BallinaKryesoreLIGJI QË I JEP IMUNITET PUTINIT PAS LARGIMIT S’MUND TË FUNKSIONOJË NË...

LIGJI QË I JEP IMUNITET PUTINIT PAS LARGIMIT S’MUND TË FUNKSIONOJË NË RASTIN E RAMËS

Nga Ilir Nikolla

Kur ngushtohet rrethi, çuditërisht edhe fryma krijuese e kasnecëve të oborrit kryeministror davaritet. Dy ditët e fundit kemi asistuar në turpërimin kolektiv të propagandës qeveritare. Vrasja e Klodian Rashës ka lënë pa tekst shërbëtorët e regjimit, të cilët s’kanë gjetur manual tjetër referimi përveç dosjeve që këto 20 vjet ka perfeksionuar regjimi i Putinit në trajtimin e opozitave, mendimit të lirë, rinisë dhe të gjithë faktorëve të opozicionit në vend. Në disa tekste të porositura qeveritare sot spikaste terminologjia “yshtës mediatikë të dhunës”, a thua se ishin mediat që nxisnin protestat, pasi ato “guxonin” të flisnin për vrasjen shtetërore të Rashës. Pra, sipas qeverimit fasadë, nëse s’flitet për vrasjen, me magji ajo s’ekziston, e rrjedhimisht, kryeministrit s’i prishet as qetësia e as shopingu në Nju Jork.
Pas “yshtësve mediatikë të dhunës” manuali ndiqet pikë për pikë me “listën e organizatorëve të protestës”. Aty kujdesi është që protagonistë të spikatur të jetës publike të jenë në të, duke përcjellë hapur mesazhin për të tjerët se duhet të mbyllin gojën, se i njëjti fat i pret.
Dy pikat e tjera të manualit të perfeksionuar nga autokracia e Putinit kanë nisur prej kohësh të fitojnë qytetarinë në hapësirën publike. Pika e parë është zyrtarizimi i pseudosondazheve që flasin për rritje të popullaritetit të Ramës, në shifra prej 60 përqindësh, tamtam mediatik që shoqërohet me thirrjet se vendi ka nevojë për dorë të fortë dhe për një “opozitë konstruktive”.
Falsifikimi i sondazheve gjithsesi nuk mjafton. Varfëria është këmbëkryq e rreziku për trazira pas dere. Prandaj, linjat B e C të manualit s’ka si të mungojnë edhe këtu, veç pak muaj para zgjedhjeve. Imitimi është katastrofikisht i lexueshëm. Pak ditë më parë, Sandër Lleshaj kërkoi publikisht që të bëhen ndryshime ligjore dhe t’i garantohet kryeministrit imunitet juridik e fizik i përjetshëm, pas lënies së detyrës, pasi vetëm kështu ai “mund të mbështetej” në detyrën e vështirë të përballjes me të keqen. Nisma s’është hiç e re. Në parlamentin rus prej javësh ishte depozituar një projektligj që kërkonte imunitet të përjetshëm për ish-presidentët e këtij shteti dhe anëtarët e familjeve të tyre, nismë që tashmë ka marrë dritën jeshile.
Pra, edhe i gjithëpushtetshmi në Rusi mendon për një plan B (disa thonë se ka lidhje me arsyet shëndetësore më shumë, por kjo s’ka shumë rëndësi për paralelizmin), pse të mos mendojë edhe autokrati në Shqipëri. Po “hane Shan, hane Bagdat”, ku “kultura” demokratike e Rusisë, me aparate policore të çelnikosura prej 300 vjetësh, e që llogaridhënien në demokraci e pranojnë veç teorikisht, e ku vendosmëria e shqiptarëve në 30 vjetorin e Lëvizjes së Dhjetorit, për t’i dhënë fund njëherë e mirë tranzicionit e për ta shndërruar Shqipërinë në një shtet të së drejtës.
Fatmirësisht, ndryshe nga njëfarë pesimizmi që shfaqet, mendoj se gjasat janë të mëdha që më në fund, keqbërësi më i madh të mos e gëzojë gjënë e vjedhur. Manualet alla-Putin s’kanë për të pirë ujë në Tiranë, as si imunitete juridike, as si armë policore. Koha kur virusi shërbehet si aleat po mbyllet e bashkë me të edhe loja me matrioshka e Ramës. Asnjë matrioshkë ministrore s’ka për të mjaftuar dhe shyqyr Zotit, në listën e aleatëve të protestuesve në rrugë kanë për t’u rreshtuar shumë shpejt edhe institucionet që po ngrihen me patronatin amerikan. Në nahijen tonë s’ka alternativë, do të fryjë erë drejtësie, jo imunitet Siberie.
spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES

Most Popular