Një 80-vjeçare nga fshati Vrak, Shkodër u largu nga shtëpia në datën 29 të vitit 2020 dhe që nga ai moment është e humbur. Që nga ajo ditë vajza e saj dhe të gjithë familjarët janë mobilizuar duke e kërkuar çdo ditë por pa rezultat.
Ditën e sotme ishte në një lidhje të drejtpërdrejtë me emisionin “Shqipëria Live” vajza e 80-vjeçares, Lule Kodra, e cila u shpreh se e ka bërë denoncimin në policinë e Shkodrës dhe nuk ka marrë asnjë përgjigje.
Lule ka që nga data 29 dhjetor që kërkon e dëshpëruar nënën e saj, ajo dyshon se zonja mund të jetë mbytur në liqenin e Shkodrës por me kalimin e ditëve dhe shpresat për ta gjetur të gjallë janë shuar.
“Nëna ka dalë nga shtëpia dhe nuk u kthye më. Prita 24 orë për të bërë kallëzimin në polici. Shkova bëra kallëzimin se më ka humbur nëna, tregova se kemi bërë kërkime ne familjarët.
Nëna ishte nisur për te vajza, motra ime, e cila jeton në Grudë. Unë kam qenë në një rast atë ditë, nuk kam qenë në shtëpi. Nëna ka qenë vetëm në shtëpi kur është nisur për te motra.
Nuk ishte hera e parë që e bënte këtë rrugë. Ajo nuk ishe e sëmurë, por kur ecte e kishte pak problem. Ajo është nisur për të shkuar në këmbë”, tha Lule.
Përveç faktit që nuk ka asnjë të dhënë për nënën e saj ajo ndihet e braktisur dhe nga policia e cila nuk ka marr asnjë veprim për këtë çështje .
“U kam bërë thirrje institucioneve të shtetit dhe asnjë nuk na ka ndihmuar. Në polici më thanë se do e vëmë menjëherë në punën kërkimin, por unë nuk kam parë njeri që të merret me këtë ngjarje. I kërkova dhe shtetit, u shkrova edhe deputetëve të zonës, por askush nuk mu përgjigj”, vijoi Lule.
Kjo e fundit shtoi se dyshojnë gjithashtu se mund të ketë shkuar nga liqeni, por fatkeqësisht vetë nuk mund të kontrollojnë aty.
“Mund të jetë nisur për te motra dhe ka shkuar nga liqeni, se është e vjetër. Nuk ka patur probleme me mendjen, ka patur kujtesë të fortë. Atë ditë ka qenë shumë mirë. File Kodra nuk ka patur asnjë sëmundje, vetëm probleme familjare. Fatkeqësia në jetë, i kanë humbur 3 djem të rinj nga shkaqe natyrale”, tha Lule kur u pyet nëse e ëma kishte probleme mendore.
Vajza e 80-vjeçares tha se është e teta ditë dhe se e kanë kërkuar në të gjitha zonat. Ajo shtoi se nuk e ka parë asnjë njeri ditën që është nisur për të vajza e saj.
“Nëna mbante veshur rroba të zeza dhe me shami të zezë në kokë. Ka edhe një nishan në faqe, poshtë syrit të djathtë”, përfundoi Lule, duke treguar pamjen e nënës së saj për ta ndihmuar për ta gjetur.