fund nismës së saj për ta ndryshuar Kodin sipas draftit që prezantoi disa javë më parë.
GJIKNURI
“Bëmë një propozim si PS dhe iu thamë nisur nga ndryshimet kushtetuese që kanë ndodhur që nuk normojnë më atë lloj koalicioni që dëshirojnë ata, prandaj iu kërkuam të na sjellin variantin e një vendi të BE-së dhe ne e pranojmë, ia çojmë edhe ODIHR-it. Ata duan të krijojnë vakum ligjor për të mos shkuar në zgjedhje.
Ata thonë: ose prano atë që dua unë se ajo më intereson, ose nuk jap asnjë lloj zgjidhjeje. Ajo ç’ka synohet me letrën e ODIHR-it është një taktikë imponuese që bëj atë që them unë, ose nuk jap asnjë lloj pëlqimi. U kemi kërkuar formulimin e një vendi që ka një sistem siç e kërkojnë këta. Është e papranueshme që mos të ndiqet një model siç e kanë europianët. Hajde të bisedojmë për pragun kombëtar dhe për hapjen e listave. Ne i besojmë draftit tonë. Kjo është qasja jonë.
Që të shkojmë tek ODIHR-i, duhet të kemi një produkt dhe mosdakordësi për produktin. Unë kam bërë një draft që mendoj se është e legjislacionit europian, a mund ta çojmë atë, dakord, çojmë atë. Por ata thonë të rrijë Kodi siç është. Kodi ka rënë, sepse është ndryshuar Kushtetuta. Por ky debat është ezauruar në korrik. Konsensusi ka disa parime. Ne do të përpiqemi që të gjejmë një zgjidhje për të gjetur votat e nevojshme. Nuk mundet që të pengohet vazhdimisht për hir të konsensusit. Të rrish te një traditë që ka rënë, kjo është e papranueshme. Natyrshëm ne duhet të ecim përpara dhe ta kemi Kodin Zgjedhor brenda ditëve që vijnë, përndryshe rrezikojmë përgatitjen e zgjedhjeve”.
BYLYKBASHI
“Opozita nguli këmbë në mbledhje që e vetmja pikë e axhendës të jetë nënshkrimi i përbashkët në këtë Këshill i kërkesës drejtuar ODIHR-it në lidhje me zbatimin e standardeve ndërkombëtare për ndryshimin e rregullave themelore të sistemit zgjedhor. Opozita kërkon me insistim, kërkoi edhe sot me insistim dhe përsëri u përball me refuzimin e Partisë Socialiste. Pra, opozita kërkoi me insistim që t’i drejtohemi ODIHR-it si arbitër i rënë dakord në marrëveshjen e 14 janarit. PS-ja përsëri sot nënvizoi frikën e saj nga përgjigja që do të vijë nga ai që të gjithë kemi pranuar që të jetë arbitër jo vetëm i këtij procesi reforme, por edhe i zgjedhjeve në Shqipëri. Nëse PS-ja nuk ndryshon qëndrim, bllokon funksionimin e Këshillit Politik, e për rrjedhojë, bllokon edhe Reformën konsensuale Zgjedhore, që është kërkesë e BE-së, si një nga 15 kushtet për hapjen e negociatave me Shqipërinë. Kërkuan tekst, u kemi dhënë tekst, zyrtarisht amendamente të cilat garantojnë koalicionin siç është sot në Kodin Zgjedhor, në përputhje me Kushtetutën e ndryshuar më 30 korrik dhe listën e hapur 100%. Të marrë versionin tonë, versionin e vet, t’ia çojmë ODIHR-it së bashku dhe e mbyllim këtë çështje”.
VASILI
“Kemi qenë në diskutim e sipër dhe Gjiknuri e braktisi tavolinën e Këshillit në mënyrë të njëanshme duke i bërë shërbim strategjisë së këtij Këshilli. Gjiknuri e tha qartë se duke qenë se jemi maxhorancë miratojmë ligjin që na leverdis. Kjo shpjegon më së mirë për këdo që këtu kemi të bëjmë me një qëndrim të njëanshëm të diktuar nga frika e humbjes”.
HAJDARI
“Është e trishtë që PS-ja këmbëngul me një draft hileqar që devijon hapjen e listave 100%. Nuk mund ta devijojmë dot këtë debat kaq të rëndësishëm, që kërkon të negociojmë me sovranitetin e popullit, sepse sovraniteti i popullit duhet të jetë në Parlamentin e ardhshëm. Nuk ka centimetër pas. I ftoj kolegët e opozitës që të refuzojmë të shkojmë në çdo mbledhje dhe seancë derisa të shqyrtohet drafti ynë”.