BallinaEkonomiNOA mund të jetë e para kompani shqiptare në Bursë

NOA mund të jetë e para kompani shqiptare në Bursë

spot_img
spot_img

Intervistë me Herjola Spahiu, drejtore e përgjithshme e NOA

Institucioni financiar NOA është i pari që shpall publikisht qëllimin për të hyrë në Bursë, nëpërmjet emetimit të obligacioneve korporative. Në një intervistë për revistën “Monitor”, Herjola Spahiu, drejtore e përgjithshme, thotë se bursa do t’iu jepte frymëmarrje mikrofinancës dhe gjithë ndërmarrjeve që kanë nevojë për financime për të rritur biznesin e tyre.

Zonja Spahiu thotë se sfidë për sektorin e mikrofinancës është e ardhmja e klientëve të tyre, që përfaqësojnë një segment të brishtë të biznesit dhe që duhen ndihmuar me skema të veçanta mbështetjeje nga qeveria shqiptare.

Në cilët tregues pasojat e pandemisë kanë qenë më të ndjeshme për institucionet e mikrofinancës?

Ndikimi fillestar lidhet kryesisht me arkëtimet. Ishin fillimisht kufizimet e lëvizjes, pastaj mënyra si u komunikua shtyrja e kredive, që krijoi idenë se askush nuk duhet të paguante, të cilat krijuan një moment vështirësie. Na u desh një komunikim intensiv me klientët, që të kuptonin se kredia duhej shtyrë vetëm në rast se ata kishin nevojë, sepse përndryshe kjo thjesht do të përkthehej në kosto, në formën e interesave shtesë. Impakti i dytë lidhej me likuiditetin dhe këtu flas më në përgjithësi për sektorin. Për NOA, ky problem ishte më pak i ndjeshëm, sepse ne kemi vite në treg dhe burime më të qëndrueshme.

Por, për ndërmarrjet më të reja, ky ishte një problem real në muajt e parë të krizës. Institucionet që nuk mbledhin depozita varen nga ripagesat e kësteve dhe nga linjat e financimit. Ne si NOA kishim linja të qëndrueshme në kohë, por kompanitë më të reja nuk i kishin këto burime. Rënia e likuiditetit i pengoi edhe për të vijuar kreditimin normal në muajt pas hapjes.

Një pjesë e mirë kanë filluar të financojnë vetëm në gusht dhe shtator. Nga ana tjetër, edhe kërkesa për kredi u prek, për efekt të kufizimeve të qarkullimit, por edhe për shkak të pasigurisë dhe hezitimit. Një sjellje të tillë ne e ndiem deri në qershor, kur pati një përmirësim të kërkesës.

Si paraqitet ecuria e biznesit pas hapjes së ekonomisë? 

Kërkesa e tregut është ulur dhe kjo vlen sidomos për investimet afatgjata, si nga bizneset, ashtu edhe nga individët. Ne sot po financojmë, po financojmë edhe më shumë se një vit më parë, por po financojmë nevoja afatshkurtra, si për shembull shpenzime operacionale, blerje inventari, pagesa tatimesh, etj. Investimet janë në përmasa shumë të vogla.

Mendoj se edhe kjo lidhet me hezitimin e njerëzve. Me vendosjen e detyrueshme të maskave, rritet frika se mund të ketë masa të mëtejshme shtrënguese, ndoshta edhe një mbyllje të dytë. Por përtej kësaj, te NOA, kërkesa në tërësi është e kënaqshme, por jo sepse ka një rritje të kërkesës në treg në tërësi, por sepse bankat, por edhe një pjesë e institucioneve të mikrofinancës, e kanë ulur ndjeshëm ofertën për kredi. Ne i jemi kthyer një ritmi normal të kredidhënies.

Sa të gatshme janë sot institucionet e mikrofinancës për të kredituar dhe për të marrë përsipër rrezik?

Në muajt e parë të pandemisë, ne adoptuam një politikë risku të përshtatur për periudha krize, që konsistonte në rritjen e marzheve të rrezikut, uljen e shumës maksimale, monitorime më të shpeshta në mjediset e biznesit. Por, që nga 1 korriku, jemi kthyer në politikën normale të rrezikut. Jo sepse duam të marrim rrezik më shumë nga sa mund të përthithim, por sepse ne procesin e lidhim me verifikimin te klienti. Kjo na ndihmon ta kuptojmë sa mund të ekspozohemi te një klient.

Megjithatë, ende po mbajmë kufij maksimalë ekspozimi për klient, më të ulët krahasuar me një vit më parë. Vitin e kaluar, ne i rritëm kufijtë e ekspozimit përtej bizneseve mikro, arritëm deri në 100 mijë euro. Tani jemi kthyer sërish te vlera deri në 50-60 mijë euro. Kjo edhe sepse nevoja nuk është edhe aq për investime, por kryesisht për nevoja afatshkurtra.

Sa e ka ndikuar deri më sot kriza cilësinë e portofolit të kredisë?

Ne, gjatë moratoriumit, riskeduluam rreth 30% të portofolit të kredisë. Pagesat për këto kredi nisën pas muajit qershor. Nga analizat tona, vetëm 8% e klientëve që dolën nga moratoriumi kanë shfaqur problematika me pagesat e kësteve. Këtu përfshihen ata që nuk kanë paguar fare, kanë paguar pjesërisht ose kanë kërkuar riskedulim të dytë. Ne parashikonim që rreth 20% e portofolit mund të shfaqte probleme, ndaj mund të them se situata është më e mirë nga sa e prisnim. Ne ofrojmë fleksibilitet të lartë në përcaktimin e kësteve, klienti mund të zgjedhë në varësi të ciklit të biznesit, periudhës së arkëtimeve, etj., në mënyrë që klienti të paguajë aq sa ka mundësi, në një moment të caktuar.

A ka ndikuar kriza në shtrëngimin e burimeve të financimit të aktivitetit të mikrofinancës?

Mungesa e depozitave na ka krijuar vështirësi me likuiditetin ndër vite, jo vetëm sot. Çdo hap për t’u rritur duhej shoqëruar me krijimin e likuiditetit për ta mbështetur këtë rritje. Ndaj, edhe jemi rritur me ritme graduale të portofolit, në intervalin mes 5% dhe 10%. Ne si NOA sot kemi rreth 33 milionë euro linja kredish të marra në tregun ndërkombëtar, por pjesërisht edhe në tregun lokal. Ne financohemi nga banka zhvillimi dhe fonde investimesh të huaja, që investojnë për zhvillimin e ekonomisë, nëpërmjet linjave të kredisë për institucionet financiare. Edhe me bankat lokale kemi pasur një partneritet të mirë.

Financimet nga jashtë i kemi kryesisht në euro, ndërsa kreditë i japim kryesisht në lekë, që klientit të mos i transferohet rreziku i kursit të këmbimit. Para tre vjetësh, kemi emetuar edhe një obligacion korporativ në lekë, si mënyrë alternative për të gjeneruar fonde. Këtë vit ky obligacion u maturua dhe kur u përgatitëm për të nxjerrë të dytin, shpërtheu kriza e COVID-19. Kjo e ngadalësoi pak projektin, por ne do të vazhdojmë të tentojmë ngritjen e fondeve në monedhë vendase, duke shfrytëzuar alternativat e tregut lokal.

Ju keni qenë seriozisht të interesuar për t’u bërë kompania e parë shqiptare që do të hynte në bursë. Vazhdoni t’i qëndroni këtij projekti?

Ne filluam projektin për të punuar me prospektin dhe gjithë dokumentacionin e nevojshëm, për të qenë gati në momentin kur bursa ALSE do të mund të ofronte këtë shërbim. Me shpërthimin e pandemisë, e pezulluam përkohësisht, por jemi gati ta lançojmë përsëri si projekt. Nëse do ta bëjmë këtë fundviti ose në fillim të vitit të ardhshëm, kjo do të varet nga nevojat për likuiditet, por jemi shumë të prirur për të hyrë në bursë. Duam të jemi ndër kompanitë e para që do të regjistrojmë obligacione korporative publike në bursë.

Kjo të ekspozon, por mendoj se është më mirë kështu, për t’iu dhënë mundësi investitorëve të vlerësojnë se ku duan të investojnë, çfarë rreziku duan të marrin përsipër, etj. Sigurisht, këtu do të jetë shumë e rëndësishme edhe konsulenca, por mendoj se kjo duhet të ndodhë dhe do t’i japë frymëmarrje jo vetëm institucioneve financiare, por edhe institucioneve të tjera private që kanë nevoja për financime.

Bëhet fjalë për listim obligacionesh dhe jo aksionesh?

Jo, aksionerët për momentin nuk janë në favor të listimit të aksioneve, por për obligacione patjetër.

Cilat janë sfidat kryesore për institucionet e mikrofinancës në rrugën e daljes nga efektet e krizës që ka shkaktuar pandemia?

E para është qëndrueshmëria e klientëve tanë. Skemat e garancive që u dizenjuan kanë qenë shumë pak funksionale për ta, sepse e tillë është tipologjia e klientëve që shërbejmë. Ata ia kanë dalë deri tani, po kanë shumë pikëpyetje për të ardhmen. Ne jep të prirur t’i mbështesim, por vjen një moment kur u kërkojmë të jenë të kujdesshëm, sepse nuk mund të marrin përsipër më shumë nga sa munden.

Mendojmë se ka nevojë për skema shumë më të forta mbështetëse. E di që edhe për buxhetin nuk është situata më e mirë e mundshme, por mendoj se duhen masa më krijuese dhe efikase për të mbështetur biznesin e vogël. Skemat që sot ndiqen për bujqësinë mund të shtrihen edhe në sektorë të tjerë, aq më tepër që sot ka akses në fondet e Bashkimit Europian. Duhet të krijojmë kapacitete për të përthithur fonde për të gjitha bizneset.

Problem tjetër shoh vendimin për të mos mbështetur institucionet financiare jo banka me skemat e garancive. Vërtet që në përmasë portofoli ne jemi pak, por në numër klientësh jemi shumë dhe kemi depërtim shumë të lartë sidomos në zonat rurale, ku informaliteti është i lartë dhe ku ke mundësi ta formalizosh tregun përmes nesh. Ato biznese janë edhe më të brishta, ndaj duhej patjetër një skemë për klientët tanë, jo për ne.

Mendoj se edhe qeveria duhet të ketë shumë më tepër ekspertë për të mbuluar të gjithë tregun. Ndaj, një sfidë për ne është ta bëjmë qeverinë të kuptojë se jemi pjesë e një sistemi zinxhir që kemi ndikim në ekonomi, ndaj duhet të jemi pjesë e këtyre skemave. Sfida tjetër lidhet me pasigurinë që përcjellin komunikimet e autoriteteve për të ardhmen. Kemi hyrë edhe në një fazë fushate, që e shton paqartësinë.

Duhet t’iu themi bizneseve dhe individëve ku po shkojmë dhe deri tani, shoh një vizion afatshkurtër, nuk shkon përtej 25 prillit. Pastaj ka edhe probleme të tjera, për shembull mungesa e siguracioneve për bujqësinë. Duhet një zgjidhje për fermerët dhe për tregun, jo për një kompani. Mund të duken si gjëra jo parësore, por mendoj se nuk ka prioritet më të madh se të mbështesim dhe t’iu japim jetë bizneseve.

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular