BallinaKryesoreNjë shtet i këputur ushkurësh mes Andi Lilës dhe Cikalleshit

Një shtet i këputur ushkurësh mes Andi Lilës dhe Cikalleshit

Nga Ergys Mertiri

Ditën që Kryetari i Bashkisë pozonte buzëqeshur përkrah sulmuesit të Kombëtares Sokol Cikalleshi, në një foto banale propagandistike, që kërkon të gënjejë qytetarët, kinse pushteti i rilindjes gëzon mbështetje, një video shpërtheu rrjetet sociale, ku një ish-lojtar i Kombëtares, Andi Lila, pengohej të jepte një intervistë në një fushë sportive në Kavajë.

Në video shfaqej një person që u shpreh se ishte drejtori i sporteve të Bashkisë, i cili i lutej Lilës “si vlla” të mbaronte punë sa më shpejt, pasi e kishin detyruar ta largonte prej aty. I zënë në faj, ai i shpjegonte ish-futbollistit të kombëtares se ish vënë në siklet të madh nga kjo, dhe, siç e përforcoi një tjetër në krah të tij, për këtë mund ta hiqnin prej pune. “Për zotin na ve në siklet, dhjetë vetë më kanë marrë në, telefon, po më dridhet zemra”, – shprehej i turpëruar funksionari i bashkisë.

Në krah të tij, qendronte një punonjës policie, gjithashtu i zënë në faj, i cili pohoi se kishte urdhër nga komandanti për të larguar Andi Lilë nga fusha. Arsyet sipas të dyve, ishin krejtësisht politike. Sipas telefonatave që i kishin detyruar ata ta bënin këtë shëmti ishte thënë se “Andi nuk ka punë se është kundër me ne”.

Nuk mund të ketë shfaqje më të turpshme, më dëshpëruese, më neveritëse se kjo. Një shtet i lapangjozur në këtë farë derexheje sa të trembet nga një intervistë sportive e një ish-lojtari të kombëtares, dhe përpiqet ta pengojë nga kjo, duke e konsideruar kundërshtar politik, të ngjall krupën. Por gjithashtu, mungesa e respektit ndaj një sportisti që i ka dhënë jo pak futbollit shqiptar, tregon një nivel të mjerueshëm degradimi që përforcohet nga shfaqjet përkrah të tjerëve, të cilët mundohet ti paraqesë si të vetët.

Kjo shtë diçka që po rishfaqet prej javësh tashmë në Bashkinë e Tiranës, me një sërë artistësh, sportistësh e figurash të tjera të ekranit, të cilët Veliaj i përdorur si facoletë në këto ditë të vështira pragzgjedhjesh. Është e njëjta gjë që e ka bërë vazhdimisht edhe më herët me aktorët e teatrit, duke blerë disa syresh me projekte, fonde apo favore të vockla, ndërsa kërcënon e sulmon ata që nuk e shesin fytyrën tek tezga e qeverisë.

Cikalleshi hyri dje në grupin e parë. Ai përdhosi bluzën e kombëtares duke e bërë objekt elektoral për Kryetarin e Bashkisë, në një takim që nuk kishte asnjë arsye, përveç nevojave elektorale të pushtetit. Fakti dhe shumë të tjerë si ai, pranojnë të ndosin emrat e tyre me imazhin e një politike të tillë, duke tradhëtuar kështu profesionin dhe shumë nga admiruesit e tyre, tregon vetëm fuqinë kompromentuese të këtij pushteti.

Ndërkohë, drama tjetër, paralele me këtë, është ajo e punonjësve që detyrohen të pranojnë përdhunimin e dinjitetit të tyre, për të zbatuar urdhëra të turpshëm. Të shohësh një funksionar institucioni që përbetohet se po vepron kundër dëshirës së tij, i detyruar nga kërcënimi i bukës së gojës, është më shumë se e trishtë. Kjo në fakt, është drama e një mase të madhe punonjësish të administratës publike, të përdorur përdhunshëm për shërbime politike të një pushteti të lodhur e skaduar prej kohësh. Këtu shtetit i janë këputur ushkurët dhe i kanë dalë hallatet në shesh.

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES

Most Popular