Bota artit pësoi një humbje të madhe, pasi kantautori Kujtim Prodani humbi jetën nga Covid. Lajmi i trishtë u pasua me dhjetëra komente nga miqtë e kolegët e Kujtimit.
Kanautori i njohur së fundmi kishte kushtuar një video dhe për këtë flamë botërore për të cilën fatkeqësisht humbi dhe betejën në luftën kundër koranavirusit.
Ai prej disa ditësh ishte i shtruar në spitalin “Shefqet Ndroqi”, por nuk ia doli ta mposhte COVID-in, ose siç ai vetë e quante flamë e keqe.
Ishte vetë ai që bëri me dije se ishte infektuar nga COVID, ku publikoi një foto nga spitali teksa shkruante “Sa miq e sa të afërm na more, o flamë e keqe! Klinika “Shefqet Ndroqi”.
Në prill, atëherë kur kishte Shqipëria vetëm pak javë që COVID-i kishte hyrë në Shqipëri, Kujtim Prodani shkroi një këngë me titull “Ju flet Corona”! Teksti është i shkruar nga ai vetë, teksa e ka shoqëruar edhe me një video klip, ku nuk mungojnë dorezat dhe maskat.
Teksti i këngës
Ju flet Corona..!
Askush nuk ta mësoi si thyhet befas jeta
Ditënatën ta jetosh në grimca pafundësie
As dashurinë ta ndash në vakte racionale
Më kot përpiqesh, nuk gjen dot manuale.
I mësove të gjitha si në lojra fëmijërie
Patinat e kuqe në park, xhirot larg në Mars!
Trenin, avionin, raketat dhe poezitë
Të gjitha i mësove, përmendësh, natyrisht.
E tani, rregulloren e vetmisë studion
I flakur në shtrat gjersa mendja fiket
Formulat magjike ti sjell ndërmend
Të zbulosh, në dëshpërim, prej meje si iket.
Dhe unë të shoh nga larg, të shoh edhe nga afër
Ashtu të trembur si në klasën e parë
Hyj brenda teje, syrin t’shkel si gringo
Frymën ta marr po desha e zemrën ta ndal!
Por frymën ma ndal pika jote e lotit
Fryma e nxehtë e të dashurës që të pret
Frymën ma ndal enigmë e shpirtit tënd që s’vdes…!
Unë tretem ngadalë në brishtësinë tënde,
I humbur n’betejën time përjetësisht
Ti mbetesh aty, mbi Tokë, me kujtimin tim gdhendur
Që si ëndërr e keqe të kujtoi
Të jesh njeri,
Thjeshtë njeri,
I mirë siç lind,
Dashurisht njeri…!
Kujtim Prodani është këngëtar i njohur dhe autor i 57 teksteve këngësh. Në Nëntor 2003, Kujtim Prodani merr pjesë në Kënga Magjike 2003 dhe që prej atëherë aktiviteti i tij artistik nuk është ndalur për asnjë çast. Ai është djali i artistëve të mirënjohur Anita Take dhe Agim Prodani.