BallinaAktualitetSi Nasho Jorgaqi spiunonte Skënder Luarasin tek Sigurimi i Shtetit. Agron Tufa...

Si Nasho Jorgaqi spiunonte Skënder Luarasin tek Sigurimi i Shtetit. Agron Tufa publikon dy faksimile të….

Kur fliste për punë të palodhur e të dalluar të bashkëpunëtorit “Dragoi”, punëtori operativ, i cili kërkon shpërblim për të, e kishte seriozisht.

Jo vetëm se puna e tij në spiunimin e kolegëve kishte qenë shumë e frytshme, por edhe sepse raportimi ishte aq i hollë, e i mirëmenduar, saqë në raportimet që bënte përfshinte edhe emrin e tij të vërtetë.

Pas publikimeve të disa dokumenteve, që vërtetojnë bashkëpunimin e shkrimtarit Nasho Jorgaqi me ish-Sigurimin e Shtetit, të tjerë, që kanë hasur në fletët e dosjeve të tyre apo të të afërmve, pseudonimin “Dragoi”, kanë nisur të publikojnë të tjera fakte. Ka qenë Petro Luarasi, biri i përkthyesit Skënder Luarasi, që, përmes shkrimtarit denoncues Agron Tufa, ka publikuar dy copëza faksimilesh nga dosja e ndjekjes së të atit. Raportimet e Dragoit për Luarasin kanë qenë të përhershme dhe për tema nga më të ndryshmet. Një prej tyre daton në vitin 1956 dhe bëhet fjalë për një bisedë rreth botimit të një vepre shkencore, për Migjenin dhe për heqjen e disa emrave, të shpallur “armiq të popullit”, nga tekstet e poetit. Në raport “Dragoi” përmend edhe emrin e tij të vërtetë, Nasho Jorgaqi, si pjesë e bisedës.

Ndërsa raportimi tjetër shënohet një vit më vonë dhe lidhet me qëndrimin e Luarasit ndaj Bashkimit Sovjetik. Në fund të raportit, “Dragoit” i jepet direktiva që të vijojë të takohet me Luarasin, ndërsa informacionet e tij niseshin për përpunim në seksionet e tjera të Sigurimit të Shtetit.

“Falënderoj zotin Petro Luarasi për publikimin e dy faqeve, raportime të spiunit ‘Dragoi’ nga dosja formulare nr. 2832 në ngarkim të Skënder Luarasit. Shpresoj të publikojë më shumë, tani që e identifikoi ‘Dragoin’”, thotë shkrimtari Agron Tufa, teksa vëren se “Në raportime, Nashua fuste edhe veten e vet ndonjëherë”.

DORËHEQJA NGA PROPOZIMI PËR ZV.MINISTËR

Problemet e së shkuarës së Nasho Jorgaqit i kanë ditur edhe të tjerë më herët, madje deri te Komisioni i Pastrimit të Figurës në vitin 1997, por vetëm tani bëhet publike. Në një tjetër publikim, Agron Tufa sjell një tjetër dëshmi, përmes një fragmenti nga libri “Mëkatarë” të ish-kreut të Komisionit të Pastrimit të Figurës, Nafiz Bezhani, i cili flet se si e kishte thirrur në zyrë për të diskutuar rreth kësaj çështjeje, por Jorgaqi i kishte “shpëtuar”, duke u dorëhequr më parë. Më poshtë publikimi i Tufës: SPIUNI I SIGURIMIT, NASHO JORGAQI, “DRAGOI”, ISHTE PARALAJMËRUAR QË MË 1997 NGA KOMISIONI “BEZHANI” Bëhet fjalë për periudhën në fund të vitit 1997 dhe fillim i vitit 1998, koha kur ishte menduar që Nasho Jorgaqi, “Dragoi”, të emërohej zëvendësministër i Kulturës. Për më shumë ndiqni një fragment të librit “Mëkatarë” të ish-kreut të Komisionit të Pastrimit të Figurës, të ndjerit Nafiz Bezhani.

***

Dosja “Dragoi” kishte histori të tilla për një roman të veçantë, por unë nuk kisha atë qëllim, bile e quajta kohë të humbur të merresha me dramën e tij të koklavitur. Prandaj e quajta të mjaftueshme për ta deklaruar me pengesa ligjore dhe për ta këshilluar që të hiqte dorë nga kandidatura e tij për funksionin e lartë të zëvendësministrit.

Pritej që kjo kandidaturë të shqyrtohej brenda pak ditëve nga Këshilli i Ministrave, prandaj duhej që vendimi i komisionit t’ia paraprinte mbledhjes që organizonte ai së shpejti. Ftesa që iu dërgua…ishte shumë e thjeshtë: “Lutemi të paraqiteni nesër para këtij komisioni, për një problem që ju intereson edhe juve”.

Por në vend që t’i përgjigjej ftesës për të ardhur në Komision, ai u paraqit në Drejtorinë e Kuadrit, ku dorëzoi një deklaratë me shkrim, në të cilën i kërkonte Këshillit të Ministrave të tërhiqte kandidaturën e tij për zëvendësministër, për shkaqe serioze, shëndetësore e familjare, si dhe për faktin se në këtë moshë dëshironte t’i përkushtohej vetëm punës shkencore. Kur drejtori i Kuadrit, që ishte anëtar i komisionit ma komunikoi këtë deklaratë, ai tha: “E prisja një përgjigje të tillë. Dragoi e përdori shkathtësinë e tij jo vetëm për t’i shpëtuar rrjetës sonë, por edhe për t’i shpëtuar diskutimit të gjerë të së kaluarës së tij, pra, edhe për të ruajtur sekretin që ishte zotëruar para organeve të Sigurimit të Shtetit”. Nafiz Bezhani, “Mëkatarë”, Tiranë 2001, faqe 184-185

 

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES

Most Popular