Rreth 30 deri në 40 milionë amerikanë rrezikojnë të dëbohen nga shtëpitë e tyre si rezultat i drejtpërdrejtë i ngadalësimit ekonomik dhe humbjeve masive të vendeve të punës nga pandemiaekoronavirusit.
Një shtesë federale për asistencën e papunësisë të shteteve që po ofronin lehtësim financiar për miliona njerëz, mundësuar nga një paketë ligjore për stimulimin ekonomik, përfundoi në korrik. Ndërkohë një ndalim i përkohshëm i dëbimeve i urdhëruar kohët e fundit nga Qendra për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC) do të skadojë në janar. Ndërsa bisedimet midis ligjvënësve për rinovimin e asistencës zvarriten në Uashington, shumë ekspertë parashikojnë që kriza e strehimit e krijuar nga pandemia vetëm do të përkeqësohet.
Miliona amerikanë që humbën një pjesë ose të gjitha të ardhurat e tyre për shkak të pandemisë së koronavirusit po përballen me dëbimin nga shtëpitë ndërsa virusi vdekjeprurës vazhdon të përhapet në mbarë Shtetet e Bashkuara.
Viktima më e fundit është Ashley Johnson.
“Tani jam duke punuar në punë tavoline, por dy bizneset e mia të tjera… Unë ofroj sherbime holistike dhe shëndetësore dhe për shkak të COVID-it, nuk i kam më këta klientë dhe kështu kam vetëm punën time në tavolinë”, thotë zonja Johnson.
Zonja Johnson u dëbua në fillim të shtatorit nga një shtëpi private tranzitore në Kansas City, Mizuri, ku jetonte me tre fëmijët e saj.
“Mendërisht jam emocionalisht e rrënuar… Kohët e fundit më është dashur të kërkoj këshillim… sepse e ndjej veten duke e humbur disi”, thotë ajo
Zonja Johnson merr pjesë në tubimet e “KC Tenants”, një grup që lobon për strehim të përballueshëm në Kansas City, Mizuri.
Ashtu si në shtetet e tjera, Mizuri e kishte një krizë të strehimit të përballueshëm në momentin kur goditi pandemia.
Dhe tani, pothuajse gjysma e qiramarrësve në këtë shtet janë në rrezik dëbimi sepse nuk mund të paguajnë qiranë e tyre, sipas të dhënave të “KC Tenants”.
Shumë amerikanë kishin marrë ndihmë financiare përmes asistencës së papunësisë nga shteti dhe nga qeveria federale. Por ndihma federale shtesë prej 600 dollarësh në javë skadoi në korrik, duke i rrezikuar miliona njerëz të dëbohen nga shtëpitë.
“Jam duke nënshkruar një urdhër ekzekutiv që udhëzon Departamentin e Strehimit dhe Zhvillimit Urban, Departamentin e Shëndetësisë dhe Shërbimeve Njerëzore, si dhe Qendrën e Kontrollit dhe Parandalimit të Sëmundjeve të sigurohen që qiramarrësit dhe pronarët e shtëpive të mund të qëndrojnë në shtëpitë e tyre”, deklaroi Presidenti Trump.
Në një konferencë për shtyp më 8 gusht, presidenti njoftoi urdhërin ekzekutiv që do të siguronte “ndihmë për qiramarrësit dhe pronarët e shtëpive” dhe do t’i mbronte amerikanët nga dëbimi.
Të nxitur nga njoftimi, Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC) kohët e fundit lëshuan një urdhër për të ndaluar përkohësisht dëbimet nga banesat, me qëllim parandalimin e përhapjes së mëtejshme të COVID-19.
Por, urdhëri vjen me kushte.
“Njerëzit mund të mbrohen për një periudhë të shkurtër kohe nga dëbimi, por ata vazhdojnë të mbeten borxh për të paguar qiranë e çdo muaji, dhe pronari ende mund të kërkojë kamat-vonesa, gjoba dhe të marrë interes për qiratë, kështu që mali i borxhit vazhdon të rritet”, thotë Tara Raghuveer, drejtore e organizatës “KC Tenants”.
Qiramarrësit dhe aktivistët e strehimit po bëjnë thirrje për masa shtesë, si anulim të qirave dhe kësteve të kredisë për strehim.
Aktivistja Gina Chiala thotë se ligjvënësit duhet të jenë pjesë e zgjidhjes.
“Shkarkimet masive që po ndodhin në këtë vend; nuk janë faji i punëtorëve që po humbin vendin e punës, dhe ne nuk mund t’i lëmë bashkëqytetarët tanë amerikanë të rrënohen.
Ne duhet të veprojmë; duhet ta shtyjmë Kongresin të bëjë gjënë e duhur dhe të miratojë një ligj të fuqishëm dhe të ruajë ato masa që ne e dimë se ndalën ortekun e dëbimit më parë”, thotë Gina Chiala, e Qendrës “Heartland” për Punë dhe Liri.
Zonja Chiala po inkurajon pronarët të negociojnë me qiramarrësit e tyre kur është e mundur.
Por me afërsisht 50% të banesave me qira të vendit në pronësi të familjarëve, shumë nuk munden të përballojnë humbjet nga qiraja e papaguar.
“Jemi duke dëgjuar nga pronarët tanë – ata po na telefonojnë dhe na dërgojnë email… Janë të shqetësuar për humbjen jo vetëm të banesës së tyre, por edhe shtëpitë e tyre që kanë dhënë me qira. Dhe gjithashtu shqetësohen se nuk do të paguhen kurrë pasi kjo të ketë mbaruar”, thotë Tracey Benson, presidente e Shoqatës Kombëtare të Pronarëve të Pavarur.
Pronarja nga Karolina e Veriut, Kathy Phillips, mbështetet tek të ardhurat e dhjetë pronave të saj të dhëna me qira.
Një nga qiramarrësit e saj ka mbetur prapa në qiranë e saj.
“Unë kam një qiramarrëse, e cila është prind i vetëm, që është e papunë dhe nuk ka mundësinë të paguajë qiranë e saj – nuk ndihem mirë ta dëboj. I kam ofruar asaj 50% zbritje të qirasë për tre muaj, pa pritur se do ta paguajë”, thotë zonja Phillips.
Ashley Johnson thotë se do t’i kishte bërë mirë një dhembshuri e tillë.
“Sfida më e madhe për mua është thjesht të hiqem sikur jam e lumtur sepse duhet të jem e fortë për fëmijët e mi, apo jo?”, thotë ajo./VOA