BallinaOP EDPak dritë mbi do rrethana të procesit të Hagës

Pak dritë mbi do rrethana të procesit të Hagës

Nga Eden Babani, Bruksel

Mbrëmjen e së enjtes së kaluar në programin “Opinion” të TV Klan, Dr. Berisha e konsideroi të paralajmëruar prej vitesh procesin e Gjykatës së Hagës kundër disa krerëve të UÇK-së, si një tentativë për të sulmuar luftën çlirimtare në Kosovë. Ish-Kryeministri akuzoi drejtpërsëdrejti Beogradin, vendin ku u ngjiz dhe “u fermentua procesi, duke përdorur senatorin zviceran  Dick Marty, rusofil e serbofil me çizme në shërbim të Presidentit serb Vuçiç, mik i Edi Ramës”.

Deklarata e Dr. Berishës, më hodhi te disa nga shkrimet e mia në të përditshmen 55 gjatë periudhës dhjetor 2010 – janar 2011. Kanë të bëjnë me ngjarje që koha i flluskoi sërish në sipërfaqe dhe i vuri në rend të ditës.

Pa dashur të përsëris vetveten, mendoj se, duke sjellë ndonjë fragment prej tyre, mund të hedh pak dritë në do rrethana të veçanta të  Procesit të Hagës.

* * *

Në dhjetëvjeçarin e parë të këtij shekulli, fusha e betejës antishqiptare u zhvendos nga Beogradi, bash në Zvicrën e Dick Marty-t. Pse?

Ja mendimi im, i shprehur në shkrimi me titull “Një zhurmënajë me kast”, dhjetor 2010.

Fragment 1

…Është fakt i pakundërshtueshëm që Alpet Helvetike njihen si qendra ku u strehuan dhe u rehatuan shërbimet sekrete të vendeve të ndryshme, qysh përpara Luftës së Parë Botërore. Aty e zhvilluan veprimtarinë e tyre edhe në periudhën mes Luftës së Parë dhe Luftës së Dytë.

S’ka dyshim se të gjitha vendet pjesëmarrëse në konfliktet e përbotshme të shekullit të kaluar, – të nxehta e të ftohta, – e kanë pas njohur këtë të vërtetë, duke qenë se vinte nga fusha e betejës mes syresh. Pa as më të voglin dyshim, e njohin sot e gjithë ditën, sepse kanë qenë në dijeni. E dinë mirëfilli edhe vetë shtetarët e Konfederatës së vogël Helvetike. Me një fjalë, të gjithë e kanë pranuar këtë të vërtetë, ani se kanë bërë të paditurin. Ama, po të mblidheshin librat me kujtime të spiunëve më të mëdhenj që ka njohur historia e njerëzimit shpërndarë bibliotekave të ndryshme anekënd botës, këndi zviceran – le ta quaj kështu – do të përbënte ndoshta më interesantin. Nuk do të çuditej kush, pra, nëse në mjedisin më pjellor të spiunazhit do të hidhte shtat ndonjë filiz antishqiptarizmi… Ujku do mjegull. Dhe ujku grabitqar serbomadh zor se do të gjente mjegullnajë më të përshtatshme informimi a dezinformomi mediatik. Ishte e pritshme që serbizmi ta rimerrte vrullin e ri revanshist më lehtë gjetiu, sesa në Beogradin e leqendisur dhe plot me shovinistë të konsumuar e groteskë. Në kushte të tilla, me sa duket, parapëlqeu bash qendrën gjeografike të Europës. Dhe ja ku na dolën në skenë aktorë të rinj. Me statusin e diplomates, zonjës Del Ponte nuk do t’i shkonte më përshtat të amplifikonte dyshimet e publikuara në broshurën e vet “Gjurma”. Këtë herë, kali i betejës antishqiptare i duhej besuar dikujt tjetër. Më i përshtatshmi sigurisht, do të ishte bashkëkombësi nga Lugano, Dick Marty, njeri me potencial të njohur antishqiptar…

Fragment 2

…Fill pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, Marty do t’i jepte një intervistë gazetares zvicerane Silvia Cattori, botuar më 12 mars 2008 në “Edicioni Ndërkombëtar Volter”. Shpërthimi i helmit të bashkëkombëses gazetare të Carla Del Ponte-s dhe të Dick Marty-t ndaj shqiptarëve bie në sy qysh në titull:“Kutia ballkanike e Pandorës” – “Pavarësia e Kosovës nuk u vendos në Prishtinë”. Me këtë dashakeqësi të paskajshme, gazetarja zvicerane ka paragjykuar qysh në zanafillë të procesit se pavarësia e Kosovës do të shkaktonte katastrofa për gjithë rajonin. Kjo është edhe kuintesenca e intervistës, e cila synon t’u mohojë shqiptarëve të Kosovës luftën e tyre për liri e pavarësi. Pa i lënë kohë të njihet me brendinë e intervistës, thua se synon ta hipnotizojë lesuesin, Silvia Cattori e përmbledh tërësinë e pyetje-përgjigjeve në një rezyme shumë kuptimplote: “Kosova e shpalli pavarësinë në mënyrë të njëanshme, më 17.02.08”.

Fragment 3

…Asohere Kryetar i Komisionit për Politikën e Jashtme në Këshillin e Shteteve të Konfederatës, Dick Marty, siç del nga pyetje-përgjigjet që ndjekin rezymenë e mësipërme, iu kundërvu politikës zyrtare të Zvicrës, e cila njohu ndër të parat Kosovën e Pavarur. Pyetjes mos vallë kjo njohje përbënte një precedent të rrezikshëm, Marty i përgjigjej se ai nuk e kishte kuptuar asnjëherë qëndrimin zonjës Calmy-Rey, ish Ministre e Jashtme, e cila, qysh në vitin 2006, ishte shprehur haptazi pro pavarësisë së Kosovës. Sa më sipër, nuk lë asnjë dyshim se Dick Marty, ka qenë i interesuar qysh herët që Kosova të mbetej provincë e Serbisë.

* * *

Nga shkrimi me titull “Kur shoh ujkun, s’kam pse kërkoj gjurmët”, janar 2011. Për këtë shkrim, më pati cytur një tjetër intervistë e Dick Marty-t për “Albinfo”, Zvicër.

Fragment 1

…Luhatur mes së vërtetës dhe së pavërtetës, intervista është sa befasuese dhe e ngutur, aq e çuditshme dhe kontradiktore. Befasuese, sepse e fundosi me gojën e vet bashkatdhetaren Del Ponte, nga libri i së cilës huajti “llafollogji” për të shpërndarë pluhur antishqiptar. S’la gjë, për të tjerët. Madje ia kaloi edhe zëdhënëses së ish-prokurores së Gjykatës Penale Ndërkombëtare të Hagës, zonjës Florence Hartmann, e cila para do kohe pati deklaruar se libri i Carla Del Ponte-s ishte bazuar mbi disa hipoteza të thjeshta, paraqitur si prova… Duke dashur të lehtësojë shpirtin e vet, ai deklaron se paskësh dashur të dinte përse dikush që “kishte një përgjegjësi juridike në rajon”, – nënkupto: ish-prokurorja! – bëri “deklarata të tilla pasi u largua nga funksioni” dhe, për më tepër, “përmes një libri”. Por intervista është edhe e ngutur, sepse do të treteshin shpresat që diplomati të rrëfehej një ditë, teksa brenda një jave raporti-pjellë e tij do të kalojë në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës. Duket açik, pra, se atë diç po e shqetëson. Aq më tepër kur pranon se kishte menduar që kjo ndërmarrje, ndoshta e fundit në karrierën e vet, do t’i hapte telashe, në moshë prag-pensioni.

Fragment 2

…Në të njëjtën kohë, intervista e zotit Marty është edhe kontradiktore, edhe e çuditshme. Nga përgjigjja në përgjigje, ai kundërshton vetveten. Çudia merr përmasa groteske kur kundërshtia të vret sytë brendapërbrenda të njëjtit arsyetim logjik. Aty shtiret pro çështjes kosovare dhe luftës për çlirim, kinse i prekur prej veprimeve “të marra (të çmendura, EB) e kriminale” të Milosheviçit. Po aty thotë se NATO qenka ngutur me ndërhyrjen e vet, sepse qenkan shkelur ca rregulla të së Drejtës Ndërkombëtare. Po e drejta universale për mbijetesë, aq më tepër e një populli të tërë, mos vallë është në funksion të së Drejtës Ndërkombëtare, pas së cilës qenka marrosur kaq tepër zvicerani “mik i shqiptarëve” (sic)? A e përfytyron dot ky mbrojtës i zjarrtë i së Drejtës Ndërkombëtare se çfarë kërdie do të bënin bandat e paramilitarëve të Arkanit në Kosovë, po të mos ndodhte ndërhyrja e NATO-s? A ka dëgjuar ndonjëherë zoti Marty sa kosovarë braktisën trojet e tyre etnike dhe morën arratinë për të shpëtuar jetën e foshnjave, të grave, të pleqve e të plakave?… Logjikës së tij zvicerane, shqip i thonë mbill e mos korr. Zotëria i nderuar prej Tessin (italisht: Ticino), ku lartësitë mbi 3000 metra i kalojnë këto tonat dhe ku ujku nuk është i panjohur, duhet të dijë ndonjë shprehje të gjuhës së vet për ujkun. Ne kemi tonën: “Kur ke përpara ujkun që po të çan, mos kërko gjurmët!”

Fragment 3

…Më në fund, a e pranon një mendje e shëndoshë se mund të bëhen transplantime në kushte katastrofike të higjienës? Për vete, më lehtë do të kisha besuar që në atë shtëpi të verdhë, – “lyer më vonë me gëlqere të bardhë!…”, – ku janë gjetur ato të famshmet gjurmë gjaku, u ça barku i një serbi për qëllime hakmarrjeje ose për t’ia bërë të përbrendshmet kukurec, sesa zonjën Del Ponte dhe bashkatdhetarin e saj, të cilët pretendojnë për trafik organesh. Sepse kanibalizmi është i njohur edhe në kohën tonë, ndonëse jo rëndom. Ndodhi këta vjetët e fundit në Gjermani, ku një homoseksual, pasi vrau dashnorin e vet, ia ruajti të përbrendshmet në frigorifer dhe ia hëngri ca nga ca, sepse… e donte shumë!…

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES

Most Popular