Viti 2020 u mbyll me një ngjarje që trondi Shqipërinë. Dy motra u vranë me armë zjarri nga Përparim Ademi. Viktimat janë Kristina Bardhi dhe Zhaneta Metani. Motrat u vranë në banesën e tyre në Astir.
Më i rëndë është fakti që ngjarja ndodhi në sytë e Anxhelos, djalit 14-vjeçar të Zhanetës dhe Përparimit.
Kjo ngjarje e rëndë u diskutua ditën e sotme në emisionin “Shqipëria Live” në Top Channel, ku në një lidhje skype ishte vëllai i tyre, Bashkim Metani.
Ky i fundit u shpreh se Përparimi ka ndryshuar mbiemrin pasi ka bërë krime, trafikonte fëmijë. Madje tha se nuk është nga Maqedonia e Veriut ashtu siç është përfolur, por babanë e ka nga Tirana dhe mamanë nga Korça.
I vëllai i viktimave tregoi se e ka ditur që në fillim lidhjen e motrave me Përparimin dhe se para se të vdisnin, e madhja i ka treguar se çfarë ka ndodhur me Përparimin.
“Përparimi merrte gra shtatzëna dhe shiste fëmijët. Unë nuk i kam ditur këto gjëra, mi tha motra e madhe para se të vdiste. Ai vrau motrat e mia se më treguan se çfarë bënte.
Ka 30 vjet motra madhe në lidhje me Përparimin. Përparim Tela ka bërë krim të madh, rrëmbeu motrën e vogël dhe kërcënoi babanë.
Në fillim është njohur motra e madhe Kristina, Pranvera. E prezantoi te babai. Në fillim kanë qenë në Maqedoni dhe nuk është nga Maqedonia e Veriut. Ai ka babanë nga Tirana dhe mamanë nga Korça.
Motrat më thanë kemi bërë një gabim. Motra e madhe erdhi për të festuar tani, më tha kemi bërë një gabim që nuk na falet. Na ka marrë në fillim, motra e madhe ngeli shtatzënë. E kishte varë motrën shtatzënë se nuk pranonte të shiste fëmijën.
E ka marrë e ka çuar në mal të Dajtit dhe e kishte varur në një pemë. Nuk e ka lënë që të vdiste, por kishte shenjat në fyt.
Përparim Ademi kishte një rrjet të mirëfilltë për shitjen e fëmijëve në Selanik. Një grua normale nuk mban të dashurat e të shoqit shoqe. Ajo ishte bashkëpunëtore me Përparimin, të hanin gjakun e motrave të mia.
Unë zihesha gjithmonë me të, kur shikoja motrat e mia keq. I kam parë motrat e mia shtatzënë dhe kur i pyesja ku janë, më thoshin se kanë lindur të vdekur”, tha ai.