Ministri gjerman i Punëve të Jashtme, Heiko Maas falënderoi kryetarin e radhës së OSBE-së, Edi Ramën, për kompromisin e arritur me stafin e ri.
Nën kryesinë e radhës së Shqipërisë, ka nisur dje takimi i radhës i OSBE-së dhe në seancën e sotme pritet të miratohet edhe stafi i ri kryesues. Ministri i jashtëm i Gjermanisë, Heiko Maas, iu falënderua personalisht, ministrit të jashtëm të Shqipërisë, Edi Rama, për kompromisin e arritur me stafin e ri: „Kompromisi që kemi përpara u arrit, sidomos falë përpjekjeve të palodhshme të kryesisë shqiptare. Ju, i dashur Edi Rama, dhe ekipi juaj keni meritë që ekipi i ardhshëm drejtues, jo vetëm që ka një nivel të lartë kualifikimi, por për herë të parë në historinë e OSBE-së i përmbush të gjitha ambiciet për balancë gjinore dhe gjeografike. Për këtë ju jemi mirënjohës dhe ju falënderojmë“, tha shefi i diplomacisë gjermane në konferencën virtuale. Maas shprehu keqardhje që nuk ishte vetë në Tiranë për të shijuar „mikpritjen proverbiale“ të shqiptarëve.
OSBE-ja në krizë
Më parë, në fjalën e hapjes, kryetari i radhës së OSBE-së, Edi Rama, kishte vënë në dukje krizën në të cilën gjendet OSBE-ja: „Ne jemi në krizë, një krizë në përkeqësim. Kjo nuk është një situatë që i është shkaktuar organizatës nga vetë ajo, struktura apo njerëzit e saj sepse ajo duhet përgëzuar”, tha Rama dhe shtoi: “Kjo gjendje është shkaktuar vetëm nga ne, 57 vendet anëtare të OSBE-së.“
Rama u ankua për frymën e përçarjes që ekzistonte në OSBE, e ngjashme me kohën e Luftës së Ftohte. Në diplomacinë ndërkombëtare, sidoqoftë, OSBE-ja është “ndalesa e fundit, streha e fundit”, tha ai.
Vakuum pushteti
Edhe për postin e sekretarit të përgjithshëm, kishte pasur grindje në OSBE. Në verë sekretari i atëhershëm, zvicerani Thomas Greminger, nuk arriti ta zgjaste mandatin, për shkak të vetos nga ana e Rusisë dhe vendeve të Azisë Qendrore. Vijoi një vakuum pushteti prej disa muajsh.
Në krye të stafit të ri të OSBE-së, i cili pritet të miratohet sot, do të jetë diplomatja gjermane, Helga Schmid. Një emër që as në Gjermani nuk e njeh shumëkush, edhe pse 59-vjeçarja që tani ka një pozicion me shumë ndikim, si sekretare e përgjithshme e Shërbimit të Jashtëm të Europës, pra, numri dy i politikës së jashtme të BE-së.
Një diplomate me ndikim
Në diplomaci, mungesa e njohjes nuk është patjetër disavantazh, përkundrazi. Kjo vlen edhe për punën e mëparshme të Helga Schmidit. Për shembull, ajo ka luajtuar një rol kyç në negociatat midis BE-së dhe Iranit për programin bërthamor iranian, për të cilin i është dashur shumë takt. Edhe në politikat e BE-së ndaj luftës së brendshme në Ukrainë dhe konfliktit me Rusinë në vitin 2013 e 2014 ajo ka pasur një rol të rëndësishëm.
OSBE-ja përbëhet nga 57 shtete nga Evropa, Azia dhe Amerika e Veriut, ka dalë nga Konferenca për Sigurinë dhe Bashkëpunimin në Evropë (KSBE). Kjo u themelua në vitin 1975 në një Evropë që atëherë ishte ende e ndarë në blloqe. Në rolin e saj të ri, Helga Schmid do të duhet të merret me kriza që i njeh nga puna e saj ndërmjetësuese. As kriza e Ukrainës me Rusinë dhe as mosmarrëveshja mbi armët bërthamore iraniane nuk janë zgjidhur deri më tani. Por ajo do të merret edhe me konsolidimin e brendshëm të OSBE-së dhe rikonfirmimin e qëllimeve të saj si organizatë paqeje dhe sigurie. DW