BallinaAktualitetEMRI+FOTO/Covid nuk kurseu as Profesorin e Veterinarisë

EMRI+FOTO/Covid nuk kurseu as Profesorin e Veterinarisë

I shtruar në spitalin “Shefqet Ndroqi” ai nuk mundi t’i mbijetojë flamës, e për pasojë iu bashkua atyre personave, të cilëve virusi i tmerrshëm ua ndërpreu jetën. Prof. Dr Selim Luku është një prej pedagogëve më afatgjatë në Universitetin e Bujqësor të Tiranës, Fakulteti i Mjekësisë Veterinare. Vazhdoi të japë mësim edhe pas daljes në pension.

Janë me mijëra e mijëra studentët që prej tij kanë marrë bazat e histologjisë dhe të anatomisë. Personalisht kam njohur mjaft kuadro që kanë mbaruar Veterinarinë dhe gjithmonë më ishte bërë zakon që bisedën me ta ta filloja rreth Prof. Selimit. Duke patur parasysh se vlerësimi më i mirë për një pedagog, për një transmetuesh dijesh është opinioni i atyre personave që ka patur ai nëpër auditore, pyetja e parë që iu drejtoja personave të diplomuar në Veterinari ishte rreth figurës së Selim Lukut.

Dhe kurdoherë kam marrë konsideratat dhe përshtypjet më të mira për të. Ky fakt më gëzonte pa masë, por njëkohësisht edhe më habiste pak se si ka mundësi që të mos ketë një person që të flaës me rezerva për të. Si ka mundësi që ish-studentët e tij që pyesja nuk mjaftoheshin me një vlerësim të thjeshtë, por thurnin komplimenta e konsiderata të shumta për të?!

Dhe nuk e gjeta një të tillë deri më sot dhe sigurisht nuk kam për ta gjetur as në të ardhmen. Sepse Prof. Dr Selim Luku ishte vërtet një pedagog i nderuar, një pedagog i vërtetë, një pedagog ku gërshetohej edhe kërkesa e drejtë e llogarisë, por edhe dashamirësia kundrejt studentit. Prof. Dr Selim Luku ishte një person që kishte fituar shumë sfida gjatë jetës së tij.

Duke rrjedhur nga një familje e thjeshtë nga Maminasi, ai kishte arritur të “devijojë” nga tradita natyrale e saj, duke u arsimuar e duke u kultivuar thellë. Vajtjen në shkollën veterinare e shfrytëzoi si mundësinë e vetme për të ecur përpara, duke studiuar pambarimisht, derisa e mbajtën pedagog në Fakultet. Dhe më pas nisën një sërë sfidash të tjera, nga ato që i kushtëzonte marrja e këtij statusi të nderuar. Bëri kualifikime të shumta, mbrojti të gjitha gradat shkencore, duke marrë edhe atë më lartën, Prof. Dr.

Është autor i një sërë tekstesh si ai i Histologjisë, Anatomisë, Fiziologjisë, Atlaseve të Anatomisë, artikujve shkencorë brenda dhe jashtë vendit, monografi si dhe broshura në drejtimin e Mjekësisë Veterinare. Në saj të këtij zhvillimi professional, Prof. Selim Luku ishte ndoshta një nga pedagogët më afatgjatë në Fakultetin e Mjekësisë Veterinare, duke vazhduar të shkojë në auditoret e Fakultetit edhe shumë vite pas daljes në pension. Madje, pas daljes në pension pati një rendiment të lartë në prodhimin e librave të fushës së tij, si për të treguar se për intelektualin e vërtetë dalja në pension ska asnjë herë kuptim.

Rrugëtimi i jetës së Profesor Selim Lukut është ai një njeriu, i cili e ka prodhuar vetë suksesin profesional. Nëpërmjet vullnetit, pasionit, seriozitetit, këmbënguljes, disiplinës, edukatës së mirë, etj. Me ndarjen e tij nga jeta, shoqërisë shqiptare i ikën një personalitet i fushës së Veterinarsë, pedagogjisë dhe asaj shkencore. Kurse familja e tij ndahet prej burrit shembullor, babait të shkëlqyer e gjyshit të mrekullueshëm. Prof. Dr. Selim Luku vërtet u nda nga jeta fizike, por ka lënë pas një emër të mirë, një emër të respektuar, ka lënë pas vepra konkrete e bash për këto arsye kujtimi i tij do të jetë kurdoherë mes njerëzve.

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES

Most Popular