Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë i ka ndaluar Albin Kurtit dhe 46 kandidatëve të tjerë të garojnë në zgjedhjet e 14 shkurtit.
Kjo për faktin se Kurti ishte dënuar në janar të vitit 2018 për dy vepra penale: përdorim të armës apo mjetit të rrezikshëm dhe për pengim të personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrës zyrtare, ndërsa në shtator të po atij viti Apeli ia vërtetoi dënimin e njëjtë.
Sot KQZ ka verifikuar të gjithë emrat dhe janë 47 kandidatë nga rreth 1 081, të cilët janë shpallur fajtor për vepër penale me një vendim përfundimtar të gjykatës në tri vitet e fundit.
Në një konferencë për media, zëdhënësi i KQZ-së, ka bërë të ditur se ky institucion ka kërkuar nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, Këshilli Gjyqësor i Kosovës, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Agjencia e Kosovës për Inteligjencë konfirmimin për përshtatshmërinë e kandidatëve për deputetë, bazuar në nenin 29 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme.
Në bazë të këtij ligji kandidat për deputet nuk mund të jetë një person, i cili është shpallur fajtor për vepër penale me një vendim përfundimtar të gjykatës në tri vitet e fundit.
“Në përgjithësi, janë 47 kandidatë nga rreth 1,080, të cilët janë shpallur fajtorë për vepër penale me një vendim përfundimtar të gjykatës në tri vitet e fundit”, ka thënë Elezi.