BallinaOP ED“Liria dhe Ndryshimi”

“Liria dhe Ndryshimi”

Nga Ardin Gjinali

Frymimi mekanik dhe përshpërimat njerëzore në kufijtë e frikës  gjatë gjerbjes orientale të filxhanit të kafesë janë elementët e duhur nxitës për  helmin që gangrenizon trupin e sëmurë të një shoqërie që ndjen, por nuk e ndal dot regresin e demokracisë dhe  vështron me pafuqinë paralizuese kapjen e shtetit me kthetrat e pushtetit duke rendur drejt autokracisë. Në autokraci ose në rendin e  pararendjes  tek e njëjta, vlera thelbësore e lirisë merr një rëndësi të shtuar në kushtet kur e tilla tentohet të përvidhet, cënohet, tjetërsohet  përmes instrumentave institucionalë të shtet-pushtetit , instrumenta të materializuar nga një enturazh djallëzor politik që rreket të prezantojë rrejshëm sëmundjen kronike të keqqeverisjes si shëndet politik të demokracisë.

Demokracia e gënjeshtërt në thelb, por e paraqitur si e vërtetë në fasadë  përmes një kinse realiteti të sponsorizuar nga logjistika e bollshme e propagandës së  shtet-pushtetit, e tilla  që rrit fuqinë e saj në përpjesëtim  të drejtë  me dobësimin dhe kufizimin e hapësirave të lirisë, demokracisë dhe reagimit shoqëror, gjithashtu.  Qënësia  e shtet-pushtetit dhe medet-  qeverisjes  bazon ekzistencën e saj politike në heshtjen qytetare përmes instrumentave të frigimit nga i gjithë pushtetshmi; në kultivimin e një retorike përçmuese nga segmente të shtet-pushtetit të veshura në kamuflazhin e shoqërisë civile  që përcaktojnë djallëzisht politikën si problemi që nuk zgjidh dot të njëjtin; në tjetërsimin  e  qëllimtë të çdo vlere shoqërore duke paraqitur banalitetin si thjeshtësi, vulgaritetin  si tendencë shoqërore, mediokritetin intelektual si meritë njerëzore, kopjimin mekanik si risi ideore dhe  fjalën e diktuar të oborrtarit të pushtetit si mendim vetanak i një intelektuali të lirë.

Individi i robëruar dhe peng i  interesave që e shndërrojnë të njëjtin në një qënie thjeshtë dhe vetëm  frymore përbën thelbin e së ashtuquajturës liri mekanike që dhurohet në funksion të qëllimeve të shtet-pushtetit për të mbajtur në këmbë ngrehinën e gënjeshtërt të fasadës demokratike ku tentohet të paraqitet shteti i ndarë nga pushteti dhe liria mekanike si individuale, gjithashtu. Liria mekanike  garanton ekzistencën  e një shoqërie në kufijtë e të mbijetuarit rutinor ku imponohen ndaj shoqërisë  pritshmëritë minimaliste si një mjet që dobëson  reagimin shoqëror duke e përjetuar keqqeverisjen dhe abuzimin me pushtetin si një zakonshmëri.  Liria mekanike është oksigjeni në trupin politik të autokracisë qeverisëse dhe karboni helmues për një shoqëri të lirë  që tentohet ti mbytet zëri i reagimit përmes varfërimit, shkurajimit dhe shpopullimit.

Liria individuale është antidoti ndaj vendosjes së plotë të autokracisë; e tilla është thelbi që garanton shëndetin demokratik të një shoqërie duke nxitur mirëqeverisjen , llogaridhënien, transparencën dhe forcimin e mendësisë dhe vetëdijes demokratike, gjithashtu. Liria individuale është thelbi i ekzistencës efektive së një shoqërie; liria territoriale e një shoqërie sigurohet nga veprimi pro aktiv i një bashkimi  individësh  të lirë, por  mungesa e lirisë individuale e kthen lirinë territoriale në një koncept sovranist që do të keqpërdoret nga retorika e keqqeverisësit.

Drama e sotme e keqqeverisjes është errësira që mjegullon të tashmen dhe e percepton të ardhmen në kufijtë tragjikë të mungesës së shpresës dhe besimit për arritjen e një ndryshimi thelbësor; i tilli që arrihet përmes pjesëmarrjes së gjerë qytetare që buron nga vokacioni i lirisë dhe zëri i brendshëm i integritetit personal njerëzor që thyen barrierat e interesave të ngushta meskine dhe llogarive të vogla që garantojnë përfitimin afatshkurtër.

Individi është aktori thelbësor që do të mundësonte inkurajimin dhe kultivimin e një fryme ndryshimi  të vërtetë përmes betejës për lirinë dhe vendosjes së standarteve demokratike. Pritshmëritë e mëdha për një ndryshim të qënësishëm mund të realizohen përmes bashkëveprimit të të gjitha flukseve shoqërore të rradhitura për të njëjtin qëllim; përmes një bashkimi të madh  për ndryshim në Shqipërinë e normalitetit të nesërm; në Shqipërinë e ditëve më të mira me një Kryeministër normal dhe një qeveri normale që do të garantonte ndryshimin.

25 Prilli është dita e fitores së lirisë individuale; është dita dhe data që përcakton rolin e individit që merr në dorë fatin personal dhe përmes të tillit, të ardhmen e shoqërisë në tërësi. Pjesëmarrja dhe ushtrimi demokratik i të drejtës për të votuar është shprehja më e lartë e lirisë që do të përmbysë llogaritë e keqqeverisjes sunduese sepse ka ardhur koha që vendi të qeveriset.

Koha është tani ! Bashkë sepse ka ende shpresë…..

 

 

 

 

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES

Most Popular