BallinaKultureTë gjithë qiejt, shkëlqejnë në sytë e dashurisë!

Të gjithë qiejt, shkëlqejnë në sytë e dashurisë!

Nga Kozeta Turishta

Sapo mbarova së lexuari librin me poezi të Halil Teodorit, me titull: “Të gjithë qiejt shkëlqejnë në sytë e dashurisë”.

Është emocionuese dhe njëkohësisht përgjegjësi kur merr përsipër të shkruash diçka rreth një libri, autorit të saj dhe të cekësh rrugëtimin krijues nëpër të cilin ka udhëtuar autori.

Ky libër, është libri i radhës, është vazhdues i asaj kolane botimesh që mbajnë, jo vetëm emrin e Halil Teodorit, por dëshmojnë shpirtin e paepur të krijuesit tek ai.

Halil Teodori nuk është i ri në krijimtari, pasi dua të them se ai ka filluar të publikoi shkrimet e tij, herët, që në moshën 20-vjeçare, ku për herë të parë ka botuar në gazetë “Ushtima e maleve”, e shtunë, me datë 1 shkurt 1980, një shkrim me titull: “Të rrisim ndjenjën e përgjegjësisë të forumeve të rinisë” dhe pastaj ka vijuar me shkrime të tjera në gazetat e kohës si “Zëri i Rinis”, “Luftëtari”, etj.

Përsa i përket librit që sapo mbarova dua të them se, ky libër tregon për pjekurinë krijuese të Halil Teodorit dhe përkushtimin me pasion, me të cilin ai i drejtohet lexuesit.

Poezinë jemi mësuar ta trajtojmë si një shpërthim shpirtëror dhe emocionues të një grupmoshe që përfshin kryesisht rininë. Por teksa shfleton këtë libër, jo vetëm je i bindur se poezia është e aftë të ndez shpirtin e çdo moshe, por të tregojë dhe të dëshmojë se fjala, vargu, muzikaliteti, ritmi dhe vetë bukuria magjepsëse e poezisë, u flet jo vetëm të rinjve, por edhe më të moshuarve. Madje janë ata që shkruajnë dhe i përjetojnë me një tjetër zjarr këtë kontakt magjik të fjalës me lexuesin.

Hali Teodori në këtë komunikim përmes vargjeve, dëshmon urtësinë, filozofinë, thellësinë e mendimit, metaforën dhe simbolikën letrare. Ai shkruan me kaq finesë dhe kaq thellësi mendimi, me kaq zjarr pasioni dhe gjerësi të mesazhit, duke i dhënë poezisë një tjetër mision, një tjetër peshë dhe emocion. Është kjo, poezia e atyre që ende dinë të dashurojnë me një shpirt plot pasion. Është kjo poezi që tregon se fjala dhe mendimi, ideja dhe simbolika janë, jo vetëm elemente të filozofisë, por, janë vetë poezia, ajo e zemrave të urtësuara në përjetime.

Poezia e Teodorit është një zë burues që priret të shuaj ato etje që mbushin zemra, të dehë ato pasione që ka përgjumur koha, të harbojë ato drita që të fikur i mban ikja. Ritmi dhe muzikaliteti, vokacioni dhe mesazhi, janë një shprehje e kthjellët dhe një marrëdhënie e sinqertë, që poeti ngulmon të ndërtojë me lexuesin e tij, me ata, të cilët gjejnë pjesë të vetvetes në këtë rrëfim të shpirtit poetik. Thjeshtësia dhe delikatesa, lirshmëria dhe brishtësia, janë tregues të një nevoje që ai kumton për të çelur zemrën dhe për të zgjuar te të gjithë atë që po shuhet, citohet mes të tjerash në parathënien e shkruar nga redaktoi, A. Vataj.

Halil Teodori kërkon me ngulmin e moshës dhe urtësinë e viteve dhe përvojës të rizgjojë emocione dhe përjetime, të rikthejë në kujtesë gjëra të gëzueshme dhe dhimbje, të cilat duke qenë pjesë e jetës sonë, janë gjithçka që na bashkon të gjithëve nën këtë qiell, në këto përjetime, brenda flakëve të zjarrit të dashurisë. Ai rrëfehet poetikisht dhe jetëson tek të gjithë atë realitet, atë që më çon atje “ku malli është më i trishtë se dhimbja”. Ai është një zë origjinal dhe një vetëdije e kultivuar artistike dhe intelektuale. Si i tillë, vendi i tij në letërsinë moderne shqipe është tashmë një realitet. Sepse është puna e tij, vepra që ai ka realizuar, librat që kanë rrëmbyer interesim dhe kanë marrë vlerësimin e duhur nga kritika, ajo që flet me vepër. “Vegimet e moshës”, poezi, “Dritë nga errësira”, roman, “Gjurmët”, publicistikë, “Sabri Caka, krahu i shqipes në flamur”, roman monografik, “Dashuria dhemb”, poezi dhe “Të gjithë qiejt shkëlqejnë në sytë e dashurisë”, gjithashtu poezi, përbëjnë punën voluminoze që ai ka bërë. Këto tituj nuk janë thjeshtë një numër, janë një kolanë krijuese, janë një vepër përfaqësimi dinjitoz, janë ajo që do të na bënte të ndihem krenar.

Përveç këtyre botimeve ka edhe një sërë kumtesash dhe botimesh si: “Dibra Ime”. “Haki Stërmilli – Ylli që me kalimin e viteve e shton shkëlqimin e vet!”, “Skënderbeu – Ai që zbriti nga podi i Legjendës dhe u ngjit në piedistalin e Heroit”, për të vijuar me “Mustafa Shehun i Zerqanit – Me luftën kundër Hajredin Pashës, u be shembulli i mirë i krenarisë kombëtare.”, “Aleksandri i Madh – Njeriu legjendë, prejardhja e tij Shqiptare, dëshmitë dhe faktet”, “Selim Alliu – Symbol i dijes, tolerancë dhe mirëkuptimit”,

“Hoxh Hasan Muglica – Mirënjohje në 165 vjetorin e lindjes së këtij burri të zëshëm”, “Asllan Zeneli – Mësuesi që na mësonte se si të jetonim dhe mendonim”, “Mustafa Likalla – Atdhetari dhe fisniku, viktimë e absurdit dhe politikës së frikës”, “Leo Krkuti – Një tjetër shqiptar i madh në muzikën “Pop” ne USA”, “Luiza Gega – Emblema e atletikes shqiptare, vajza e medaljeve dhe rekordeve”, “Qasha – Madhështorja e finesës dhe e elegancës së gruas në zonën e Zerqanit”.

Dhe vijon kjo kolanë kontributi të vlertë intelektual dhe profesional me: “Tu mësojmë brezat se: – Historia nuk duhet të harrohet”, “Dilaver Koçi – Një emër vlerash të lartë sportive dhe njerëzore, shembull i përsosur motivimi për brezat”, “Feja, motivim dhe balsam qënsije”, “Rakip Sinani një jetë në shërbim të komunitetit, si dhe shumë krijime të tjera”.

Emri, Halil Teodori dhe krijimtaria e tij do të zërë një vend të merituar në publicistikën dhe letrat shqipe. Vendlindja e tij është krenare për të. Të afërmit dhe miqtë, të njohurit dhe admiruesit, lexuesit e tij, si dhe unë që e njoha Halilin këtu në USA, e konsiderojmë privilegj që u njohëm, jetuam dhe punuan me të, u bëmë pjesë e pasurisë së tij shpirtërore.

Ky është Halil Teodori, ai pasionanti i përkushtuar dhe profesionisti me vetëbesim dhe kurajë, ai njeriu i mirë dhe intelektuali i ndershëm, kontributori i shquar i atyre vlerave që përfaqësojnë një njeri me prejardhje nga një familje me tradita atdhetare dhe patriotike. Ky është Halil Teodori, ai i shpirtit krijues, ai i forcës së shprehjes, thellësisë dhe largpamësisë së mendimit, ai Halili i thjeshtë dhe i përzemërt, por me një botë të pasur dhe një shpirt të ndritshëm, ai Halili që plotëson portretin e tij, profilin për të cilin ndoshta duhet të zgjatesha më shumë, por gjithnjë do të ishte e pamjaftueshme ajo që do të them dhe shkruaj për të realizuar njohjen dhe vlerat e tij./

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES

Most Popular