BallinaAktualitetVENDIMI/Qeveria shpronëson tokën për varrezat e ushtarëve grekë në Shqipëri

VENDIMI/Qeveria shpronëson tokën për varrezat e ushtarëve grekë në Shqipëri

spot_img
spot_img

Qeveria ka miratuar vendimin për shpronësimin e një prone private që preket nga projekti “për ndërtimin e vendprehjeve të ushtarëve grekë, të rënë gjatë luftës greko-italiane të viteve 1940-1941”.

Në vendim thuhet se vlera e përgjithshme e shpronësimit prej 733 700 (shtatëqind e tridhjetë e tre mijë e shtatëqind) lekësh dhe shpenzimet procedurale, në vlerën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë do të përballohen nga Ministria e Mbrojtjes.

Ndërtimi i varrezave greke në Shqipëri është pjesë e paketës së marrëveshjeve ende të pafinalizuar mes dy vendeve tona, për normalizimin e marrëdhënieve.

Dy vendet kanë ngelur tek ndarja e Detit, vendim që do ndërmerret në Gjykatën Ndërkombëtare.

V E N D I M

PËR

SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARIT TË PASURISË SË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKET NGA REALIZIMI I PROJEKTIT “PËR NDËRTIMIN E VENDPREHJEVE TË USHTARAKËVE GREKË, TË RËNË GJATË LUFTËS GREKO-ITALIANE TË VITEVE 1940-1941”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të ligjit nr.10256, datë 25.3.2010, “Për ratifikimin e marrëveshjes së bashkëpunimit, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Greqisë, për kërkimin, zhvarrimin, identifikimin dhe varrimin e ushtarakëve grekë, të rënë në Shqipëri gjatë luftës greko-italiane të viteve 1940-1941 dhe për ndërtimin e vendprehjes për ta brenda territorit të Republikës së Shqipërisë”, të neneve 5, pika 1, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, të ndryshuar, dhe në vijim të vendimit nr.742, datë 13.12.2017, të Këshillit të Ministrave, “Për zbatimin e marrëveshjes së bashkëpunimit, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Greqisë, për kërkimin, zhvarrimin, identifikimin dhe varrimin e ushtarakëve grekë, të rënë në Shqipëri gjatë luftës greko-italiane të viteve 1940-1941, dhe për ndërtimin e vendprehjes për ta, brenda territorit të Republikës së Shqipërisë, ratifikuar me ligjin nr.10256, datë 25.3.2010”, me propozimin e ministrit të Mbrojtjes dhe të ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Shpronësimin, për interes publik, të pronarit të pasurisë së paluajtshme, pronë private, që preket nga realizimi i projektit “Për ndërtimin e vendprehjeve të ushtarakëve grekë, të rënë gjatë luftës greko-italiane të viteve 1940-1941”, në zbatim të marrëveshjes së bashkëpunimit, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Greqisë, për kërkimin, zhvarrimin, identifikimin dhe varrimin e ushtarakëve grekë, të rënë në Shqipëri gjatë luftës greko-italiane të viteve 1940-1941, dhe për ndërtimin e vendprehjes për ta brenda territorit të Republikës së Shqipërisë, ratifikuar me ligjin nr.10256, datë 25.3.2010.

2. Shpronësimi të bëhet në favor të Ministrisë së Mbrojtjes.

3. Pronari i pasurisë të paluajtshme, pronë private, që shpronësohet, të kompensohet në vlerë të plotë sipas masës përkatëse që paraqitet në tabelën bashkëlidhur këtij vendimi, për pasuritë e llojit tokë “truall”, me vlerë 733 700 (shtatëqind e tridhjetë e tre mijë e shtatëqind) lekë.

4. Vlera e përgjithshme e shpronësimit prej 733 700 (shtatëqind e tridhjetë e tre mijë e shtatëqind) lekësh dhe shpenzimet procedurale, në vlerën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë të përballohen nga Ministria e Mbrojtjes.

5. Shpronësimi të fillojë menjëherë pas botimit të këtij vendimi në “Fletoren zyrtare” dhe afati i përfundimit të shpronësimit të jetë 3 (tre) muaj pas datës së hyrjes në fuqi të tij.

6. Pronari i pasurisë së paluajtshme, pronë private, i pasqyruar në tabelën që i bashkëlidhet këtij vendimi, të kompensohet, për efekt shpronësimi, pasi të ketë paraqitur pranë Ministrisë së Mbrojtjes certifikatën e pronësisë, kartelën e pasurisë së paluajtshme si dhe hartën treguese të regjistrimit.

7. Ministria e Mbrojtjes të kryejë procedurat për likuidimin e pronarit të shpronësuar, sipas përcaktimeve të bëra në këtë vendim.

8. Afati i fillimit dhe mbarimit të punimeve të jetë në përputhje me parashikimet e projektit.

9. Agjencia Shtetërore e Kadastrës, në bashkëpunim me Ministrinë e Mbrojtjes, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e miratimit të këtij vendimi, të fillojë procedurat për hedhjen e gjurmës së projektit mbi hartat kadastrale, sipas planimetrisë së shpronësimit të miratuar dhe të bëjë kalimin e pronësisë në favor të shtetit.

10. Agjencia Shtetërore e Kadastrës të pezullojë të gjitha transaksionet me pasuritë e shpronësuara, deri në momentin kur do të realizohen procesi i hedhjes së gjurmës së projektit mbi hartat kadastrale dhe kalimi i pronësisë në favor të shtetit.
11. Ngarkohen Ministria e Mbrojtjes, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Agjencia Shtetërore e Kadastrës për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular