BallinaOP EDFenomeni i përmbytjes në Ultësirën Shkodër-Lezhë dhe 5 rekomandime

Fenomeni i përmbytjes në Ultësirën Shkodër-Lezhë dhe 5 rekomandime

Dr. Ervis Krymbi

Ultësira Shkodër-Lezhë bën pjesë në skajin Veri Perëndimor të Shqipërisë. Pjesa e marrë në studim mbanë popullsinë më të madhe të veriut të Shqipërisë dhe  ndodhen qendrat e dy qarqeve, Shkodër, Lezhë, si dhe bashkitë Shkodër, Lezhë, Vau-Dejës. Në këtë territor përfshihen zona me vlera të veçanta natyrore, monumente të lashtësisë, të trashëgimisë, zona të mbrojtura turistike, plazhe të cilësisë së mirë, si Velipoja, Shëngjini, Shiroka, rezervate natyrore, etj, vende me vlera për shërbime të ndryshme turistike, të cilat janë të shumë njohura dhe të vlerësuara.

Ultësira e Shkodrës, përbëhet nga dy pjesët e saj Mbishkodra dhe Nënshkodra. Dallon nga gjithë Ultësira Perëndimore, pjesë e sëcilës është, për veçoritë e kompleksitetit  të saj gjeografik.

Veç përmbytjeve në vitet 1854, 1871 e 1897 në qytetin e Shkodrës dhe në Ultësirën poshtë Shkodrës ka pasur përmbytje dhe në vitet 1905,1916, 1937 dhe mëvonë në vitet 1946, 1952, 1960, 1962-1963, 1970, 1971, 1979, 1994, 2004 deri tek ajo e janarit 2010 si dhe e shkurtit 2010.

Vërshim i madh me karakter historik i Drinit ndodhi gjatë datave 10-13 janar 1963, për efekt të reshjeve të shumta në formë shiu që ranë në pellgun shimbledhës të tij. Rënia e shiut u shoqërua dhe me shkrirjen e borës së madhe që kishte rënë ditë më parësi rezultat i temperaturave të larta,dhe reshjeve të shiut. Kështu që ushqimi i ketij vërshimi ishte i përzier – shi dhe shkrirje  bore.

Faktorët e përmbytjes 

Lumenjtë Kir dhe Gjadër paraqesin një burim të rrezikshëm përmbytjeje për shkak të sedimenteve të mëdha që ata përcjellin me vete. Prita në Malin e Rrëzuar është prishur dhe lumi Gjadër paraqet rrezik serioz për fushën e Zadrimës. Lumi Kir ka dëmtuar shumë argjinaturën e tij dhe, gjatë reshjeve të mëdha, ai paraqet rrezik serioz për fshatrat përreth, por edhe për vetë qytetin e Shkodrës.

Shirat e vazhdueshme, shpesh herë të rënda, për disa ditë pa pushuar rëndojnë mjaft situatën hidrike.Duhet theksuar se shirat e vazhdueshme dhe ritmike, në dukje të pakta, janë më të rrezikshme për përmbytjet se sa shirat e shkurtra e intensive, uji i të cilave kalon më shpejt sepse rrugët janë të lira dhe toka thith mjaft ujë për t’u ngopur. Përkundrazi, vazhdimësia e reshjeve për një periudhë 10-15 ditore e ngjesh tokën, sado e thatë, e shkrifëruar dhe ujëthithëse të rezultojë, e tej ngop atë dhe ajo detyrohet te nxjerrë ujë në sipërfaqe në vend të asimilimit.

Kombinimi i reshjeve të shiut me ato të borës, shoqëruar me ulje e ngritje të shpejta të temperaturës, kushte që kanë ndikuar në shkrirjen e shpejt brenda dy ditësh të borës, dukuri që është përsëritur 2 herë gjatë 10-15 ditëve,klasifikohet  si një dukuri e rrallë. Kjo gjë ka ndodhur në vitin 1962-1963, 1985, 2010.

Fryrja e Liqenit të Shkodrës që derdh ujë në Bunë për shkak të dominimit të tij nga shirat dhe bora e një pellgu të gjerë e të lartë hidrografik (pjesa më e madhe e territorit të Malit të Zi dhe Alpet Perëndimore etj, zonë e njohur për reshje shumë të mëdha në Europë), kasjellë shkarkimin e sasive të mëdha uji në Bunë. Pra, Bunës i është dashur të tërheq ujërat e dy furnizuesëve të mëdhenj (Drinit dhe Moracës + të Kirit e Gjadrit), por që praktikisht nuk mund ta realizojë për shkak të volumit të madh dhe paaftësisë së përhershme Bunës për të tërhequr. Buna e ka kapacitetin maksimal për tërheqje 1800 m kub në sekond, ndërkohë që i duhet të tërheq rreth 3 fishin në raste të tilla, në kushtet kur rrjedhjen e saj e bllokon edhe rryma e fortë e Drinit që krijon rrymën e penguar si dhe atë të kundërt në raste të veçanta.

Kohëzgjatja e bllokimit të shkarkimit të Liqenit nëpërmjet Bunës për shkak të niveleve të larta që krijohen dhe rolit të rrymës së fortë të Drinit mbi të, favorizon shumë rritjen e mëtejshme të nivelit të liqenit të Shkodrës dhe përhapjen e ujërave drejt qytetit të Shkodrës  dhe fushave të ulëta në lindje të liqenit. Liqeni arrin deri në dyfishim të sipërfaqes së tij duke shkaktuar përmbytje të mëdha. Ai është një liqen i cekët, me brigje të ulëta dhe reflekton shpejt duke u zgjeruar shumë jashtë brigjeve.

Mospërputhja e kapaciteteve ujëmbledhëse dhe ujë përcjellëse.Nga njera anë, pjesa malore me lartësi e pjerrësi të madhe të shpateve dhe sipërfaqe shumë më të madhe ujëmbledhëse(afro 22.000 km2) që prodhon sasira kolosale ujërash brenda  një kohe të shkurtër duke e transportuar atë në rrugë sipërfaqësore e nëntokësore drejt aksit të lumenjve dhe pellgjeve liqenorë.

Fusha vetë, kanalet kulluese dhe shtrati i Bunës kanë pësuar mbushje me materiale inerte  sidomos gjatë këtyre 25 vjetëve të fundit duke rritur paaftësinë tërheqëse të ujërave dhe derdhjen e tyre në det. Mund të vlerësojmë se kanalet kullues mund të kenë punuar me 50% të kapacitetit të tyre tërheqës. Këtyre u duhen shtuar shumë ndërhyrje në terren në zonën fushore siç janë shumë ndërtime në vende që janë të ulëta të cilat luajnë rolin e barrierave si dhe zënë volum hapësire që mund t’i takonte një pjese të masës ujore.

Në shpatet e zonës malore janë bërë ndërhyrje të mëdha e pa krier, pa studim, që kanë cënuar raportet e ekuilibrit midis elementeve të ndryshëm  natyrorë. Në këtë kuadër theksojmë sidomos prerjen masive të pyjeve të larta dhe ekspozimin e territorit kundrejt reshjeve dhe shpërlarjes. Si rezultat është hequr një pjesë jo e vogël e tokës dhe e shtresës së nënpyllit, faktorë këta që pengojnë rrjedhjen sipërfaqësore dhe ndikojnë që një pjesë e madhe e ujit të infiltrojë në rrugët nëntokësore.

Rekomandime 

1.Njohja në mënyrë të sigurt dhe afatmesëm e prurjeve të mundshme që vijnë në kaskadë dhe në Liqenin e Shkodrës të cilat kalojnë nëpërmjet Bunës. Mendojmë se ka ndryshime të dukshme në regjimin e tyre gjatë viteve të fundit.

2.Studimi i aftësisë tërheqëse të Bunës dhe rritja e saj duke llogaritur edhe hapësirën jashtë brigjeve deri te argjinaturat mbrojtëse.

3.Menaxhimi me nivel të lartë shkencor i kaskadës në përputhje edhe me aftësinë tërheqëse të ujërave përmes Bunës, kanaleve të mëdhenj e hidrovorëve.

3.Krijimi i argjinaturës bregdetare, jo në vijë të drejt sipas vijës së detit drejt por me zigzak, në një largësi të përshtatshme nga vija bregdetare dhe duke lënë në marrdhënie me detin të gjitha lagunat, të mëdha apo të vogla qofshin, të cilat shërbejnë si hapësira për shfryrje dhe amortizim të forcës së detit.

4.Ngritja e infrastrukturës së sigurtë për rrjedhjet lumore, argjinatura në dy anët e rrjedhjeve, kanale të mëdhenj kullues, shtim të hidrovorëve në pika të reja në varësi me pjesën e sasisë së ujërave të tepërt që  duhet të tërhiqet nëpërmjet tyre.

5.Largimi i gjithë atyre ndërtimeve në territore që janë të dominuara nga ujërat të cilët jo vetëm janë në rrezik por edhe pengojnë, janë barriera për tërheqjen e ujërave dhe zenë volum që duhet t’i takojë ujërave në raste të tilla. Nuk mund të ndërtohet në atë hapësirë që është territor i ulët dhe i krijuar nga vet uji sepse ai territor, edhe pse i thatë, është lumore e lumit, i cili në raste të rralla kthehet aty dhe e përdor atë.

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES

Most Popular