Presidenti Ilir Meta i ka dërguar një letër Ramës, Manastriliut dhe Ruçit lidhur me përkeqësimin e situatës pas rekordit të djeshëm të ‘zi’ nga COVID-19.
Meta thekson se situata po shkon drejt një katastrofe dhe duhet parandaluar në kohë.
Po ashtu ai thekson se në këtë moment me këtë përkeqësim duhet një rivlerësim tërësor i situatës dhe masave të ndërmarra. Përpos paralajmërimit Meta shtron edhe 11 pyetje Ministrisë së Shëndetësisë dhe për dijeni kryeministrisë e Kuvendit, lidhur me situatën dhe masat.
Meta do të dijë se kur do të rritet numri i testimeve, a ka Shqipëria staf mjekësor mjaftueshëm për të gjurmuar kontaktet, rolin e mjekut të familjes, rimbursimin e shpenzimeve për trajtim, sa kapacitete spitalore dhe reanimatore janë vendosur në dispozicion të të sëmurëve me COVID-19 dhe atyre me sëmundje kronike, plani për vaksinën, financimet që janë ndërmarrë si dhe fondet që janë parashikuar në buxhet për në vijim.
Ditën e djeshme Shqipëria shënoi rekord viktimash, pasi 7 pacientë humbën jetën teksa rastet dita ditës janë mesatarisht rreth 300.
STATUSI NGA ILIR META
Nisur nga përkeqësimi i dukshëm i situatës së pandemisë COVID-19, me shtim të numrin të personave të infektuar, e fatkeqësisht me rritje edhe të numrit të qytetarëve të cilën kanë humbur jetën, shtrohet si domosdoshmëri një rivlerësim tërësor i situatës dhe masave të marra në raport me të, duke konsideruar edhe afrimin e stinës së ftohtë, si një tjetër faktor rëndues.
Me përshkallëzimin e krizës së rëndë politike e institucionale, veçanërisht pas shkeljes brutale e të njëanshme të Marrëveshjes konsensuale të 5 Qershorit, situata e pandemisë pritet të përkeqësohet drejt një katastrofe, që duhet parandaluar në kohë.
Në këto kushte, po bëj publike letrën zyrtare që i kam dërguar ministres së Shëndetësisë, për dijeni Kryeministrit ende në detyrë dhe Kryetarit të Kuvendit.