Presidenti Ilir Meta ka vijuar sërish përplasjen me kryeministrin Edi Rama. Teksa poston një video në Facebook, nga fjala e mbajtur me 5 maj 2013, presidenti zbulon se pse bëri koalicion me Partinë Socialiste.
Kreu i shtetit ka vijuar sulmin ndaj shefit të qeverisë, duke e quajtur Kryemashtruesin e Sektit “Rilindje”, ndërsa kërkon zbatimin e marrëveshjes së 5 qershorit, si kusht për negociatat.
“Për të gjithë ata që më pyesin pse bëra koalicion me Partinë Socialiste në prill të vitit 2013, kam një kujtesë nga fjala ime e mbajtur në 5 maj 2013, Ditën e Shenjtë të Dëshmorëve, para familjarëve të tyre dhe veteranëve, ku kam bërë thirrje publike të votoheshin urgjent para zgjedhjeve parlamentare, Ligji për Gjykatën e Lartë, Ligji i Nëpunësit Civil dhe Reforma Parlamentare, tre kushte të Bashkimit Europian, që mbaheshin peng nga Kryemashtruesi i Sektit “Rilindje”.
Në 30 maj 2013 isha po unë që e detyrova Kryemashtruesin e Sektit “Rilindje” t’i votonte në Kuvend:
Ligji për Gjykatën e Lartë me 108 vota pro
Ligji i Nëpunësit Civil me 107 vota pro
Reforma Parlamentare me 108 vota pro.
Tani është koha t’i lerë mashtrimet ordinere dhe të kuptojë njëherë e mirë se pa respektimin e Marrëveshjes konsensuale të 5 Qershorit nuk ka çelje negociatash.”