Ish-ministri i Financave dhe ish-deputeti socialist, Arben Malak, ka shpërthyer në një status të ashpër ndaj ish-kolegëve të tij në PS, të cilët kanë ngushëlluar për ndarjen nga jeta të ish-deputetit Marko Bello.
“Pasi e shpallët “Armik të Partisë” asnjë mundësi nuk i dhatë që t’i shërbente vendit të tij me dinjitet, integritet dhe profesionalizëm”, shkruan Malaj.
Në një postim shumë të fortë, Malaj i përmend me emra drejtuesit e vjetër të PS-së, duke i akuzuar për arrogancë dhe babëzi. “Kurrë mos u ngopshi”, e përfundon Malaj statusin e tij.
Postimi i plotë
Boll me hipokrizinë tuaj ndaj kolegut dhe mikut Marko Bello! Lëreni të prehet i qetë! Është shumë e vërtetë që Marko ishte një deputet diplomat, ministër dhe profesor me vlera dhe kontribute të veçanta, Por pasi e shpallët “Armik të Partisë” asnjë mundësi nuk i dhatë që t’i shërbente vendit të tij me dinjitet, integritet dhe profesionalizëm.
Kështu jeni sjellë më shumë shqiptarë të mirë, thjesht dhe vetëm se i konsideroni armik të partisë.
Pas nenit famëkeq 24/1 në 92-shin që largoi nga shërbimi publik disa mijëra shqiptarë të ditur dhe me integritet, periudha juaj e “Rilindasve të babëzitur” do të jetë periudha më e zezë në shkatërrimin e institucioneve të shtetit dhe në largimin nga politika e administrata publike të kujtdo që ju pengon të vidhni deri në pangopësi.
Para 30 ditëve pushuat nga puna deputetin dhe ish- gazetarin luftarak e patriot të qarkut të Vlorës, Adrian Myslymaj thjesht për një “sms” që i nisi Taulant Ballës.
U angazhuat drejtpërdrejt kryerilindasi Rama dhe e kërcënoi me pushimin nga puna. Minstria e Financave, Denaj, brenda 48 orëve dhe jashtë çdo procedure ligjore e pushoi nga puna.
Heshti Gramozi, mentori dhe promovuesi i tij politik. Heshti bashkëluftëtari e bashkëgazetari Braçe. Heshti Pandi dhe të gjithë të tjerët.
Ju nuk e kuptoni se sa shumë pushteti absolut ju ka korruptuar, ose ndoshta babëzia ka qenë motivi i vetëm në jetë. Ju përligjni çdo vjedhje dhe abuzim sepse çdo njeri që ju denoncon, i suleni me gjithë arsenalin shpifës për ta vrarë, jo vetëm shpirtërisht.
Boll me pangopësinë tuaj! Boll me hipokrizinë tuaj! Boll me vuajtjet e pa fund që me arrogancën dhe babëzinë tuaj po i kushtoni shqiptarëve të varfër.
Për kategorinë e arrogantëve dhe të babëziturve populli ka një mallkim nga shpirti : “Kurrë mos u ngopshi” !!