EMRAT/Kush po i mbron liderët e UÇK-së në Hagë?

0

Avokatë të njohur ndërkombëtarë po mbrojnë ish-pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës – (UÇK), të cilëve tashmë u janë konfirmuar aktakuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit nga Dhomat e Specializuara të Kosovës, me seli në Hagë.

Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi e Salih Mustafa, në proceset e tyre gjyqësore do të mbrohen nga juristë që kanë shërbyer edhe si prokurorë dhe që kanë fituar raste të njohura që lidhen me krimet e luftës duke përfshirë gjenocidin në Ruandë, vrasjet në luftërat e hapësirave të ish-Jugosllavisë si dhe krimet lufte të kryera në vende të ndryshme të botës.

Mbrojtja e Hashim Thaçit

Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi deri tash ka prezantuar një ekip mbrojtës prej tre avokatësh.

Pierre –Richard Prosper është avokati kryesor i mbrojtës i Thaçit, që gjatë luftës ka qenë drejtor politik i UÇK-së. Prosper ka një karrierë të gjatë të punës në hetimin e krimeve të luftës. Ai ka mbajtur disa pozicione të rëndësishme siç është pozita e ambasadorit të Përgjithshëm për Çështjet e Krimeve të Luftës nën administratën e ish-presidentit amerikan, George W. Bush. Këtë funksion, ai e ushtroi nga 2001 deri më 2005.

Gjatë vitit 1996 deri në fund të vitit 1998, Prosper shërbeu si prokuror i krimeve të luftës në Gjykatën Penale Ndërkombëtare të Kombeve të Bashkuara për Ruandën.

Gjatë asaj kohe ai procedoi çështjen e parë të gjenocidit sipas Konventës Universale për të Drejtat e Njeriut mbi Parandalimin dhe Ndëshkimin e Krimit dhe Gjenocidit.

Përveç fitimit të gjyqit që zgjati 14 muaj, Prosper hapi gjithashtu terren të ri në të drejtën ndërkombëtare duke arritur që të bindë Tribunalin që të pranojë përdhunimin gjatë kohërave të konfliktit si një akt gjenocidi dhe një krim kundër njerëzimit.

Ish-presidenti Hashim Thaçi, doli para Dhomave të Specializuara më 9 nëntor dhe në mungesë të Prosperit, në seancë i pranishëm ishte avokati britanik, David Hooper.

Fusha e tij kryesore gjatë 20 vjetëve të fundit ka qenë në të Drejtën Penale Ndërkombëtare.

Hooper ishte avokat kryesor i mbrojtjes përpara Tribunalit Ndërkombëtar për Ruandën në rastin e Andre Rwamakuban, një ministër në Qeverinë Ruandës, 1994, dhe më vonë për At Nsengimanan, një prift katolik i akuzuar për gjenocid. Në fund të procesit, që të dy u shpallën të pafajshëm.

Një prej avokatëve të ish-presidentit Thaçi është edhe kosovari, Dastid Pallaska. Pallaska është i specializuar në banka dhe financa, bashkime dhe blerje dhe financim të projekteve.

Mbrojtja e Kadri Veselit

Britaniku Ben Emmerson do të jetë avokat mbrojtës i ish-kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Kadri Veselit që gjatë luftës ishte anëtar i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së.

Emmerson është i njohur për publikun kosovar, sidomos për proceset gjyqësore ndaj ish-kryeministrit Ramush Haradinaj në kuadër të Tribunalit Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë.

Haradinaj, mes tjerash ishte i akuzuar për përndjekje si dhe torturë gjatë luftës së fundit në Kosovë. Në të dyja proceset gjyqësore që u zhvilluan ndaj tij, Ramush Haradinaj ishte shpallur i pafajshëm.

Ben Emmerson ka përfaqësuar disa qeveri të huaja në lidhje me konfliktet e armatosura ndërkombëtare duke përfshirë atë të Kroacisë, Qipros, Gjeorgjisë dhe Ukrainës.

Ai ka përfaqësuar edhe themeluesin e WikiLeaks, Julian Assange, në lidhje me një përpjekje për ta ekstraduar atë në Suedi.

Përveç këtyre rasteve, Emmerson ka qenë avokat në shumë raste të zyrtarëve të lartë shtetërorë nga vende të ndryshme të botës.

Emmerson ka marrë pjesë në seancën e 10 nëntorit përmes video-lidhjes, ndërkaq në sallë ishte kolegu i tij, Andrew Cayley.

Ky i fundit është avokat britanik me një karrierë të gjatë në hetimin e krimeve kundër njerëzimit.

Image

Në kuadër të Tribunalit të Hagës, ai drejtoi hetimin kundër gjeneralit serb, Ratko Mlladiq.

Cayley, po ashtu ka qenë ndër prokurorët e parë në kuadër të Tribunalit të Hagës që kishte hetuar ish-pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK). Ishte prokuror në procesin gjyqësor ndaj Fatmir Limajt, Haradin Balës dhe Isak Musliut, të cilët akuzoheshin për kryerjen e krimeve të luftës.

Mbrojtja e Jakup Krasniqit

Jakup Krasniqi, ish-zëdhënës i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në paraqitjen e tij para Dhomave të Specializuara, tha se kishte vendosur që të mos angazhonte avokat mbrojtës pasi siç tha, besonte në pafajësinë e tij.

Mirëpo Krasniqi, tha se do është udhëzuar nga familjarët dhe miqtë që të këtë avokat.

Ish-kryetarin e Kuvendit të Kosovës, do ta mbrojë avokatja nga Malajzia, Venkateswari Alagendra.

Një prej rasteve me të njohura që ka përfaqësuar, Alagendra ishte kur ajo mbrojti Saif al-Islam Gaddafin, djalin e ish-diktatorit të Libisë, Muammar Gaddafi.

Mbrojtja e Rexhep Selimit

Rexhep Selimi do të përfaqësohet para gjykatës nga avokati britanik, David Young.

Ai është specialist i së Drejtës Penale, me ekspertizë në të Drejtën Penale Ndërkombëtare.

Një prej rasteve më të mëdha të tij është ai i Assad Hassan Sabra, që akuzohej për përfshirje në vrasjen e ish-kryeministrit libanez, Rafik Hariri.

Sabra në fund u shpall u pafajshëm.

Young udhëheqë një ekip të gjerë juristësh të cilët kanë qenë ose janë të përfshirë në mbrojtjen e klientëve të tyre pranë Gjykatës Penale Ndërkombëtare, Tribunalit Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë, Tribunalit për Ruandën, Dhomat e Specializuara të Kosovës, Tribunalit për Kamboxhian si dhe tribunale të tjera.

Mbrojtja e Salih Mustafës

Avokat më pak të njohur ndërkombëtarisht ka ish-pjesëtari tjetër i UÇK-së, Salih Mustafa që është i akuzuar për krime lufte.

Mustafën do të mbrojë holandezi, Julius Von Boné.

Von Boné kryesisht është marrë me raste lokale dhe ndihmon dhe këshillon në baza vullnetare organizatat dhe personat që janë futur në telashe financiare.

Për çfarë akuzohen, Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi?

Prokuroria akuzon Thaçin, Veselin, Krasniqin dhe Selimin për kryerjen e krimeve të luftës ndaj qindra civilëve dhe personave që nuk merrnin pjesë aktive në luftime.

Dhomat e Specializuara pretendojnë se për këto krime, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi mbajnë përgjegjësi penale si individë në bazë të formave të ndryshme të përgjegjësisë penale për krimet e paraqitura në aktakuzë.

Në aktakuzë pretendohet se nga marsi i vitit 1998 deri në shtator të 1999, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi, Jakup Krasniqi dhe anëtar të tjerë të “ndërmarrjes së përbashkët kriminale kanë ndarë qëllimin e njëjtë për të marrë dhe ushtruar kontrollin në gjithë Kosovën me të gjitha mjetet, përfshirë edhe frikësimin, keqtrajtimin, ushtrimin e dhunës dhe eliminimin e atyre që i konsideronin kundërshtarë”.

Sipas aktakuzës, viktimat ishin kryesisht njerëz që gjatë kohës së luftës u perceptuan si bashkëpunëtorë të forcave jugosllave, të zyrtarëve apo institucioneve shtetërore apo edhe që nuk mbështesnin qëllimet e UÇK-së.

Nga çlirimtar në i pandehur: Kush është Hashim Thaçi?

Kjo sipas aktakuzës, përfshinte edhe personat e lidhur me Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK) dhe persona të etnisë serbe, rome dhe etnive tjera.Aktakuza pretendon se Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, personalisht kanë marrë pjesë në “kërcënime, marrje në pyetje, keqtrajtimin dhe ndalimin e kundërshtarëve”.

Në aktakuzë përmendet edhe ekzistenca qendrave të ndalimit në Likoc, Jabllanicë, Llapushnik, Drenoc, etj.

Aktakuza ndaj Salih Mustafës

Dhomat e Specializuara kanë konfirmuar aktakuzë për krime lufte edhe ndaj ish-eprorit të UÇK-së, Salih Mustafës, i cili tashmë është deklaruar i pafajshëm për veprat që rëndojnë ndaj tij.

Në bazë të aktakuzës, Mustafa akuzohet për ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje e paligjshme.

Këto krime për të cilat akuzohet Mustafa, dyshohet se janë kryer gjatë muajit prill të vitit 1999 në një qendër ndalimi në fshatin Zllash që ndodhet në rrethinën e Komunës së Prishtinës.

Si Mustafa, ashtu edhe Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat me të cilat ngarkohen.

Si paguhet mbrojtja e të akuzuarve?

Në vitin 2015, Qeveria e Kosovës miratoi Ligjin për mbrojtjen juridike dhe mbështetjen financiare të personave të akuzuar potencialë në proceset gjyqësore pranë Dhomave të Specializuara.

Sipas këtij ligji, çdo i akuzuar ka të drejtën për ndihmë financiare dhe mbulim të shpenzimeve të mbrojtjes.

“Të gjithë personat e akuzuar kanë të drejtën e kërkesës për asistencë në mbulimin e shpenzimeve të mbrojtjes dhe të angazhimit të mbrojtësit të pavarur, me përvojë dhe kompetencë, që paguhen nga buxheti i Kosovës, i alokuara për qëllimet e këtij ligji”, thuhet në këtë ligj.

Rastet pranë Gjykatës Speciale në Hagë

Por, pavarësisht ligjit, mbetet e paqartë mënyra dhe forma e pagesës së disa prej avokatëve të cilët janë angazhuar nga ish-pjesëtarët e UÇK-së, që u është konfirmuar aktakuza.

Qeveria ende nuk ka përcaktuar se si bëhet selektimi i avokatëve dhe a ka ndonjë limit të caktuar deri në çfarë shume, mund të paguhet një avokat që mbron të akuzuarit.

Sipas Ligjit të vitit 2015, për ndihmë financiare për personat e akuzuar nga Gjykata Speciale, mbrojtja juridike e të akuzuarve, duke përfshirë edhe angazhimin e mbrojtësit, bëhet sipas akteve nënligjore që Ministria e Drejtësisë obligohet t’i miratojë.

Mirëpo ende nuk ekziston një dokument i tillë.

Në ndërkohë, Ministria e Drejtësisë në Qeverinë e Kosovës ka nxjerrë një udhëzim administrativ përmes së cilit, rregullohet mënyra se si mund të kërkojnë kompensim të gjithë personat që përballen me procese gjyqësore pranë Dhomave të Specializuara të Kosovës dhe që me vendim të formës së prerë shpallën të pafajshëm.

Deri më tani, Qeveria e Kosovës ka shpenzuar rreth 61 mijë euro nga buxheti i Kosovës për të mbuluar shpenzimet e disa prej personave të intervistuar nga Prokuroria e Specializuar.

Mjetet e ndara nga Kosova për mbrojtje para Dhomave të Specializuara

Në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë, më 9 nëntor, Ministria e Drejtësisë së Kosovës ka thënë se për këtë vit buxheti i ndarë për këtë çështje ka qenë rreth 7 milionë euro. Për vitin 2021 janë ndarë rreth 6.7 milionë euro.

Por, të akuzuarit kanë edhe një mundësi të angazhimit të avokatit mbrojtës. Sipas Ligjit për Dhomat e Specializuara, çdo person i akuzuar që nuk ka mundësi financiare për të angazhuar një avokat, atij i garantohet e drejta që të ketë përfaqësim ligjor pa pagesë.

Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar – që ndryshe njihen edhe si Gjykata Speciale – hetojnë krimet e pretenduara të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë që nga janari i vitit 1998 e deri në dhjetor të vitit 2000.

Këto krime të pretenduara përmenden në një raport të Këshillit të Evropës, të vitit 2011, autor i të cilit është senatori zviceran, Dick Marty.

 

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.