Vdekja e ish-deputetit të PS-së, Marko Bello pas infektimit nga Covid dha dy tablo: atë të ngushëllimit të të gjithë socialistëve, madje dhe të kundërshtarëve politikë siç ishte kryedemokrati Lulzim Basha. Dhe nga ana tjetër mungesa e një mesazhi ngushëllimi në facebook nga Kryeministri Edi Rama.
Kjo ishte edhe habia më e madhe e socialistëve dhe e opinionit publik, pasi ishin mësuar që Rama të ishte prezent në të tilla ngjarje. Ai nuk harronte të vlerësonte as “kundërshtarët” politikë dhe jo më njeriun që ka qenë pjesë e familjes socialiste, siç ishte Marko Bello.
Të shumtë ishin socialistët që postuan mesazhe ngushëllime, madje kishte prej atyre që nuk e kishin njohur Markon Bellon, pasi nuk kishin qenë pjesë e PS-së në atë periudhë kur socialistët bënin opozitë.
Rama postimin e fundit e kishte për “rivalin” imagjinar politik, për humbjen nga jeta për shkak të infektimit nga Covid, të ish-zv.kryeministrin Bashkim Koplikun, duke dhënë vlerësime mbi figurën e tij, një gjë e vlerësuar. Për kundërshtarin Kopliku, Rama e gjeti kohën për dhënë vlerësim, ndërsa për Bellon që e kishte pjesë të PS edhe në beteja politike, heshti. Gazeta Shqip