BallinaKryesorePazari i Milotit, “bombë biologjike” në kohë pandemie!

Pazari i Milotit, “bombë biologjike” në kohë pandemie!

Nga Elton LASKA

Lufta ndaj pandemisë është vetëm propagandë pasi realiteti në terren është i trishtë dhe me pasoja fatale për vendin. Parashikimet ogurzeza për shifra të frikshme të numrit të vdekjeve, tashmë janë realitet, ndërsa shifrat e paraqitura nga Ministria e Shëndetësisë, janë të racionuara dhe nuk përputhen më të vërtetën.

Në një kohë kur qytetarët gjobiten për mosmbajtje maske, në tregun e Milotit, këtë të dielë që po vjen, pritet të vijoj normalisht aktiviteti, duke rrezikuar ta kthejnë këtë qytezë në një “bombë” epidemiologjike.

Nuk po flasim për standarde higjeno-sanitare, pasi do ishte utopi t’i kërkohet llogari Bashkisë Kurbin për këtë, por po flasim për periudhë pandemie, ku nuk respektohet asnjë rregull minimal sigurie.Të emëruarit, njohin llogarinë vetëm karshi shefave në Tiranë dhe jo ndaj sovranit në Kurbin.

Qytetarë nga mbarë veriu i vendit, kryesisht nga Mirdita, Burreli, Lezha dhe Shkodra, që janë edhe në zonën e kuqe të infektuar me Covid-19, pushtojnë, si zakonisht, çdo të diel, pazarin e Milotit.

Panorama është e zymtë dhe pasojat do jenë fatale, nëse shteti nuk ndërhyn.

Është kjo qeveri që në 7 vite, nuk i hodhi një herë sytë as për kushtet minimale ndaj tregtarëve të Milotit, teksa tani vendin e tyre të punës po e kthen në një “bombë” epidemiologjike.

Asnjë polic, asnjë punonjës i Bashkisë Kurbin për inspektim, asnjë ambulancë, asnjë kontroll nëse janë respektuar distancat, aq sa mund të respektohen në kushte të tilla.

Vizitorët e tregut të Milotit, në darkë shkojnë pranë familjeve të tyre, teksa janë burim potencial i infeksionit, për familjarët dhe të afërmit. Bashkia Kurbin a e mori mundimin të vendoste një tabelë informuese? Po Komisariati i Policisë, Prefektura, Bashkia e Lezhës dhe e Mirditës?

Përgjigjia për këto është zero, pasi jeta dhe shëndeti i qytetarëve është prioritet i fundit i kësaj qeverie të dështuar, që në fokus ka PPP-të, koncesionet dhe vjedhjen.

Unë u bëj apel qytetarëve dhe tregtarëve të pazarit të Milotit të tregojnë kujdesin e duhur, pasi jemi të braktisur dhe në mes të një betejë të vështirë, ku po luftojmë me një armik të padukshëm dhe nuk e kemi mbështetjen e qeverisë. Si qytetar i Kurbinit dhe i qarkut Lezhë, i kërkoj qeverisë të bëjë transparente shifrat e të prekurve me Covid në qarkun tonë, t’i evidentojë këto vatra të përhapjes së infeksionit dhe të marrë masa për parandalimin e menjëhershëm.

Ftoj qytetarët e Kurbinit të jenë të kujdesshëm dhe në këtë betejë të ndihmojmë njëri-tjetrin.

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES

Most Popular