BallinaKryesorePse Perëndimi ka vendosur të shtojë presionin mbi qeverinë shqiptare?

Pse Perëndimi ka vendosur të shtojë presionin mbi qeverinë shqiptare?

Nga Red Varaku

Kryeministri shqiptar ka vendosur të refuzojë mesazhet e qarta të Perëndimit për një tranzicion të qetë të pushtetit nëpërmjet zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.
Ai injoroi thirrjet dhe paralajmërimet e shumta të Parlamentit Europian, Komisionit Europian dhe Komisionerit për Zgjerimin z. Oliver Varhelyi për të respektuar marrëveshjen e pesë qershorit.
Kjo sepse përmes kësaj marrëveshjeje ai e ka të qartë që vendi do shkonte qetësisht drejt tranzicionit të pushtetit me një diferencë votash që nesër mund të kërcënonte realisht të ardhmen e tij jo vetëm në politikë.
Për pasojë Perëndimi ka nisur të shtojë presionin dhe ka bllokuar në mënyrë të prerë, për të shtatin vit me rradhë, procesin e hapjes së negociatave, duke e kushtëzuar këtë qartazi me mënyrën se si do të aplikohet kodi zgjedhor , pra shkurt me zgjedhjet e prillit.
Një dështim ky ulëritës dhe i padiskutueshëm i kësaj qeverie pavarësisht relativizimeve që nuk bindin dhe as nuk qetësojnë dot më as vetë socialistët.
Gjithashtu, nëpërmjet draft-vendimit të Komisionit të Venecias, BE po i jep një paralajmërim të qartë kryeministrit se me këto vendime zgjedhjet praktikisht janë cënuar rëndë dhe kësisoj rezultati i tyre ka arsye të forta të mos pranohet nëse nuk reflekton vullnetin e qytetarëve për ndryshim.
Ndërkohë raporti i Fondit Monetar Ndërkombëtar ku qeveria ka realizuar vetëm 8% të planit për rindërtimin, është qartazi një ‘shpullë politike’ që e rrëzon përfundimisht me një argument fare të thjeshtë atë që qeveria e konsideron suksesin e saj më të madh, që është procesi i rindërtimit.
Edhe deklarata e ambasadores amerikane, fill pas përpjekjeve që u bënë për të krijuar idenë që SHBA dhe BE janë të ndara në lidhje me axhendën shqiptare të integrimit
qartëson dhe thekson qëndrimin e prerë amerikan në lidhje me procesin e integrimit, si një mjet i fortë presioni demokratik mbi qeverinë shqiptare.
Ky është një tregues i qartë që si SHBA ashtu dhe BE ndajnë të njējtin qëndrim në lidhje me integrimin , pra nuk ka asnjë divergjencë në lidhje me dakortësinë që axhenda europiane e Shqipërisë ,është e vetmja axhendë që ata mbështesin pa kushte.
Pra, është e qartë që nëse kryeministri vazhdon me të njëjtën papërgjegjshmëri, duke vazhduar t’i bëjë karshillëk Europës , duke refuzuar të pranojë realitetin që ka dështuar, duke refuzuar të pranojë që Perëndimi ia ka mbyllur me shumë qetësi derën e integrimit, paralajmërimet dhe presioni ndërkombëtar do të vijë duke u shtuar në ditët dhe javët në vijim.
Kjo do të vazhdojë kështu deri në bindjen e plotë të qytetarëve shqiptarë që ky kryeministër dhe kjo qeveri nuk gëzojnë më asnjë mbështetje ndërkombëtare dhe janë arsyeja e degradimit jo vetëm të Shqipërisë , por krejt faktorit shqiptar në rajon dhe zgjidhja e vetme është largimi me sukses i saj.
Tashmë këtë e dinë të gjithë, madje dhe bashkëpunëtorët e tij të afërt, përveç atij vetë, që për shkak se jeton në një realitet tjetër, beson ende se fajin për dështimet spektakolare nuk e ka qeveria e tij, por e kanë vetë shqiptarët, që fatkeqësisht nuk janë aq të kulturuar sa ta kuptojnë thellësinë perverse të vizionit të tij.

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES

Most Popular