Teknika kryesore diagnostikuese për të vlerësuar praninë e SARS-CoV-2 në një mostër biologjike, e marrë zakonisht me anë të një tamponi (tamponi nazofaringeal), është ajo e RT-PCR. Por besueshmëria e kësaj teknike, është vënë në dyshim në mënyrë të përsëritur nga personazhe që janë pasionuar pas botës së konspiracioneve.
Midis tyre është shumë popullore ideja se në fakt nuk ka asnjë virus të ri, dhe se fajtore për pandeminë është vetëm testi, që gjen atë që ka ndërmend të gjejë. Kjo gënjeshtër mbi të cilën bazohet ky lexim i rreme i realitetit, është se meqë RT-PCR është një teknikë e bazuar në kopjimin e gjenomit viral, ajo prodhon ndonjëherë edhe rezultate pozitive false, për shkak të një mekanizmi të pasaktë të kopjimit.
Duke nxitur dyshime mbi saktësinë e teknikës, teoricienët e konspiracionit apo mohuesit e realitetit, pohojnë se gjenomi i virusit është një mashtrim, se virusi nuk ekziston, dhe se Covid është një shpikje për të “na tërhequr vëmendjen” nga dëmet që do të na shkaktojnë rrjeti 5 G, nga imponimi i vaksinave, dhe gjëra të tjera të ngjashme, që të gjitha të nxitura nga premisa e vetme false se e gjithë kjo është shkaktuar nga testi diagnostikues, RT-PCR.
Si funksionon testi RT-PCR?
PCR është një metodë e shpikur në vitin 1983, dhe e përdorur gjerësisht në diagnostikimin e shumë patologjive, dhe jo vetëm të atyre infektive. Në një studim të botuar në muajin gusht nga Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve në SHBA (CDC), një organ që sigurisht që nuk mund të akuzohet për bashkëpunim me “partinë e koronavirusit”, RT-PCR tregohet si metoda e zgjedhur për diagnozën e SARS-CoV-2, e përdorur me një protokoll standard në të gjithë botën.
Kjo teknikë lejon kopjimin shumë herë, në mënyrë që të jetë në gjendje që ta përcaktojë atë, të gjenomës virale – nëse ajo është e pranishme – e nxjerrë nga qelizat e marra nga njerëz të infektuar ose të supozuar të infektuar me anë të një tamponi.
Kjo fazë kopjimi, e quajtur ndryshe si amplifikim, shërben pikërisht për ta bërë sekuencën virale të përcaktueshme nga ana sasiore. Në fund të procesit, është e mundur të thuhet nëse ekziston dhe në çfarë përqendrimi është masa e ngarkesës virale.
Mekanizmi i kopjimit është i mundur falë të ashtuquajturve adaptorë, të sintetizuar në mënyrë të përkohshme dhe të aftë të njohin vetëm 3 gjene virale specifike për virusin që hulumtohet, në këtë rast SARS-CoV-2. Specifika e gjeneve të synuara (3 gjenet specifike virale), bën të mundur që të dallohet prania e atij virusi nga të gjithë të tjerët, edhe nëse i përket “familjes” së vet.
Mungesa e atyre tre gjeneve nuk lejon mekanizmin e kopjimit që në përgjithësi ndodh për një total prej 45 ciklesh, ku secila karakterizohet nga një fazë e njohjes së adaptuesve nga 3 gjenet e synuara, kopjimi i sekuencës dhe shkëputja e adaptorëve.
Në sistem futet kontroll pozitiv i referencës, d.m.th një mostër patjetër pozitive. Dhe fakt është krahasimi midis rezultateve në kampionin biologjik nën shqyrtim dhe kontrollit referues, ai që përcakton pozitivitetin e mundshëm të kampionit biologjik fillestar dhe ngarkesën e tij virale, dhe për këtë arsye edhe diagnozën pasuese për personin që i është nënshtruar tamponit. Mënyra se si funksionon i gjithë mekanizmi, na tregon qartë se është marrëzi të mendohet se mund të diagnostikohesh si pozitiv nëse nuk ka gjurmë virale në mostrën e tamponit./bota.al