Varianti i ri i koronavirusit që duket se e ka zanafillën në Mbretërinë e Bashkuar nuk e tremb aspak shefin e virologjisë në Charite të Berlinit, Christian Drosten.
Në një reagim për një radion “Deutschlandfun” ai ka thënë se mutacioni i virusit nuk është aq ngjitës sa pretendojnë në Mbretërinë e Bashkuar dhe se kjo çështje mund të përdoret edhe për efekt politike nga ana e kryeministrit të Anglisë, Boris Johnson.
Ky i fundit tha se varianti i ri është 70% më i ngjitshëm, por kjo nuk e bind virologun gjerman që thotë se kjo shifër është e sajuar.
“Ky numër është i sajuar dhe askush nuk e di se çfarë nënkuptohet me të. Me gjithë njohuritë rreth këtij virusi, dikush do të habitej nëse një parametër i tillë do të ndryshonte ndjeshëm tani. Sekuenca e virusit tregon se ka një mutacion në vendin e lidhjes së receptorit. Lidhja me receptorin është më e fortë. Por kjo nuk duhet domosdoshmërisht të jetë më e mirë për virusin,” tha Drosten.
Sipas vlerësimit të Drosten, mund të supozohet se patogjeni i mutuar tashmë ka arritur në Gjermani, por virologu theksoi se kjo nuk duhet t’ju shqetësojë. Deri më tani, mutacioni i ri i koronavirusit është zbuluar në Australi, Hollandë, Danimarkë dhe Belgjikë.