BallinaPolitikeNë kryesi 300 emra – Brenda tetorit, PD cakton drejtuesit politikë në...

Në kryesi 300 emra – Brenda tetorit, PD cakton drejtuesit politikë në qarqe

Tirana si qarku që nxjerr 35 deputetë, do ketë disa drejtues politikë. Ky do jetë dhe shtabi qendror i PD-së për fushatën e zgjedhjeve të ardhshme.

Ndërkohë Komisioni i Vlerësimit të Kandidatëve është në fazën e fundit të përzgjedhjes, dhe për pak ditë, 300 kandidatura do i kalojnë kryesisë për të vendosur për 106 prej tyre.

E majta prezanton platformën online ndërsa Rama ironizon procesin e PD-së. Përgjigjet Bardhi: Kandidaturat, Rama preferon t’i këshillojë me krimin

Brenda muajit tetor, Partia Demokratike pritet të emërojë drejtuesit politikë të qarqeve, të cilët do kenë peshën kryesore të fushatës për zgjedhjet e 25 prillit. Burime në PD, shprehen se do jenë figura me peshë jo vetëm në PD, por edhe në zonat ku ata do kryesojnë listat.

Të njëjtat burime saktësojnë se Tirana do ketë disa drejtues politikë, ku mes tyre nuk përjashtohet dhe prezenca e kryetarit të PD-së. Tirana merr vlerë të shtuar, pasi është qarku që nxjerr 35 deputetë.

Burimet thanë, se Basha ka pritur dhe përfundimin e fazës së tretë të votimit brenda PD-së, për të marrë një vendim se kush do jetë pjesë e shtabit qendror elektoral.

Kandidatët

Ndërkohë procesi i kandidaturave për zgjedhjet e ardhshme vazhdon të marrë vëmendje të lartë në opinionin publik. Kjo duket dhe nga kompleksi që i ka shkaktuar kundërshtarit, i cili ndjek çdo fazë dhe çdo zhvillim në kampin opozitar. Diskursi i Edi Ramës dhe sidomos ai i Erion Veliajt e tregojnë më së miri këtë.

Anëtari i komisionit të vlerësimit të kandidaturave, Besnik Mustafaj tha dje se përzgjedhja e kandidaturave pritet të përfundojë këto ditë. Zoti Mustafaj, u shpreh se nga baza drejt komisionit të vlerësimit, janë përzgjedhur rreth 400 kandidatë, dhe nga këta 300 do i kalojnë kryesisë e cila do bëjë dhe përzgjedhjen finale.

Janë rreth 400 kandidatë deri tani, ndërsa kryesisë së partisë mund t’i çojmë rreth 300 emra. Për pak ditë besoj se përfundojmë me këtë proces”, tha Mustafaj.

Në fund duhet të ngelen vetëm 140 kandidatë në bazë të Kodit të ri Zgjedhor. Në bazë të udhëzimit të PD 20 % e kandidatëve do zgjidhen nga kryesia, kandidatë që i përkasin shtresës së të përndjekurve, pronarëve apo shoqërisë civile.

Më tej janë dhe kandidaturat që futen pa garë, si kryetari i Partisë, nënkryetarët, sekretari i Përgjithshëm, si dhe ish-kryeministrat dhe presidentët e PD, natyrisht në rast se nuk janë larguar nga partia dhe të jenë angazhuar në ndonjë forcë tjetër politike.

Me pak fjalë, kryesia nga lista e bazës do dërgojë për votë në popull rreth 106 emra nga ata që u votuan, ndërsa pjesa tjetër prej 34 emrash do vendoset nga kryesia, duke marrë parasysh dhe 30% e prezencës së femrave në lista.

Zgjedhjet në PD, të parat e këtij lloji nga një parti politike në Shqipëri, kanë marrë dje vëmendjen dhe të kryeministrit Rama gjatë prezantimit të platformës online “deputeti që duam”.

Një platformë që siç e kemi thënë dhe më parë vështirë të aksesohet nga shumica e elektoratit të PS, me një përbërje të madhe të moshës së tretë, nostalgjike të sistemit të kaluar.

Po sikur në votimet e PS të kishit marrë mbarë kutitë e votimit dhe të kishit votuar me 46 herë në 32 kuti, ç’do kishit bërë ju? Për PD-në asgjë fare! Cili është plani juaj me 5 pika, pyetje konceptuale me vështrim strategjik! Çfarë duhet të bësh këtu, të qajmë, kështu është për të qarë! Sa herë dalin këta, po të mos kuptosh që këta s’kanë gjë në dorë, këtu është për të qarë”, tha Rama duke u munduar të ironizojë zgjedhjet brenda PD-së.

Por përgjigjja nuk ka vonuar. Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazment Bardhi me anë të një statusi në rrjetet sociale, shprehet se Rama preferon që kandidatët t’ia zgjedhë krimi.

Edi Rama i frikësuari i madh nga zgjedhjet brenda partisë së tij qenka marrë sot me procesin demokratik të përzgjedhjes së kandidatëve në PD. Ekzaktësisht i njëjti kryetar partie, që për të mbajtur Dakon me shokë në kryesinë e PS, anuloi zgjedhjet për organet drejtuese në partinë e tij.

I njëjti që tallet me procesin e përzgjedhjes së deputetëve në partinë e tij duke i trajtuar ata si porte e aeroporte në 3D. Nuk ka shqiptar që nuk e di, që Edi Rama përzgjedhjen e kandidatëve në Partinë e tij e bën në bashkëpunim me krimin e organizuar.

Kush e ka harruar, më poshtë gjen një provë të qartë që e ka dëgjuar e gjithë bota!”, është shprehur Bardhi që ka e shoqëruar postimin e tij me një pasazh nga dosja 339 e Shijakut, ku Astrit Avdylaj i njohur me pseudonimin Niçja, flet për një garanci që ka marrë nga PS për të vendosur në listat e kandidatëve njerëzit e tij. MAPO.al

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES

Most Popular